Arrestimet e bujshme të operacionit të udhëhequr nga SPAK, të Erzen Breçanit dhe shefit të krimeve Dedan Gjoni u kryen në sekret të plot, për të shmangur dekonspirimin.
Gazetari Artan Hoxha tha se as vetë efektivët e forcës “Operacionale” të policisë nuk e dinin se kë do të arrestonin, por me ta ishin agjentët e BKH-së që i treguan në momentin e fundit.
Hoxha tha se Breçani ndodhej në një lokal pas godinë së “RTSH”-së në momentin që e ka thirrur pronari i qendrës tregtare “ABA Center”, pranë stadiumit, duke i thënë se dikush donte të hidhte fishekzjarre nga kjo ndërtesë me rastin e fitores së kombëtares.
Breçani shkoi për ta diskutuar, pasi kompania e tij “Breçani Security”, kishte në ruajtje godinën. Por kur shkoi pranë qendrës tregtare, ai u përball me agjentët e BKH-së dhe efektivët e policisë që ishin të veshur si pjesë e stafit të stadiumit “Air Albania”.
“Arrestimet e Dedan Gjonit dhe Erzen Breçanit janë bërë në 100 metër distancë. Skuadra e arrestimeve ka qenë e pajisur me “badge” të stadiumit, si punonjës të stadiumit. Gjoni është kapur sa është çekuar bileta.
Erzen Breçani ka qenë prapa RTSH-së në një lokal, e ka thirrur pronari i ABA Center, sepse dikush donte të hidhte fishekzjarre për festën. Ai ka shkuar aty për të diskutuar nëse do t’i lejonin t’i hidhnin apo jo. Kur ka shkuar aty ka gjetur një grup të operacionales me shkrimin “Staff” i stadiumit. As vetë ata nuk e dinin kë do arrestonin, aty i kanë thënë agjentët e BKH-së do arrestoni këtë.
Breçani ka patur një armë në brez, e kishte me leje. Është bërë kontrolli në banesat e tyre”, tha gazetari.