BallinaTe tjeraHalil Teodori: Qemal Stafa, vrasja që u mbulua me mister!

Halil Teodori: Qemal Stafa, vrasja që u mbulua me mister!

Nga Halil Teodori

5 Maji, “Dita e Dëshmorëve”, lidhet pazgjidhshmërisht me vrasjen e Qemal Stafës, “Hero i Popullit”, me një nga ngjarje më kulmore, e cila la pas shumë dilema dhe dyshime. 5 maj 1942 u ngërthye nga një tis i trashë mjegulle, davaritja e së cilës mbeti pezull derikur regjimi diktatorial u rrëzua dhe disa të vërteta mund të thuheshin pa frikën e ekspeditave ndëshkimore të Sigurimit të Shtetit apo linçimet komuniste. Por jo gjithçka u tha edhe pse u fol dhe u shkrua shumë. Të vërteta bindëse apo pretendime të aluduara, vijuan të qarkullonin rreth kësaj vrasje të bujshem, pa mundur të sqarojnë plotësisht panoramën e zhvillimit të atyre ngjarjeve që çuan në vrasjen e Qemal Stafës. Edhe pse nuk kishte më asnjë rrezik, sërish frika dhe hezitimi, nuk lejoi që e vërteta të mbivendosej mashtrimit të gatuar në kuzhinën bolshevike të historiografiasë komuniste, e cila për fat të keq, sot edhe pas 33 vitesh demokraci vijon të bëjë ligjin.

Prologu

5 Maji është dita e dëshmorëve të atdheut, dita e kujtesës dhe mirënjohjes së atyre që dhanë jetën për liri, atyre që sakrifikuan gjithçka për ëndrrën e tyre të madhe, ëndërr që degjeneroi në një prej diktaturave më të egra të Evropës Lindore. Kjo datë, në themel të saj ka nderimin dhe përkujtimin e vdekjes së Qemal Stafës, idealistin 21-vjeçar që u sakrifikua trimërisht për bindjet dhe idealet e tij të pastra. Ndonëse kanë kaluar mbi 81 vjet nga ajo vrasje, nga ajo ngjarje në Tiranën nacionaliste, ku paradoksalisht u themelua Partia Komuniste Shqiptare më 8 Nëntor 1941, edhe sot vijojnë komentet, debatet, hamendësimet dhe versionet për autorët dhe shkaqet e vrasjes. Qemal Stafa një prej ishte figurave qendrore e zhvillimeve, por vrasje e tij, më saktë ekzekutimi, u vlerësua me rezerva ngase u deklarua nga autoritetet.

Biografia dhe familja për idealistin e madh.

Qemal Stafa lindi më 12 shtator 1921 në Elbasan. Prindërit e tij ishin, Hasan dhe Sabire Stafa. U rrit dhe u edukua në gjirin e një familje me tradita të larta atdhetare.

Familja e Qemal Stafës ishte origjinë ngaOkshtuni i Dibrës (Oreshnja). Të parët e tyre ishin vendosur në Zabzu dhe më vonë si rezultat i reprezaljeve serbe ne vitin 1913 jo vetëm në shehër Dibër por edhe në gjith fshatrat edhe në Zabzun, familja zhvendosur në Elbasan. Stafajt e Okshtunit janë një fis i dëgjuar në atë trevë dibrane. Familjet e tyre mbaheshin kryesisht me blegtori dhe bujqësi, si i gjithë Okshtuni. Sipas gojëdhënave, thuhet se familja Stafa mbarështonte mbi katërqind kokë bagëti të imta. Mbajtja në fshat ishte e pa mundur sidomos në stinën e dimrit. Edhe sigurimi i bazës ushqimore që kërkohej ishte pothuajse dy orë larg. Për këtë Stafët kishin ngrit stane në Zabzu. Kjo zonë ishte e përshtatshme për rritjen e bagëtive të imta. Dushku dhe bari i kullotave që kishte zona ishte rreth e përqark vendit ku vendosën ndërtimin e staneve. Është një vend ku bora gjatë dimrit i kalonte dy metra. Me kalimin e kohës vendosën që të ndërtojnë shtëpi guri rreth stanit. Kështu që një pjesë e familjes, u kujdes për blegtorin dhe gjysma tjetër u kujdes në fshatin Okshtun për mbjelljet e tokave bujqësore. Me kalimin e viteve dhe brezave filloi të krijohej një hendek që i ndau familjet. Edhe kjo për arsye se ishte një distancë e vështirë për tu menaxhuar rreth dy orë e gjysmë larg.

Si nisi rruga e dijes dhe idealeve të Qemal Stafës

Qemal Stafa mësoj shkrim e këndim në vendlindjen e tij Elbasan, dhe më vonë ju krijua e drejta për të studiuar në një nga gjmnazet më me zë të kohës, në Shkodër, atë “28 Nëntori”, ku kishin nxënë dhe vijonin studimet, ata që do të hynin në histori si personalitete dhe figura me rëndësi historike.

Qemal Stafa, që kur ishte nxënës në gjimnazin e Shkodrës, përqafoi idetë komuniste, mori pjesë në lëvizjen revolucionare të rinisë dhe u bë një nga drejtuesit e shoqërisë jashtëshkollore, “Besa Shqiptare”. Në Tiranë u lidh me Vasil Shanton dhe u organizua në Grupin Komunist të Shkodrës. Dha një kontribut të çmuar për ngritjen e celulave dhe përhapjen e ideve komuniste ndër të rinjtë dhe punëtorët. Në janar të vitit 1939, Qemali arrestohet dhe dënohet me burg nga gjyqi që regjimi i zogut organizoi kundër elementëve komunistë. Në gjyq Qemal Stafa, nga i akuzuar, u kthye në akuzues, duke deklaruar hapur, se ishte një komunist i vendosur dhe se vetëm komunizmi do t’i shpëtonte punëtorët nga shtypja dhe shfrytëzimi.

Në prag të pushtimit fashist arratiset nga burgu dhe merr pjesë si organizator në qëndresën antifashiste. Më pas vijoi përkohësisht studimet në Itali dhe pas kthimit në atdhe, u detyrua të kalojë në ilegalitet.

Talenti i tij i spikatur si krijues

Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me letërsinë, kulturën dhe artin përtej Shqipërisë së vogël, në Shkodrën e kryqëzimit të rrugëve dhe prurjeve, i riu Qemal Stafa zgjon në shpirt vullkanin krijues. Krijimtaria e tij letrare u takon kryesisht viteve të rinisë. Shkroi tregime, skica e vjersha, një pjesë e të cilave u botuan me pseudonimin “Brutus”, në shtypin e kohës. Radhitet ndër letrarët e viteve ’30. Në shkrimet e tij ai u ngrit kundër realitetit shoqëror të kohës, vuri në qendër njerëzit e thjeshtë që vuanin nga padrejtësitë shoqërore, dha portrete të luftëtarëve e të njerëzve me karakter të fortë që nuk mposhten nga vështirësitë e që luftojnë për një botë të re.

Në një varg shkrimesh me karakter publicistik, Qemal Stafa paraqiti haptazi idetë e tij revolucionare me pjekuri e bindje të thellë. Trashëgimi i tij letrar është përmbledhur në vëllimin “Qortimet e vjeshtës” botuar në vitin 1961.

“Qortimet e Vjeshtës” janë një rrugëtim i dritshëm krijues i tij. Në rreshtat e këtyre përsiatjeve, tregimeve dhe qëndrimeve thellësisht shpirtërore dhe idealiste, koha dhe letërsia shqiptare do të gjente tek ai një talent të jashtëzakonshëm, një zë të kumbueshëm, një personalitet të ardhshëm.

Idetë komuniste të një idealisti

Zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore në Shkodrën e atyre viteve, fryma idealiste që mbizotëronte në radhët e studentëve dhe intelektualëve shkodranë, literatura që qarkullonte, ambienti ku u rrit dhe u mëkua, shërbyen si një katalizator në vullnetin, idetë dhe veprimet e të riut Qemal Stafa. “Nëse Qemal Stafa u bë simbol i Lufta Nacional Çlirimtare, kjo erdhi si rezultat se partitë nacionaliste, si Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit, që nuk nxorën nga radhët e tyre heronjtë e nivelit si Qemal Stafa apo të Vojo Kushi, qoftë edhe të staturave më të vogla.” Shkruan gazetari Roland Qafoku në librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”. Si tek shumë të rinj, edhe tek ai lindën idealet e larta për liri dhe barzi shoqërore, të cilat do të ushqenin ambicien dhe formësonin egon për të kërkuar dhe gjetur mundësi për të bërë dhe dhënë më të mirën për atdheun. Dhe Qemal Stafa ishte prej atyre që besonte më shumë se asnjë në përmbushjen e këtyre idealeve, për të ardhmen e një shoqërie pa shtresime sociale dhe denigrime identiteti.

Historiani Kristo Frashëri për Qemal Stafën

Qemal Stafa kur ra dëshmor ishte vetëm 21 vjeç. Ai kishte një inteligjencë të jashtëzakonshme, thotë Kristo Frashri, aq sa vitet e fundit të gjimnazit, çdo vit kalonte dy klasë njëherësh. Kur mori dëftesën e maturës në gjimnazin e Tiranës zotëronte 5 gjuhë të huaja. Ajo që na habiste ne shokëve të tij, ishte se ai kishte përvetësuar me një punë këmbëngulëse edhe latinishten. Jo vetëm për nga gjuhët, por edhe për nga kultura e përgjithshme, ai shquhej mbi të tjerët. Kishte kulturë klasike dhe moderne. Gjuhët që njihte e ndihmonin të lexonte veprat më të fundit që botoheshin në Francë dhe në Itali. Ai kishte edhe një veti që shquhej mbi të tjerët, ishte trim në të dy kuptimet. Trim edhe në fushën politike, trim edhe në jetën sociale.

Ballfaqimi i parë me pikëpamjet e tij komuniste

Qemal Stafa, si identitet social dhe politik, u bë i njohur për publikun në shkurt të vitit 1939. Ishte vetëm 19 vjeç kur doli para gjyqit politik së bashku me 70 të rinj të tjerë, të cilët akuzoheshin si komunistë. Gjyqi zhvillohej në sallën e ndërtesës së Bashkisë së kryeqytetit, e cila ndodhej (sot e shembur) në sheshin “Skënderbej”. Gjatë seancave gjyqësore disa nga shokët e tij e kundërshtuan akuzën, duke ngulur këmbë se nuk ishin komunistë. Kur u pyet nga prokurori, Kiço Visha, nëse ishte apo jo komunist, Qemal Stafa u përgjigj në mënyrë dinjitoze: Kam qenë dhe jam komunist, sepse kam bindje të thellë se komunizmi do të shpëtojë vendin tonë të varfër nga padituria dhe mjerimi.

Atëherë idetë komuniste në Shqipëri njiheshin në mënyrë të mjegullt. Megjithatë, fjalët e Qemal Stafës u pritën me simpati, jo për idetë komuniste, por për kurajën që pati, të shpallte haptazi idetë e tij, të cilat e dinte mirë se do të kishin një çmim të lartë.

Qemal Stafa u tha se ishte me të vërtetë komunist, sepse ai mori pjesë në themelimin e Partisë Komuniste më 8 Nëntor 1941 duke u zgjedhur edhe anëtar i Komitetit Qendror të saj. Në këtë organizim ai u ngarkua me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të saj, të Organizatës së Rinisë Komuniste, e cila u formua më 23 nëntor 1941. Me 8 prill 1942 mori pjesë në mbledhjen e jashtzakonshme që orgonizoi Enver Hoxha për përjashtimin disa krerve ish themelues të P.K.Sh. Në këtë konferenc Qemal Stafa nuk ishte dakord me përjashtimet dhe i quajti ata të pa drejta. Njëkohësisht Qemal Stafa dënoi prezencën e të deleguarve të P.K. Jugosllave në konferncë.

Jeta e tij politike dhe frekuentimet e elitës

Ai adhuronte elitën intelektuale të asaj kohe, e cila anonte nga idetë humane të majta. Nuk mund të thuhet se çfarë do të ndodhte me të, po të mos kishte rënë dëshmor, mbasi jeta e tij u ndërpre më 5 maj 1942, kohë kur Partia Komuniste, nuk kishte në program vendosjen e diktaturës së proletariatit, por rimëkëmbjen e pavarësisë së humbur dhe vendosjen në Shqipëri të regjimit demokratik popullor. Nuk ka fallxhor në botë që të thotë se çfarë do të ndodhte me të pas luftës kur në Shqipëri u vendos diktatura staliniste. Historia ka të drejtë të flasë për të derisa ai ra dëshmor në luftën për çlirimin e atdheut dhe për vendosjen e një regjimi demokratik. Natyrisht që Qemal Stafa nuk mund të mbajë përgjegjësi për ato që ndodhën në Shqipërinë e pasluftës.

Disa të vërteta të vrasjes së Qemal Stafës

Ata që nuk e dinë, le ta mësojnë se më 5 maj 1942, i rrethuar nga 200 milicë dhe me një pistoletë dhe dy bomba në dorë, shkruan në librin e tij, Roland Qoku, se Qemal Stafa në ato momente kishte dy rrugë: ose të arratisej, ose të vritej. Kishte shumë pak mundësi me të parën, rrjedhimisht ndodhi e dyta. Ishte ora 09.35. kur baza në Tiranë ku strehoheshin ai dhe 6 persona të tjerë u zbulua dhe të gjithë dolën nga prapa banesës me synimin për t’u larguar. I pari kishte dalë nga shtëpia Isuf Keçi për të marrë disa materiale, por kur u kthye gjithë e lagjja ishte me policë dhe shtëpia ishte e rrethuar. I dyti kishte dalë Beqir Minxhozi, por befas ai ishte arrestuar. Në xhep i kishin gjetur kontratën e shtëpisë që kishte marrë me qira dhe emrat e atyre që strehoheshin. Bashkë me të arrestuarin policia arriti të gjejë shtëpinë dhe e rrethoi atë. Sapo nisi beteja mes tij dhe milicëve ai u plagos dy herë në këmbë. Ashtu çalë-çalë rendi të largohej nga pas shtëpisë ku terreni ishte i hapur me disa ara. Arriti të kalonte tre prej tyre, por në këtë moment u gjet nën breshërinë e plumbave të milicisë, të cilët e vranë. Menjëherë pas vrasjes makinat daktilograke në polici punuan pa pushim. Në njoftimin që kuestori Pandeli Papalilo i dërgonte menjëherë pas ngjarjes Zyrës Mbretërore të Policisë dhe Kuesturës së Tiranës shkruhej:

“Rreth orës 14 të datës së sotme (5 maj 1942), gjatë një operacioni të papritur në një shtëpi që ndodhet në rrugën Lumi, në afërsi të kolegjit muhamedan (medresesë)… agjentët kanë hasur në rezistencë nga ana e disa personave që u orvatën të iknin për t’i shpëtuar arrestimit. Janë hedhur kundër agjentëve tri bomba dore të gjitha eksplodonjëse dhe janë zbrazur shumë fishekë revolveri… Agjentët janë përgjigjur me armë duke vrarë komunistin Qemal Stafa, i të ndjerit Hasan dhe Sabire, lindur në Elbasan më 12.9.1921, student”.

Dilemat e vrasjes së Qemal Stafës

Enver Hoxha akuzoi Zef Ndojën si njeriun që spiunoi Qemal Stafën. Ndoja, një i ri komunist nga Shkodra, ishte në burg kur Qemali u vra. Më pas doli partizan, por me një urdhër të Hoxhës u pushkatua nga partizanët si spiun i Qemal Stafës, në fshatin Priskë të Tiranës, në shtator të vitit 1943.

Beqir Minxhozi mbante në xhep kontratën me adresën e shtëpisë që ishte marrë me qira, e cila ishte marrë që prej tri ditësh. Si ka mundësi që vonesa e Beqirit nuk krijoi shqetësim tek ilegalët komunistë që ishin në shtëpinë e tij. I vetmi shqetësim nisi pas më shumë se 1 orë nga vonesa e tij, një detaj i habitshëm ky.

Si ka mundësi që nga 7 personat që ishin në atë shtëpi vetëm Qemal Stafa mbeti i vdekur? Si ka mundësi që pas kësaj ngjarje 6 personat e mbetur gjallë nuk u takuan kurrë me njëri-tjetrin?

Për një kohë të gjatë familja e Qemal Stafës u la në harresë. Nga njëra anë ai u shpall Hero i Popullit dhe kujtohej me nderime, nga ana tjetër familja nuk mori asnjë privilegj që i takonte. Gjithashtu, familja e Qemal Stafës nuk e mori kurrë pensionin e dëshmorit?.

Epilog

Qemal Stafa, padyshim se ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Komuniste në veçanti dhe të zhvillimeve të asaj kohe. Enver Hoxha, i cili kishte shfaqur pretendime të mëdha për të çimentuar veten në krye të të gjitha zhvillimeve, nuk mund të pranonte të kishte njom figurë si ajo e Qemal Stafës për t’i rrezikuar karrierën dhe pretendimet e tij. Historiagrafia komuniste ka qenë e kujdesshme për të fshehur çdo fakt dhe asgjësuar çdo të vërtetë rreth vrasjes së Qemal Stafës, e cila më shumë se si një vrasje nga milicia, ai ra viktimë e një kurthi të mirëmenduar. Me vdekjen e tij Enver Hoxha do ta kishte më të lehtë të përmbushi ambiciet e tij politike. Karriera e tij, siç edhe u vërtetua në vitet e diktaturës hoxhiste, u përshkua e gjitha me vrasje dhe eliminime të eksponentëve të rëndësishëm, të cilët i rrezikonin atij egon e pushtetit. Vrasja e Qemal Stafës ndodhi pothujse direkt mbas konferencës së jashtzakonshme të P.K.Sh. mbajtur me 8 Prill 1942?

May be an image of 1 person

All reactions:

44Halil Teodori, Sakip Cami and 42 others

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular