BallinaOP ED“Rithemelimi’’, bashkim pa parime dhe pa interesa të njëjta

“Rithemelimi’’, bashkim pa parime dhe pa interesa të njëjta

spot_img
spot_img

Nga Ervis Iljazaj
Duke qenë se disa deputetë të Rithemelimit janë bërë bashkë, kryesisht deputetët që mbështesin Berishën dhe deputetë të cilët konsiderohen mbështetës të Gazment Bardhit, këtë gjë shumë prej tyre e quajnë bashkim të opozitës.

Në fakt, do të kishte kuptim të flitej për bashkim të opozitës nëse bashkohej Basha me Berishën, të cilët aktualisht janë të vetmit që kanë vota brenda të djathtës shqiptare. Të tjerët, janë disa deputetë që për momentin gjenden aty, por askush prej tyre nuk ka mbështetës në elektorat.

Kështu që të flasësh për bashkim kur elektorati i djathtë nuk është i bashkuar dhe është i ndarë në berishist dhe jo berishist (i cili përfaqësohet nga Lulzim Basha), është një sforco e madhe që nuk ka lidhje me realitetin politik, por thjesht me realitetin personal të individëve të caktuar, që fati i ka sjellë të jenë deputetë dhe që nuk përfaqësojnë asgjë politikisht.

Në këtë kuptim, ‘’bashkimi’’ që e promovojnë kaq shumë, nuk është gjë tjetër një bashkim i disa njerëzve për interesat e tyre personalë dhe jo një bashkim politik. Megjithatë, edhe në këtë lloj bashkimi të sforcuar, duket qartë se të gjithë ata deputetë që sot e konsiderojnë veten bashkë, nuk kanë parime e qëndrime të njëjta, e madje as interesa të njëjta.

Për shembull, shumë deputetë që i janë bashkuar Sali Berishës shprehen publikisht se nuk duan të bëjnë luftë me Amerikën apo të sulmojnë SPAK-un. Këtë gjë e kanë bërë të qartë në intervistat e tyre publike por edhe në mbeldhje private.

Ndërkohë që Sali Berisha vetë dhe mbështetësit e tij e konsiderojnë organin e ri të drejtësisë si një organizatë kriminale, dhe prej kohësh kanë një retorikë publike të ashpër ndaj Ambasadës Amerikikane, ndaj punojsëve të Deprtamentit të Shtetit e të gjithë atyre që merren me punët e Shqipërisë, pasi i kanë shpallur liderin non-grata. Dhe kjo është një ndarje e madhe brenda atij ‘’bashkimi’’ .

Zakonisht kur bashkohesh në një formacion politik e bën sepse ndan qëndrime të njëjta, parime të njëjta dhe vizione të njëjta. Dhe këto qëndrime brenda bashkimit nuk janë aspak të tilla. Se si mund të bësh pjesë në një formacion politik ku disa e quajnë SPAK organizatë kriminale dhe disa të tjerë nuk duan ta bëjnë luftën kundër tij, është e pakuptueshme politikisht. Se si mund të jesh pjesë e të njëjtit formacion kur disa sulmojnë Amerikën çdo ditë dhe të tjerë publikisht e konsiderojnë veten pro amerikan, edhe kjo është e pashpjegueshme dhe nuk ka asnjë logjikë politike.

Qëndrimet ndaj SPAK, qëndrimet ndaj aleatit më të rëndësishëm të Shqipërisë, ShBA-së, duhet të jenë në fakt vija ndarëse për aksionin politik. Vija ndarëse që për ‘’bashkimin’’ nuk duken aspak të tilla. Pa asnjë logjike politike, edhe pse kanë mendime kaq të ndryshme ndaj këtyre dy çështjeve themelore, përsëri thonë se janë të bashkuar.

Jo vetëm kaq, por ky bashkimi i disa deputetëve, të cilët ata e quajnë bashkim të opozitës, përveç parimeve duket sikur nuk kanë as interesa të njëjta.
Shumë prej atyre duan të trashëgojnë elektoratin e Sali Berishës, sepse mendojnë që koha e tij politike ka mbaruar. Disat ë tjerë mendojnë se Berisha duhet të vazhdojë të udhëheqë opozitën pasi është lideri i përjetshëm i saj. Në këtë bashkim, pra, bëhen bashkë karriera të ndryshmë, ambicie të ndryshme dhe interesa të ndryshme,

Kjo gjë u pa qartë dje në mbledhjen e grupit parlamentar të tyre. Në atë mbledhje kishte vizione të ndryshme për aksionin opozitar, për qëndrimin ndaj çështjes së Sali Berishës, për lidershipin e Rithemelimit e shumë çështje thelbësore.

Nuk ka asgjë të keqe që brenda një formacioni politik të ketë mendime të ndryshme, por jo për çështje thelbësore parimesh dhe vizionesh. Nëse këto janë të ndryshme, atëherë s’ka kuptim të qëndrosh brenda një partie politike. Me sa duket, e vetmja gjë që i bashkon, është lufta ndaj Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike zyrtare. Kur edhe kjo luftë të mbarojë, sepse nuk do të zgjasë pa fund, ky formacion politik do të jetë në krizë ekzistenciale dhe do të shuhet shumë shpejt.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular