BallinaEkonomiÇudia me ankandin e bonove 6-mujore: Yield-i ulet në 1.5%, sa gjysma...

Çudia me ankandin e bonove 6-mujore: Yield-i ulet në 1.5%, sa gjysma e normës bazë

Ankandi i bonove të thesarit me maturim 6-mujor shënoi këtë javë një zhvillim të paprecedentë.
Yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve pësoi një rënie të fortë në 1.5%, nga 3.18% që kishte qenë në ankandin e fundit të suksesshëm të këtyre instrumenteve, që ishte zhvilluar në fund të muajit maj.
Shuma e shpallur për financim kishte qenë një miliardë lekë, por nga këto 450 milionë lekë ishin të rezervuara nga Banka e Shqipërisë, ndërsa kërkesat totale në ankand arritën në 2.06 miliardë lekë.

Në përfundim të ankandit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë pranoi një ofertë të vetme konkurruese në vlerën e afërsisht 403 milionë lekëve, me një yield prej 1.5%. Pjesa e mbetur, prej 597 milionë lekësh, u plotësua nga kërkesat jokonkurruese, duke përfshirë këtu shumën e rezervuar për Bankën e Shqipërisë.

Ky është niveli më i ulët që yield-i i këtyre instrumenteve shënon që prej marsit të vitit të kaluar. Por, në atë periudhë kushtet monetare ishin krejt të ndryshme. Banka e Shqipërisë nuk e kishte nisur ende procesin e normalizimit monetar dhe norma bazë e interesit ishte ende në nivelin më të ulët historik prej 0.5%.

Aktualisht, norma bazë e interesit është në nivelin 3%, ndërsa norma e depozitave ditore të Bankës së Shqipërisë është 2%. Rrjedhimisht, për një bankë investimi me një yield prej 1.5% nuk ka shumë kuptim.

Nga ana tjetër, eskpert1%t pohojnë se një investim i tillë nuk ka shumë kuptim as për një investitor tjetër institucional apo individual. Në treg sot ka banka që ofrojnë norma interesi edhe më të larta se 1.5% për depozitat 6-mujore në shuma të mëdha.

Ekspertët e tregut financiar shprehen se një yield i tillë përfaqëson një anomali dhe është tregues i faktit se tregu financiar në Shqipëri është sipërfaqësor dhe shpesh nuk ndjek një logjikë normale. Të vetmet instrumente me maturim më të shkurtër, bonot e thesarit 3-mujore, muajin e kaluar u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 3% ose dy herë më të lartë se yield-i që u shitën sot bonot 6-mujore.

Në muajin gusht të këtij viti, ankandi i bonove 6-mujore pati dështuar, sepse MFE i refuzoi të gjitha kërkesat e paraqitura, me argumentin se ato ishin tepër të larta, në nivelin 3.16%.

Mes MFE dhe investitorëve nisi një luftë e heshtur, por në asnjë rast më parë normat e kërkuara nga tregu nuk kishin zbritur poshtë nivelit të normës bazë të interesit. Por, këtë javë, yield-i i përfituar në ankand ka tejkaluar edhe shpresat më optimiste të Ministrisë së Financave. Frenimi i rritjes së normës bazë të interesit dhe gjendja likuide e tregut financiar i ka stabilizuar prej muajsh yield-et e bonove të thesarit pranë niveleve të normës bazë të interesit. Ndërkohë, normat e obligacioneve kanë shfaqur një tendencë në rritje, edhe për shkak të një kërkese më të vogël në segmentin e tregut të titujve afatgjatë. /E.Shehu/Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular