Nga Maksim Rakipaj
Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia.
Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si:
‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Vdekja sillet rrotull nëpër Qaf-Bar
Ndërkaq, jeta në Qaf-Bar vazhdon si më parë: punoj si minator me tre turne, vazhdoj jap leksione në kursin e anglishtes dhe kur gjej kohë të lire, bëj ndonjë shëtitje me Nuro Hotin, pi ndonjë kafe me Ben Çetën, shkëmbej ndonjë batutë me Sokol Sokolin…! Por të pish kafe me Shefqet Kaun dhe Dalip Zhabolin, nuk ka të paguar, batutat nuk shterojnë kurrë. Shefqeti edhe ndonjë histori të trishtuar, di ta kthejë në humor, por me finesë, me art. Tregon njëherë:
– “Ishim një grup sportistë të ‘Dinamos’ dhe ‘Tironës’ ke ‘Vollga’ në Tironë. Me ne ishte dhe Tod Janku, kampioni absolut i boksit në ato vite. Kur po hyjnë në lokal edhe sportistët e ‘Partizonit’…! Thamë: kena Todin me vete, pse mos provokojm nji sherr dhe ju futna në hu dhe t’i bojm mut, kta të ‘Partizonit’?! Gati për sherr, ene ata të ‘Partizonit’. Njiçik gjo u dojte, nji e shtyme e lehtë, nji; ‘ku i ke syt mër derr’?! dhe të gjith ne si garipa, si kaubojsat, në filmat western.
20 vetë, tuj u rraf me grushta…! Shkurt muhabeti, na bon mut ata të ‘Partizoni’t ne…se Tod Janku, në vend që t’u bashkonte me grupin tonë, njeli si goc gjimnozi, duke na thonë: Mos çuna… ooo, mos boni kshu, se osht turp’ dhe mundohej me na nda. Na ndau mo në fund, por ne ishim bo për qep e kryp…! ‘Po ti mer dreq’, i thash Todit, ‘ça shoku paske qenë’?! Un thash gja, se po na ndihmon, ti hiç?! Todi që në ring ishte kafshë, në jetë, ishte nji çun i edukum, i turpshëm, s’dinte me thon nji llafe të pisët”.
Shokët që janë liruar, na dërgojnë ndonjë letër, na kujtojnë që jeta vazhdon edhe jashtë telave me gjemba të burgut. Zydi ka dërguar një letër, është martuar me të dashurën e tij. Punon në një fermë, kosit bar dhe merret me kuajt, poeti ynë. Dhe shkruan, shkruan gjithmonë. Islami vazhdon jetën e beqarit. Aladini është fejuar. Të tjerët…do t’i takoj kur të lirohem vetë. A thua do të lirohem ndonjëherë?! Fjalët e mira që më vijnë nga shtëpia, nuk më bëhet t’i besoj. Nuk i besoj aspak, por atyre nuk u jap të kuptojnë, që jam shumë pesimist për këtë.
Me njëri tjetrin kujtojmë dhe dashuritë dhe flirtet që kemi patur. Një shoku im, kujton kofshët e së dashurës së tij, kur qe student në Shkodër: “I kishte të bardha dhe të shijshme, si djathë”, thotë dhe sytë i bëhen ëndërrues. Sa gjëra të mbeten peng në jetë, që mbeten përjetë, veçse kujtime dhe më pas të duken thjesht ëndrra. Tregojnë dhe duket sikur i rijetojnë edhe njëherë ato çaste…!
Netëve fle gjithnjë e më pak. Në orën 22, duhet të jemi në shtrat, por mua më zë mesi i natës, duke lexuar, përkthyer, duke ëndërruar, me sy hapur. Duhet të fle, se nesër kam shumë fronte për të bërë, bira me martel. Më në fund zbardh. Hamë mëngjes dhe bëhemi gati për të shkuar në punë. Pse po na vonojnë sot?! Vjen shpejt lajmi i zi: “Ilmi Çoçkën nga Erseka dhe Dilaverin, nga Vlora i ka zënë galeria”!
Vjen Vlash Piroli, kurbinas: – “Duhet të bëja birat për shembje nënkati, në atë front, por m’u lutën Ilmiu me Dilon të pres, sepse u duheshin edhe dy vagonë, për të plotësuar normën…! Ah, ta dijsha! Mirë, u thashë, vazhdoni se dhe mua më duhet kohë, më duhet të bëj bira 4 metroshe, po ju pres…! U ula me pi nji duhan, kur dëgjoj një ‘vuuu’ të shurdhët…! Mos, thashë, shkova vrap…! Ishte shemb krejt nënkati, pa dhan shenj…! Uluriva, fillova me gërmu me dur, me thonj, deri sa më larguan prej aty…”!
Pas tre ditësh, grupi special i avari-shpëtimit që vjen nga Tirana, i nxjerr dy trupat pa jetë të shokëve tanë. I gjetën njerin në këmbë me lopatë në dorë dhe tjetrin vetëm këmbët, ndërsa trupi nga mesi e lart, brenda në vagon…! Të dy nën një mal me mineral. Ajo shembje na ka zënë të gjithëve nën vete. Pas kësaj ndodhie të tmerrshme, rifillon puna përsëri në minierë. Shokët më porositin të kem kujdes; piriti është mjaft i rrezikshëm. Zakonisht, formacionet shkëmbore “lajmërojnë”, para se të shemben: në fillim bie pak pluhur, ose ndonjë guriçkë. Ke mundësi edhe t’i kontrollosh, duke goditur me barominë vendet e dyshimta. Ato japin një tingull të veçantë, kur i godet. Kurse piriti, është ndryshe, nuk jep asnjë lloj tingulli.
Sot ka ardhur një ekip kontrolli nga ministria e Minierave dhe inxhinieri ynë, ma ndërron planin e punës, më dërgon të bëj bira në një front më të “sigurt”, pranë nivelit kryesor. Por nuk jam aspak i mbrojtur: më duhet të punoj jashtë armaturës, duhet të bëj bira të thella. Vendi është i ngushtë, e kam mjaft të vështirë ndërrimin e barominave, nga 1, në 2 dhe 3 metra. Më ka mbetur bira e fundit, për të thelluar. Sapo vendos barominën në martel, ndjej një si alarm brenda vetes, nuhas me një shqisë jashtë vetes, rrezikun. Lëshova martelin e u largova. Atë çast fillon shembja e nënkatit: një, dy, tre, zhurma të shurdhëta, presioni i ajrit, më përplas pas armaturave…! Pata kohë të largohesha prej aty.
U ula për të mbledhur veten dhe ndeza një cigare. I pari erdhi inxhinieri, me vrap…!
– “Shyqyr, qenke gjallë! Do më mbetej peng gjithë jetën, se ti doje të bëje bira, në një tjetër front dhe unë ngula këmbë për këtu”.
– “Ik, o inxhinier, më le ta mbaroj këtë cigare rehat. Nuk ka përse të të mbetesha ty peng, ti inxhinier minierash je, nuk je hetuesi, nuk je kryetari i Degës, nuk je prokurori, as gjykatësi që më dënoi, as hetuesi im nuk je… dhe atyre, jam i sigurt që nuk do t’u mbetej peng vdekja ime, përkundrazi, do të kënaqeshin sikur të ndodhte kjo gjë”.
Mjekët dhe njeriu mjek – Ben Çeta
Filloi Kampionati Botëror i Futbollit, Spanjë ’82. Tifozllëku është i madh këtu, merr ngjyra politike, sipas bindjeve të secilit. Është edhe një futbollist, që ka luajtur me Elbasanin, gjithmonë e gjen të rrethuar, nga tifozë të ndryshëm, diskutojnë ndeshjet e kaluara, parashikohen ndeshjet e ardhshme, vihen baste. Shumica janë tifozë të gjermanëve, në vend të dytë janë tifozët italianë. Ka edhe tifozë me rusët. Këta janë komunistët, ose ata që kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik, mjeku i kampit, një prej kirurgëve më të zot në Shqipëri, i mirënjohuri Fadil Spahiu, është tifoz me rusët. Sot luhet gjysmë finalja, Gjermani-Francë, por unë jam turni i dytë. Jam tifoz me gjermanët, qysh nga viti ’66, nga finalja e famshme kundër englezëve.
Kam një shpresë për raport mjekësor. “Thuaj Islam Spahiut të ndërhyjë, e ka djalë xhaxhai”, më thotë Zyhdiu. Kapa Islamin. Ky, i ndodhur keq, më tha: – “Vërtet e kam djalë xhaxhai, por nuk flasim bashkë. Nuk komunikonim, as jashtë burgut. Është komunist. Megjithatë, një përshëndetje e kemi… për hatrin tënd do t’i përulem, do t’i them një fjalë…”! U nis Islami, për te ambulanca, unë e pres me ethe… nuk u vonua shumë…! “Hë Islam”?! “Ma preu shkurt: ‘Nuk mund t’i jap raport dikujt, që nuk është i sëmurë…”! E dija që do të më thoshte jo, sa u fëlliqa kot…! Më takoi Thanasi, ish aviator, një himariot që e kam njohur në kampin e Ballshit. Është tifoz me gjermanët Nashua, si unë…! “Hë vëlla, do ta shohim Jermënin sonte? Do t’i shtypim zhabat e Francës…”?!
– “Më vjen keq, Nasho, nuk do t’i shoh dot jam turni dytë…”!
– “Ta rregullon vëllai raportin, me Dr. Fadilin…kam shumë muhabet…”.
– “Lëre Nasho, i futa mik Islamin dhe tha jo…”!
– “Islamit i thotë jo ai, por jo mua. Fadili kujton, se jam tifoz me rusët si ai, hahahahah, kujton se jam komunist edhe unë, hahahahah, do t’i them që je tifoz i çmendur, për rusët…”!
As dy minuta dhe Nashua doli buzëqeshur nga ambulanca, më kapi në qafë…! “Në rregull, sonte je pushim…kur të duash tjetër here, do më thuash një ditë para…”.
Nuk i thashë më Nashos, të ndërhynte për mua. Sepse pas ca muajsh, më transferuan (dhjetor ’82) në Qaf-Bar. Me grupin e parë që u transferua atje, 15 veta, ishte edhe emri im. Vetëm unë jam martelist – minator ndër ta. Të tjerët janë shinashtrues, mekanikë dhe punëtor lopate. Në këtë kamp para nesh, kanë qenë të burgosurit ordinerë, nga kampi i ordinerëve të Bulqizës. I larguan ordinerët, për të na lëshuar vendin neve, të dënuarve politikë. Mbeti në Qaf-Bar, vetëm komanda, policët e mëparshëm, të gjithë dibranë.
Dhe mjekët. Ishin dy: Drago Vujosheviç, me origjinë malazez dhe banim në Gjirokastër dhe Dr. Beniamin Çeta. Përherë i qeshur, i dashur Beni. Unë e njoh që jashtë burgut, ka kuruar tim atë, kur pati një goditje në zemër në ’73-in. M’u bë qejfi, që më mbante mend. Këtu bën më ftohtë se në Spaç, por te kthina e mjekut, ka sobë. Një sobë që i ngroh të burgosurit, si edhe zemra e madhe e Benit. Që u jep të gjithëve kafe, cigare dhe mirësi, dashuri. Komandës, kjo nuk i pëlqen. E pashë një ditë Benin, duke pastruar kanalet, brenda kampit…! “Punë vullnetare Beno”?!
– “Më kanë dënuar një javë, të pastroj kanalet. ‘Mos fut njeri te soba’ më tha komandanti…! Unë nuk i përzej, jam mjek, këtu është ftohtë, si në Siberi, më hiqni po deshët. Dhe ja ku jam”.
Bashkë me Visarin dhe shokë të tjerë, bëmë një fushatë për të larguar miqtë e bezdisshëm të Benit, deri sa më në fund e kuptuan, se i bënin dëm me vizitat e tyre…! Beni i pakënaqur; “Pse s’vini mo mër jahu, ecni, ju e dini që se rrun Beni, se ç’thojn këta…”?!
Një fat i dhimbshëm: Agim Agaraj
Me Agim Agarajn, u takuam në fillim në kampin e Ballshit dhe tani, pas disa vitesh, ri takohemi në minierën e Qaf-Barit. Kam patur miqësi me të, qysh në shkollën e Marinës, kemi plot miq të përbashkët. E arrestuan në vitin ’76, bashkë me të vëllanë, Ilirin, kur punoja ende në anijen “Durrësi”. Gjyqin ia u bënë në gjykatën e Durrësit. I njëjti kolegj ushtarak, që do të gjykonte dhe dënonte, pas ndonjë viti, edhe mua me shokët e mi. Nga Brigada e Nëndetëseve, dërguan në ato kohë shokun tim të ngushtë të viteve të shkollës, Fatmir Hanxharin.
I ndoqëm bashkë, të gjitha seancat e gjyqit të vëllezërve Agaraj. Fatmiri, ishte në ethe, dërgimi i tij për të dëgjuar gjyqin, ishte një presion i hapur që i bëhej. Nga banka e të akuzuarve, Agimi na pa, por nuk na dha të njohur; vetëm një herë, në 1/100 e sekondës, na dërgoi një shkelje syri, që pati shumë domethënie për ne. Donte të thosh, që e pat marrë malli, që nuk kish thënë asnjë fjalë për ne, në hetuesi, që të rrinim të qetë, por edhe të ruheshim, të ruheshim shumë, që të mos e pësonim edhe ne si ai.
Pak kohë pasi Agimi vjen në minierë, miku ynë, që ishte edhe shef i Zyrës Teknike, njeriu i mrekullueshëm, Dalip Zhaboli, e cakton të punojë te salla e kompresorëve. Është mjaft i kënaqur me atë punë Agimi. I kanë mbetur rreth 4-5 muaj, të mbarojë dënimin. Kujdeset shumë për shëndetin, ushqehet mirë dhe me zor pret të lirohet. “Mjerë ajo që do të të bjerë në dorë ditët e para, o Gimo”, – i them dhe Gimit, i shkon goja vesh më vesh. Dhe vërtet, mbi 1.85 i lartë, 95 kg i rëndë, pa fije dhjami dhe krejt i bardhë.
Në fytyrë ngjan si aktor amerikan, ca dhëmbë katarroshë që ka, ia zbukurojnë edhe më tepër buzëqeshjen. Mua më këshillon: “Ti ke mendjen tënde Maks, por tani që i ke mundësitë, kot nuk e le martelin. Miniera të ha kokën, shiko edhe shëndetin. Të dua të mirën, prandaj të flas. Ruaje veten, këtë di të të them”!
Jam gjithmonë në një turn me Agimin dhe kur dal nga miniera, kthehem dhe bëj dush te salla e kompresorave. Është e ndaluar kjo gjë, por Gimi, nuk do t’ia dijë; jo vetëm unë që jam shok me të, por ka plot të tjerë, që bëjnë dush te kompresorat. Këtë ditë të zezë, jemi të dy turni I-rë. Pasi ha drekë, hasem me Gimin dhe i them:
– “Pse sikur çalon Gimo”?!
– “Më ka dalë një i thatë dhe më ka vrarë pak këpuca. Po shkoj të takoj Dr. Dragon, do t’i them të më bëjë një penicilinë…”.
Nuk ma merr mendja, që këto janë fjalët e fundit që shkëmbejmë bashkë. Pas ndonjë gjysmë ore, vjen Fadil Daja në dhomën time duke bërtitur: – “Makso, vdiq Gimi”!
Dy minuta më pas, i bie me grushta derës së ambulancës. Policia nuk lejon asnjeri, të hyjë brenda. Del Dr. Drago me sytë e përlotur, Dr. Beni më përqafon:
– “Mbaroi Makso, mbaroi, ishte një reaksion rrufe i penicilinës, kortizonin ia bëmë në çast, por ai pat mbaruar”.
– “Më vdiq në dorë mua, – tha një nga mjekët e dënuar, Ylli Alibali – edhe pse e dija, që nuk i bënte reaksion penicilina, nga që ia kam bërë edhe herë të tjera, prapëseprapë injeksionin anti-reaksion, e mbaj gjithmonë gati. Sa i bëra penicilinën më tha: ‘Ylli, vdiqa’ dhe u nxi, u nxi, u nxi i tëri…! Tani është zbardhur dhe i ka hipur një nur…! Nuk mund ta shoh, më këputet shpirti, djali si yll, ngjan sikur fle, sikur fle ngjan”!
Edhe mjeku tjetër i dënuar, i miri Drago Vujosheviç, që u ndodh atje, tha të njëjtën gjë…!
Edhe mjekët ligjorë që erdhën nga Tirana, konfirmuan shkakun e vdekjes: reaksion nga penicilina. Pat ardhur edhe i ati i moshuar me djalin më të vogël. Për çudi, i lejuan të merrnin pjesë në varrim. E patën dënuar 10 vjet burg, mikun tim, sepse qe përpjekur të jetonte në një vend të lirë, por paskësh qenë dënim me vdekje…!
Kushtonte shumë në ato kohë, të ëndërroje të jetoje i lirë…!
Revolta e Qaf-Barit
Prej kohësh jam tunduar të shkruaj edhe unë dy rreshta për Revoltën e Qaf-Barit. I kam lexuar në kujtimet e mikut tim, Visar Zhiti, prandaj dhe nuk më është dhënë të shkruaj, për atë ngjarje. I kam lexuar dhe jam rrëqethur nga terrori i asaj dite të tmerrshme, më është dukur sikur, i jetoja edhe njëherë.
Janë vërtet çaste të rënda. Sado e rëndë, jeta e përditshme e të burgosurit politik, në kampet e shfarosjes të diktaturës hoxhiane, ngjarjet e revoltave në to ia kalojnë çdo përfytyrimi. Njeriu arrin të përshtatet me mundimet e përditshme, pajtohet me fatin e tij, me poshtërimet e vazhdueshme, deri atëherë kur e ndjen se thika, ka arritur në kockë, se nuk ka më asnjë shpresë, se vdekja, nuk është gjë tjetër, veçse shpëtim. Në këto çaste, arrin të kuptosh, se nuk je i vetëm këtu, se je i lidhur pazgjidhshmërisht, me të burgosurit e tjerë dhe ata me ty. I gjithë kampi, është një trup i vetëm, një mendje, një gojë e cila më në fund, rresht së ankuari dhe fillon ulërin:
– “Mjaft! Mjaft më! Nuk u nginjët duke na torturuar përditë, duke na shfrytëzuar si skllevër, me vite të tëra?! Mjaft më”!
Sytë erren, duart bëhen grushta, grushta që godasin policin, oficerin, që rrëmbejnë shokun e gjakosur, nga duart e atyre që e torturojnë. Është çasti kur shteti i “Dhunës së Kuqe” tregon fytyrën e tij të vërtetë, prej Vampiri. Shteti nuk shfaqet më me fytyrën e ndonjë polici, apo oficeri, që ndonjëherë edhe buzëqesh me ne; nuk shfaqet në fytyra të njoma ushtarësh, 18 vjeçarë, që nuk dinë se ç’të bëjnë, me ata mitraloz nëpër kullat e larta, prej druri!
Shteti vjen me helikopterë, vendin e ushtarëve 18 vjeçarë, e zënë oficerë 40 vjeçarë, që qëllojnë pa pushim me mitralozat e tyre, mbi kokat tona; shfaqet me surratin e ngërdheshur nga frika, të shefit të policisë, Edmond Caja, që shtie me pistoletën e tij dhe godet Kosta Gjordenin; vendin e fytyrave prej idiotik, të komandantit dhe komisarit të leshtë të kampit e, zë zv/ministri i Brendshëm. Në zërin e tij të çjerrë, mishërohet shteti komunist, që hungërron, që kërcënon, që mallkon, që vjell vetëm vrer e helm. Shteti të shtyp, shteti t’i bluan kockat, shteti të thyen në mes, ashtu si thyen heroin Sandër Sokoli…!
Megjithatë, nuk arrin të fshijë dot ngazëllimin tonë, kënaqësinë e arritur e aq të dëshiruar, kur shkelmojmë kapelet e oficerëve dhe policëve të tij; ato janë ende në kamp, të shkelura e të përdhosura, nga këmbët e të burgosurve. Mungon vetëm “Tarti”, qeni hero i Revoltës së Spaçit, që të pshurrë mbi ato kapele, që të dyja revoltat, të jenë edhe më të ngjashme.
Si për çudi, është edhe përvjetori i 11-të i Revoltës së Spaçit. Rastësi?! Për ne që vimë nga Spaçi, edhe në se nuk e kemi përjetuar vetë Revoltën e Spaçit, e ndjemë veten njësoj si mbartës të saj. Pasojat e asaj revolte dhe përvoja e shokëve, nuk lenë vend për të imagjinuar, se si përfundojnë këto revolta. E dimë se asgjë, nuk mund të arrihet me to! Gjakpirësve, nuk do t’u mjaftojë gjaku i atyre që do të pushkatojnë, do të duan edhe ca të gjallë, për t’i torturuar me nge, ngadalë…! E kuptojnë se nuk mund të na thyejnë dot dhe nuk mund të na pushkatojnë dot të gjithëve, si të paharruarit miqtë e mi; Tom Ndoja, Sokol Sokoli, apo i paharruari Sandër Sokoli, që e vdiqën në tortura, deri sa e këputën në mes!
Plumbat që u morën jetën atyre, i ndjejmë edhe ne në trupat tanë. Na dhemb të gjithëve trupi, nga plagët e torturave që u kanë bërë Dalip Zhabolit, Nuredin Skraparit, Petrit Bazellit, …! Më ndjeni miq që nuk i mbaj mend të gjithë emrat tuaj, që nuk i mbaj mend emrat e 500 të burgosurve, që ishin atë ditë në Qaf-Bar. Por dhe t’i mbaja mend, kjo nuk do të lehtësonte dhimbjen tuaj. Atë ditë u përpoq Dr. Drago dhe Dr. Beni, të pastronin dhe mjekonin ato plagë. Kur u dogj i gjallë ai fatkeq, në grevën e ish – të burgosurve më 2012, ato plagë u hapën përsëri. Kur vdiq vjet, Idajet Kaiku, pa marrë asnjë këst të dëmshpërblimit, ato plagë veç u mahisën më keq.
…Këto kujtoj unë nga Revolta e 22 Majit 1984 në Qaf-Bar. Lexoni Visarin, për të mësuar më tepër, klikoni në internet dhe do të gjeni edhe më shumë, madje të shkruara edhe nga njerëz që kushedi, ku ishin atë ditë, por jo në Qaf-Bar. Të dyja Revoltat e ndodhura në kampet tona të përqendrimit, kanë lindur që të dyja, nga rrahjet shtazarake, prej policëve. Dhe janë të vetmet Revolta politike, në të gjitha kampet e përqendrimit politikë në botë. Thonë se në kampet e përqendrimit naziste, njerëzit janë torturuar edhe më keq. Nuk di të ketë patur ndonjë revoltë të ngjashme, në ato kampe. Nuk kam dëgjuar për ndonjë revoltë të tillë, as në kampet sovjetike dhe të gjithë kampit komunist.
E pra, dhuna nuk ka qenë më e pakët, se në kampet tona. As policët e tyre, nuk kanë qenë aspak më të mëshirshëm, në tortura. Këtë desha të them, për Revoltën e Qaf Barit. Miku im, Visar Zhiti, kur u takuam në plazhin e Durrësit, para nja dy vitesh, më tregonte se ka një informacion, por të pakonfirmuar, se pas asaj revolte, në kampin e Qaf-Barit filluan të na hedhin një lloj helmi të veçantë, në ushqimin që gatuhej për ne. Ishte një lloj helmi i sofistikuar, që të na bënte më të prekshëm ndaj sëmundjeve, për të na afruar sa më shpejt, pa e kuptuar, vdekjen.
Secili prej nesh, është më i predispozuar gjenetikisht, ndaj sëmundjeve të ndryshme. Ai helm, duhej të na bënte dhe më të ndjeshëm, ndaj sëmundjeve vdekje-prurëse, si p.sh., diabeti, kanceri, sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive, etj. Në se kjo gjë është e vërtetë, Hitleri dhe Stalini, ngjajnë thjesht si adoleshentë rrugaçë, para ligësisë së pafundme dhe makabre të Enver Hoxhës. Megjithatë, edhe po të mos jetë e vërtetë kjo, figura e vampirë-Enverit, nuk do të zbriste asnjë shkallë më poshtë, nga vendi i kreut, që i ka siguruar vetes, në mes të diktatorëve më të egër, më të pashpirt, që ka njohur njerëzimi.
…Kur takova Dalip Zhabolin dhe Hajredin Fratarin, në vitin 2015 dhe po kujtonim ngjarjet e asaj Revolte, arrestimin e tij, torturat që hoqi për shkak të deponimeve të tij, se qe fajtore policia për shpërthimin e Revoltës së Qaf-Barit, Dalipi mendonte se; gjithçka qe organizuar, deri në hollësitë më të vogla, nga Sigurimi famëkeq, për të përligjur dhunën dhe pushkatimet që donin të kryenin në radhët tona. Dhe s’ka qenë e vetmja herë…! Memorie.al