BallinaEkonomiRistrukturimet e kredive pësuan përsëri rënie në gjysmën e parë të vitit

Ristrukturimet e kredive pësuan përsëri rënie në gjysmën e parë të vitit

Bankat kanë vijuar të kryejnë ristrukturime të kredive edhe në gjysmën e parë të këtij viti, por vëllimet respektive tregojnë për një rënie të ndjeshme të tyre.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, kredia e ristrukturuar gjatë 6-mujorit 2023 ishte rreth dy miliardë lekë ose sa 1% e fluksit të kredisë së re të periudhës dhe sa 4.2% e stokut të kredive me probleme.

Portofolet e prekura nga ristrukturimi i kredisë lidhen me kreditë në valutë për sektorin e biznesit dhe në mënyrë të veçantë me kreditë e dhëna për industrinë e ndërtimit. Forma kryesore e ristrukturimit e kërkuar nga klientët dhe e miratuar nga bankat ishte zgjatja e afatit të maturimit.

Fluksi vjetor i kredisë së ristrukturuar është zvogëluar ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Kështu, vlera e kredisë së ristrukturuar gjatë gjashtëmujorit të parë të 2023-shit është sa 28% e vlerës së kredisë së ristrukturuar në të njëjtën periudhë në 2021-shin dhe sa 32% e vlerës së kredisë së ristrukturuar në gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Rënia e ristrukturimeve mund të jetë një tregues se cilësia e portofolit të kredisë nuk ka pasur presione shumë të rëndësishme përkeqësuese. Por, një arsye tjetër që ristrukturimet kanë rënë ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme është edhe përfundimi i masave të përkohshme lehtësuese që aplikoi Banka e Shqipërisë në periudhën e pandemisë. Ky instrument rezultoi mjaft efikas për të mbajtur nën kontroll treguesin e kredive me probleme.

Kuadri i Bankës së Shqipërisë për administrimin e rrezikut të kredisë së bankave parashikon që, në rast se një kredi ristrukturohet, ajo duhet të klasifikohet automatikisht si kredi me probleme, edhe në rastet kur ajo është shlyer rregullisht deri në momentin e ristrukturimit. Rregullorja kërkon që në vazhdim kredia e ristrukturuar duhet të mbajë statusin e kredisë me probleme për të paktën gjashtë muaj, kohë gjatë të cilës duhet provuar se huamarrësi ka qenë në gjendje të shlyejë rregullisht pagesat pas ristrukturimit.

Në kushte normale, kjo dispozitë e rregullores bën që bankat të jenë më pak të prirura të pranojnë ristrukturime, sepse kreditë në fjalë duhet ti klasifikojnë si kredi me probleme dhe duhet të llogarisin provigjione për to.

Por, në periudhën mars 2020-mars 2021, këto kërkesa të rregullores u pezulluan, me qëllim lehtësimin e ristrukturimit të kredive të bizneseve dhe familjeve të prekura nga efektet e pandemisë. Kjo masë ndihmoi që raporti i kredive me probleme të mos rritet as gjatë periudhës pandemike. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për dyvjeçarin 2020-2021 bankat ristrukturuan rreth 52 miliardë lekë kredi të bizneseve dhe individëve.

Mekanizmi i lehtësimit të ristrukturimeve konsiderohet nga Banka e Shqipërisë si një nga masat rezervë për tu aplikuar, në rast se sektori financiar do të përballet me një rritje të kredive me probleme. Por, deri tani, aplikimi i masave të posaçme nuk ka rezultuar i nevojshëm.

Në muajt e parë të këtij viti rritja e kredive me probleme ka pasur përmasa relativisht të vogla. Në fund të gushtit, raporti i kredive me probleme ishte afërsisht 5.3%, me një rritje të lehtë nga niveli 5% ku qëndronte në fund të vitit 2022.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular