Komisioni Europian i është përgjigjur Athinës zyrtare në lidhje me çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i arrestuar për blerje votash vitin e kaluar.
Eurodeputetja greke Anna-Michel Asimakopoulou u kundërshtua ashpër nga zyrtari i Lartë i Komisionit Europian Thomas Hagleitner, kur tha se çështja ‘Beleri’ është një çështje europiane.
“Ne nuk mund të komentojmë mbi hetimet që vazhdojnë por, ne kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë thirrje që procesi te jetë i rregullt. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të mbështesim SPAK-un, strukturën kundër krimit të organizuar.”, tha Hagleitner, Shefi i Njësisë përgjegjëse për Politikat dhe Strategjinë Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Fqinjësia dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian.
Eurodeputetja dhe përfaqësuesja e shtypit e Eurogrupit të ND Anna Michel Asimakopoulou, e cilësoi rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Heimarrës, Fredi Beleri, si “evropian ”, gjatë debatit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për situatën politike në Shqipëri.
Asimakopoulou deklaroi se “të hënën është dhënë një shtyrje e dytë për çështjen e Fredit Beleri dhe shtyrja ka të bëjë me kërkesën e tij për të marrë leje për t’u betuar, siç kërkohet nga respektimi i prezumimit të pafajësisë”.
Asimakopoulou theksoi se “këtë e kërkoi edhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, jo sepse Fredi Beleri i përket pakicës etnike greke të Shqipërisë, por sepse është një rast evropian i respektimit të shtetit të së drejtës. në një vend kandidat për anëtarësim”.