BallinaAktualitetKombinati Mekanik (Uzina e Armëve) Poliçan do të kthehet në Muze

Kombinati Mekanik (Uzina e Armëve) Poliçan do të kthehet në Muze

Uzina Mekanike numër 1 në Poliçan do të kthehet në Muze. Të paktën këtë ka  në plan Bashkia e Poliçanit e cila ka kërkuar një kompani për të bërë projektimin mbi këtë plan.

Njëkohësisht në shërbimet e kërkuara në një procedurë të fundit të prokurimit bashkia parashikon gjithashtu rregullimin dhe njëtrajtësimin  të gjithë fasadave të qytetit si dhe ndërtimin e një terminali apo parkimi për mjetet e transportit që në qytet aktualisht nuk ekziston.

Në dokumentet që shoqërojnë procedurën bashkia jep detaje lidhur me Kombinatin Mekanik rreth të cilit u ndërtua edhe aktiviteti dhe jeta në qytetin e Poliçanit gjatë viteve të diktaturës.

“Kombinati Mekanik Poliçan është një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armatim. Kombinati ndodhet pranë qytetit të Poliçanit, në rrethin e Skraparit, 22 km në jug të qytetit të Beratit. Uzina e Prodhimit të Municioneve (sot Kombinati Mekanik Poliçan), u ndërtua dhe filloi aktivitetin e saj në vitet 60–të.

Uzina filloi prodhimin e municioneve për herë të parë në vitin 1967. Në fillim, u vu në punë linja e prodhimit të fishekut 7.62 mm dhe më pas me radhë linjat e prodhimit të granatave të dorës ofensive dhe difensive, minave kundërtank e kundërkëmbësorisë, predhave të mortajave 82 mm, kapsollave detonatore KD 8, fishekzjarrëve 180 mm etj” thuhet në dokument.

Ky i fundit nënvizon se me kalimin e viteve, krahas prodhimit, vazhdoi në mënyrë të pandërprerë puna eksperimentuese për prodhimin e artikujve të tjerë të nevojshëm për ushtrinë. Në këtë proces eksperimentimi u përfshinë dhjetëra inxhinierë dhe specialistë të aftë nga i gjithë vendi.

Si rezultat i kësaj pune, në vitet 80–të u vunë në punë linjat e prodhimit të predhave 60, 107 dhe 120 mm, djegoreve 60 dhe 82 mm, fishekëve bazë 60 dhe 120 mm, fishekëve 12.7, 14.5 dhe 9 mm, etj. Rritja e nomenklaturës së prodhimeve, kapaciteteve prodhues dhe numrit të punonjësve, i cili arriti shifrën 3 200, ishin faktorët bazë që në vitin 1986 e shndërruan Uzinën në Kombinat të Prodhimeve Ushtarake.

“Aktualisht, në Kombinatin Mekanik Poliçan janë të instaluara 12 linja kryesore për prodhimin e artikujve të lartpërmendur. Cikli i punës është i mbyllur duke realizuar në kombinat prodhimet ushtarake, instrumentet dhe veglat e punës, deri në ambalazhimin e prodhimit të gatshëm. Linjat e prodhimit janë të përbëra nga makineri speciale, të destinuara për prodhimin e municioneve.

Vetëm 5 deri 10 % e kapaciteteve prodhuese kanë karakter universal dhe mund të përdoren për prodhime civile. Mbas vitit 1992, si rrjedhojë e ristrukturimit të Ushtrisë dhe mungesës së fondeve, porositë për ushtrinë në Kombinatin Mekanik Poliçan u ulën në mënyrë drastike, duke sjellë si pasojë reduktimin e fuqisë punëtore nga 3 200 në 1 700. Gjatë viteve 1994 – 1997, prodhimi u ndërpre plotësisht.

Nga korriku 2006 e deri tani ndërmarrja funksionon me pavarësi financiare nga shteti. Aktiviteti kryesor aktual është demilitarizimi i municioneve të tepërta të F.A. Sasia e municioneve të asgjësuara në Kombinat që prej vitit 2001 e deri tani, është rreth 26 000 ton (municione të shtimit të topave 57 mm, 76 mm, 85 mm, 100 mm, bomba aviacioni 100 kg, 150 kg., 250 kg, predha mortaje 107 mm dhe 82 mm). Aktualisht po demilitarizohen municione mortaje 82 mm prodhim importi (rus, kinez), granatat e dorës dhe fishekë 7.62 mm”, thuhet në dokument. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular