KLGJ ka caktuar 3 muaj mbrojtje të posaçme për gjyqtaren Arnisa Këlliçi, e cila ka deklaruar se është kërcënuar me jetë ajo edhe familja e saj.
Gjyqtarja më anë të një kërkese drejtuar KLGJ, tha se letra që i ishte dërguar, përmbante të dhëna kërcënuese dhe ajo kërkonte mbrojtje të posaçme.
Sipas gazetares Klodiana Lala, mbrojtja e posaçme nga garda e republikës është miratuar për një afat kohor 3 mujor me të drejtë rishikimi në fund të këtij afati.
Kërkesa e gjyqtares
“Sot me date 20 janar 2024 me ka ardhur një letër cenuese qe me aq sa mund te deshifroj përmban kërcenim për mua, fëmijët e mi dhe familjen time. Unë nuk mund te atestoj ne asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre. Thënë kjo për çdo eventualitet unë kërkoj mbrojtje te posaçme për aq sa ju e shihni te nevojshme”– thuhet ne letrën e gjyqtares Këlliçi.
Zanafilla duket se lidhet me një kallëzim që kancelari i gjykatës së Tiranës ka bërë në prokurori për një prokuror. Incidenti i rëndë dyshohet të ketë ndodhur pak ditë më parë, kur kancelari është telefonuar pas mesnate disa herë nga një prokuror, identiteti i të cilit nuk konfirmohet dhe në kushtet kur kancelari se ka ngritur telefonin, ai ka nisur ta kërcënojë përmes mesazheve.
Ndodhur përpara një situate të tillë, kancelari e ka telefonuar prokurorin mbrapsht, për të kuptuar arsyet se përse ai i dërgonte mesazhe të tilla, kërcënuese dhe fyese. Burimet konfirmojnë se përmes celularit të bashkëshortes, ai e ka regjistruar telefonatën kërcënuese me prokurorin.
Në bisedë e sipër, prokuroria ka përfshirë edhe emrin e një gjyqtareje, duke e kërcënuar po ashtu se do ta vriste.
Krahas kallëzimit penal kancelari ka vënë në lëvizje dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, duke kërkuar procedim disiplinor ndaj prokurorit, për thyerje të rëndë të etikës profesionale.
Burimet janë tejet të rezevuara për të dhënë shpjegime në lidhje me rastin, për faktin se të gjithë personat e përfshirë janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Sakaq, gjyqtarja do të merret në mbrojtje nga policia derisa të mblidhet komisioni i posaçëm për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.