BallinaKryesoreSot një ditë historike për Maqedoninë e Veriut dhe shqiptarët që jetojnë...

Sot një ditë historike për Maqedoninë e Veriut dhe shqiptarët që jetojnë aty

spot_img
spot_img

Nga Arben Çejku (Opinionist, ish-ambasador)
Sot është një ditë historike për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë aty.

Për herë të parë në historinë e këtij shteti, Presidenti i dha dekretin për formimin e qeverisë së re (të përkohshme) një politikani shqiptar, i cili vjen nga radhët e BDI-së. Ky akt nuk theu vetëm një tabù në RMV, por krijoi një precedent pozitiv për të ardhmen, kur një kryeministër shqiptar të mos jetë vetëm i përkohshëm, por të ketë një mandat të plotë qeverisës.

Zoti Talat Xhaferri, i cili udhëhoqi me sukses Parlamentin e RMV, tashmë prej datës 28 Janar dhe deri në formimin e qeverisë së re, (që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit) do të drejtojë qeverinë si Kryeministri i parë shqiptar, ashtu siç ishte edhe Kryetari i parë i Parlamentit të RMV.

Drejtimi i qeverisë nga një shqiptar, përbën një hap të madh përpara në drejtim të demokratizimit të mëtejshëm të RMV-së, rritjen e besimit ndëretnik dhe europianizimit të saj, ashtu sikundër përbën një arritje tjetër të konsiderueshme të përfaqësimit politik të shqiptarëve atje.

Natyrisht ka ende shumë punë për zbatimin e plotë e të qëndrueshëm të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001!

Vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëjetesës ndëretnike dhe në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik!

Koha ka treguar se dialogu, kompromiset dhe bashkëpunimi i mirë me fqinjët e kanë ndihmuar më shumë RMV, sesa tensionet e saj të brendshme ndër-etnike dhe mungesa e dialogut me vendet fqinje për çështje e tema të caktuara!

Marrja e përgjegjësive të barabarta institucionale nga të gjitha etnitë e sidomos nga shqiptarët, ka qenë një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe, në çdo sukses të saj kanë meritë jo vetëm partitë politike shqiptare, por edhe ato të etnive të tjera. Dialogu dhe bashkëpunimi mbeten rruga e vetme që siguron bashkjetesën ndëretnike dhe të ardhmen progesiste të RMV!

Shqiptarët në këto dekada treguan se dinë të marrin e të mbajnë përgjegjësi institucionale dhe nuk janë aty si qytetarë të dorës së dytë, por kontributor dhe garanci për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e vendit. Prandaj edhe sot, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre politikë, përfshi edhe Kryeministrin e ri, zotin Talat Xhaferri, shqiptarët në RMV duhet të mbështesin arritjet e deritanishme dhe të shkojnë përpara më të bashkuar mes tyre, pavarësisht disa dallimeve, sepse kështu do të kenë një përfaqësim më të plotë dhe më të mirë në parlamentin e ri.

Vota e lirë ka qenë dhe mbetet një nga garancitë kryesore për ardhmërinë e vendit dhe si e tillë ajo duhet të gatantohet nga të gjithë.#

Kam besim se eksperienca politike dhe administrative e Kryeministrit Talat Xhaferri, do ta ndihmojë atë në përmbushjen e deryrave kryesore të qeverisë që do të udhëheqë. Por bashkë me të, çdo shqiptar duhet të ofrojë kontributin e tij, me qëllim që këto tre muaj, të bindet edhe skeptiku më i madh se shqiptarët në RMV janë kontributor dhe garanci për stabilitetin dhe progresin e vendit. Pavarësisht rezultateve, zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale në RMV, kanë rëndësi për standartin që ata do të kenë. Prandaj qeveria e re me në krye zotin Xhaferri duhet të përmbushë pritshmërinë e qytetarëve të saj për zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme duke kontribuar kështu për një Maqedoni demokratike dhe europianiste!

Suksese Kryeministrit Xhaferri dhe gjithë bashkpunëtorëve të tij!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular