BallinaOP EDA rrezikon SPAK-u të përfundojë si procesi “Duart e pastra” në Itali?!

A rrezikon SPAK-u të përfundojë si procesi “Duart e pastra” në Itali?!

spot_img
spot_img

NGA SPARTAK TOPOLLAJ 

Shumë burra të mëdhenj shteti në botë, me reputacion dhe rol ndërkombëtar të mirënjohur, nuk u kanë shpëtuar dot përplasjeve me autoritetet e drejtësisë në vendet e tyre dhe me, apo pa të drejtë, ata janë akuzuar, hetuar, apo edhe gjykuar, por asnjëri prej tyre, kurrë nuk përfundoi i arrestuar, në shtëpi apo në burg!

Kështu, Kancelari gjerman Helmut Kohl, Presidenti francez Zhak Shirak, Kryeministrat italianë; Xhulio Andreotti e Silvio Berluskoni, e së fundmi, edhe vetë Presidenti i 45 amerikan, republikani Donald John Trump, (1947), për të mos shkuar edhe te Presidenti i 46 aktual i SHBA-ve demokrati Xho Bajden (Joseph Robinette Biden, jr. 1942) djali i të cilit, Hunter, ka disa akuza, që me apo pa dashje, implikojnë edhe babain president!

Shumë prej akuzave ndaj tyre ishin edhe të rënda (kryesisht korrupsion për partitë e tyre politike gjatë fushatave elektorale, apo korrupsion personal)! Kështu, katër herë rresht Kancelar i Gjermanisë në 16 vite (1982-1998), njeriu që bashkoi Republikën Federale Gjermane me Republikën Demokratike Gjermane, i gjashti Kancelar i Gjermanisë së pas Luftës II Botërore, Helmut Josef Michael Kohl, (1930 – 2017) në fund, u hetua për një sponsorizim prej 300.000 DM, nga miku i ngushtë i tij, Leo Kirch (1926-2011), një manjat i mediave televizive! Presidenti i 22-të i Francës, Zhak Shirák (Jacques René Chirác, 1932- 2019), dy herë President i saj, 7 + 5, 1995-2007, u akuzua dhe u hetua për 2.2 milionë euro, pranuar si sponsorizim nga partia e tij, prej të cilave 550.000 euro për Shirakun! Odiseadë juridike patën edhe dy kryeministrat italianë, Xhulio Andreotti (Giulio Filippo Andreotti, 1919-2013) dhe Silvio Berluskoni (Silvio Luigi Berlusconi, 1936-2023).

I pari, Andreotti pra, 7 herë kryeministër në 2652 ditë apo 7 vite, 3 muaj dhe 7 ditë, si edhe 34 herë ministër në qeveritë e pasluftës! Këta dy të fundit, pata fatin privilegjin dhe nderin t’i takoj personalisht, gjatë viteve që shërbeva si shef i Misionit Diplomatik Shqiptar, në Milano-Itali (Konsull i Përgjithshëm). I dyti, i njohur si “Kavalieri”, mbetet Kryeministri më jetëgjatë në historinë e Italisë Republikane, 3339 ditë (vetëm Mussolini dhe Giolitti ia kalojnë, por ata i përkitnin Italisë Monarkiste).

Andreotti superinteligjent, që i kishe fjalët me para dhe Berluskoni, pragmatist, intuitiv e improvizues i rrallë! Andreotti i përkiste “Trekëndëshit barabrinjës” të Demokracisë Kristiane Italiane, së bashku me Alcide de Gasperin (Alcide Amedeo Francesco de Gasperi, 1881-1954 europianist i madh, bashkëthemelues i Europës së Bashkuar, me Konrad Adenauerin, Robert Shumanin dhe Pol Anri Spaakun) si edhe Aldo Moron (Aldo Romeo Luigi Moro, 1916 – 1978, rrëmbyer për 55 ditë, e më pas, vrarë pabesisht në mënyrë kriminale nga terroristët e “Brigate Rosse”, komunistë ekstremistë, më 8 maj 1978!). Andreotti u akuzua së pari si njëri që nuk foli, edhe pse dinte, për vrasjen nga mafia të Presidentit të Siçilias, Piersanti Mattarella, (vëllai i Presidentit aktual italian, Sergio Mattarella), më 6 janar 1980, akuzë si gjithë të tjerat; për lidhje me Mafian dhe urdhërues vrasjesh, që në të vërtetë ranë të tëra?!

Ai luajti rol të madh në realizimin e kompromisit historik mes forcave politike të djathta e të majta, për shpëtimin e Italisë! Akuzat e fundit ndaj tij, ishin ato për rolin e tij në vrasjen nga Mafia, të gjykatësve të famshëm e të guximshëm, Falkone e Borselimo, asnjëherë të vërtetuara! Ai u bë Senator i përjetshëm dhe madje provizorisht, edhe kreu i Senatit italian! Silvio Berluskoni, themelues i ‘Forza Italia’, biznesmen i fuqishëm, manjat i mediave dhe politikan “fuori seria”, ishte tejet i suksesshëm! Edhe ai u akuzua pafundësisht nga prokurorët dhe gjykatësit e njohur, si të procesit “Duart e Pastra”, ose “Mani Pulite”, të “njohur edhe si të “Tanxhentopolit”, të tipit Di Pietro, Borreli, Kolombo dhe Ilda Boçassini…!

Prokurorët e “Duarve të Pastra”, goditën sa majtas dhe djathtas, si Kraksin, Martellin, De Mikelisin, apo Bossin, Berluskonin etj., etj. dhe pati një numër të madh vrasjesh apo vetëvrasjesh të personave VIP të politikës, parlamentarizmit, mediave apo biznesit! Gradualisht prokurorët dhe gjykatësit e majtë të “Duarve të Pastra” u përqendruan te goditja ndaj Berluskonit, duke e katandisur luftën ndaj tij, deri te “Çështja Rubi”, dhe mbrëmjet “Bugi–Vugi”! Ministri Ferrara, sulmoi me fakte gjykatësit tendenciozë të POOL! Më pas, Di Pierto gaboi rëndë dhe kjo iu kthye në bumerang, teksa formoi parti politike, nga ku në zgjedhje, mori rezultat gati të papërfillshëm! Berluskoni ndëshkohet me disa orë punë në komunitet, por do ta shlyente shpejt atë dhe do të rizgjidhej në krye të Polit të Lirisë! Pas vdekjes së tij, në krye të Partisë erdhi Antonio Tajani, i cili është edhe nr.2 i Qeverisë së Koalicionit të djathtë, me dy partitë e tjera, të znj, Meloni në krye (“Fratelli d’Italia” + “Lega Nord”, e Salvinit).

Aktualisht, Italia që po rrezikonte të shndërrohej në “Republikë të Prokurorëve”, tani i ka lënë në margjinat e shoqërisë ata dhe atyre po iu harrohen emrat! Këtu te ne, pra në Shqipëri, mund të kujtojmë, që Reforma në Drejtësi u votua nga 140 deputetë të Kuvendit, rast ky gati unikal në vendet ish-komuniste dhe këtë, sidomos SPAK-u, duhet ta vlerësojë dhe respektojë, duke mbajtur qëndrim të drejtë, të paanshëm dhe të pavarur, sidomos në dosjet dhe gjykimet për çështje që lidhen edhe me politikën, apo mes pushtetit dhe opozitës, apo ndaj personave politikë, të të dy krahëve!

Deri më tani, SPAK-u, nuk ka lënë rast pa humbur, për të treguar devocionin ndaj pushtetit aktual qeverisës, skandalet korruptive të të cilit s’ka kandar t’i mbajë! E bukura është se në SPAK mund të të thonë jo pa ironi, që “ne përdorim peshore farmacie, kur japim drejtësi”! Por a është e vërtetë kjo?!

Tashmë dihet, se si rrufe në qiell të hapur ra mbi shqiptarët lajmi paradoksal, se Departamenti Amerikan i Shtetit, kishte vendosur të shpallë liderin historik të demokratëve, dy herë President dhe dy mandate kryeministër, prof. dr. Sali Berishën, si “persona non grata”! Amerika e madhe demokratike, jo vetëm s’e kishte bërë këtë me figurat më të urryera shqiptare të regjimit diktatorial, ish-anëtarë të Byrosë Politike të PPSH-së, kriminale, por as edhe me hierarkët famëkëqij të Ministrisë së Punëve të Brendshme, (funksionarë dhe titullarë të lartë të Sigurimit të Shtetit), të akuzuar pas viteve ’90-të, deri për gjenocide, madje shumëve prej tyre, iu dhanë edhe pasaporta amerikane, me gjithë familjet?!

Padurimi orgazmik i Edi Ramës, për të shfaqur urrejtjen patologjike ndaj Berishës, që udhëhoqi revolucionin demokratik, i cili përmbysi pushtetin gati 50-vjeçar të etërve të tij, nxori zbuluar, madje komprometoi rëndë skenarin “sorosiano – edvinian” antiberishë, kur shumë më parë se DASH-i ta shpallte Berishën “persona non grata”, nga podiumi i sallës plenare të Kuvendit, Edi Rama, iu drejtua atij me ton triumfal, me pyetjen: “Sali, e kalon dot ti, oqeanin”?! Pse duhet ta dinte Rama këtë më parë se ky vendim të bëhej publik prej Sekretarit amerikan të Shtetit, Blinkenit?!

Mos vallë gjyshi Xhorxh Soros, ky kryespekulant famëkeq, që prindërit e sekretarit Blinken, i kishte dy nga drejtorët më të rëndësishëm të Fondacionit, kishte dorë në kurdisjen e këtij skenari bashkë me Ramën, kur miqësia e tij dhe e të birit Aleks, me Edin, ishte e njohur publikisht?! Berisha me Azem Hajdarin dhe Gramoz Pashkon, ishin ftuar qysh më 1991-in në Kongresin Amerikan dhe po ky Berishë, mbetet i vetmi lider nga Shqipëria, i ftuar dhe i pritur zyrtarisht me ceremonial, në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, nga Presidenti i madh republikan, Bush, senjor dhe nga Presidenti tjetër i madh demokrat, Klinton!

Ishte po Berisha, tashmë kryeministër, që ftoi dhe realizoi për herë të parë në histori, vizitën e njeriut më të fuqishëm të Botës, Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh W. Bush (JR.), të cilit, para se të vizitojë një shtet, i vihen mbi tavolinë të Zyrës Ovale, aty pranë oxhakut, tre informacionet më të hollësishme, se cili është personaliteti politik shtetëror që e fton! Dhe Bushi, jo vetëm pranoi ta bëjë vizitën historike në Tiranë, por me krahun mbi supet e Berishës, deklaroi: “Shqipëria në NATO, Kosova e pavarur, shqiptarët pa viza”!

Por ja që, edhe pse tetë vite në opozitë, djallëzori dinak, dhelpra plakë, Soros, bashkë me Blinkenin, diplomatët sorosianë në DASH, e patjetër Ramën, kurdisën skenarin e ndyrë dhe vajtën e gjetën një farë Çarls McGonigal, drejtor Kundërzbulimi i FBI për Nju Jorkun, ujk i vjetër punësh të pista, i shkollës së proverbialit pervers në krye të FBI, John Edgar Hoover, i cili qëndroi në krye të saj, për plot 37 vite (1935-1972) me 7 Presidentë!

Por Sorosi dhe sorosianët nuk janë Amerika!

Vetë FBI-ja zbuloi se McGonigal, ky superagjent i degjeneruar e i degraduar, pijanec, drogaxhi dhe imoral, kishte tradhtuar betimin e FBI-së, familjen e tij dhe vetë Amerikën! Me ndihmën e një prej të dashurave të tij, që e denoncoi, zonjusha Guterrez, ai u filmua teksa merrte në një garazh makinash nga një emigrant shqiptar, ish-operativ i Sigurimit të Shtetit deri në vitin 1991, 225.000 $ “borxh”?!

McGonigal u arrestua dhe pranoi para gjykatëses Colleen KollarKotelle, madje duke qarë, i penduar dhe pasi kërkoi ndjesë që kish tradhtuar, pohoi, se; kish punuar dhe lobuar që DASH-i, të shpallte ‘non grata’ një oligark rus, rival i oligarkut tjetër rus, Oleg Deripaska, që e kish paguar me miliona dollarë! Tani më 16 shkurt, McGonigal ka gjyqin e dytë që lidhet me Shqipërinë, ku do sqarojë miqësinë haptas korruptive me Edi Ramën dhe ku më e pakta, do të dënohet me 50 muaj burg, favorizuar nga bashkëpunimi me drejtësinë amerikane! Lidhur me sa më sipër, shtrojmë disa pyetje të thjeshta, që lindin natyrshëm: Ç’mund ta lidhë një kryeministër, me një agjent?! Si mund ta presë katër herë këtë agjent një kryeministër, jashtë rregullave dhe normave të protokollit zyrtar?! Pse mungonte në këto takime, shefja e Shërbimit Sekret Shqiptar?!

Rregullat e rrepta të institucionit, detyrojnë regjistrimin e takimit me zë dhe figurë, si edhe të mbahet protokoll me shkrim apo stenogram dhe nëse po, a janë këto në Kryeministri?! Po SPAK-u, a di gjë për këtë megaaferë Rama-McGonigal, kopje edhe më e shëmtuar se ajo Deripaska-McGonigal! Sa vite i duhen SPAK-ut, të hetojë disa nga dosjet e bujshme të megakorrupsionit qeveritar, që janë mykur e po kalben sirtarëve të disa eunukë-prokurorëve, si ato të koncesioneve, (kryesisht të Shëndetësisë) PPP, Tenderat e mëdha, lejet për kulla, si psh., ato që futën në rrënjë katrore, deri edhe Sahatin e Tiranës e Xhaminë historike të Et’hem Beut, objekte monumentale historike të identitetit kryeqytetas, në sheshin “Skënderbej” madje ngjitur me zyrën e Erion Veliajt, fort të përndershmit kryebashkiak të Tiranës, kulla që mbuluan deri edhe malin e Dajtit, 1612 m. të lartë, këtë bukuri madhështore të natyrës!

Po i lëmë dy incineratorët në tentativë, të Elbasanit dhe Fierit, po këtë incineratorin e madh 130 milionë eurosh të Tiranës, a e di gjë SPAKu se ku ndodhet, paçka se “gojët e liga” të opozitarëve, thonë se ai po ndërtohet në stratosferë dhe Erion Veliajn, nuk e gjejnë dot ta pyesin, ngaqë ka humbur në pyllin orbital, apo ato pyjet “ekuatoriale” me 2 milionë pemë, që po i mbjell çdo ditë, teksa thyen lopatën më dysh!? Edhe sa miliona euro, e sa vite duhen, që të përfundojë “Rruga e Arbrit”, apo ajo Korçë-Kolonjë?! Po dy TEC-et lundrues, stoqe të Bangladeshit, kush dhe pse i solli, e pse vazhdojnë të paguhen me miliona euro, pa u ndezur asnjë ditë?!

Po 130 milionë eurot e Bechettit, për tekat, kapriçiot dhe shantazhet e Ramës, për ta vënë nën thundrën e tij televizionin “Agon Channel”, siç ka bërë me shumicën e mediave të shkruara e vizive, në këto dhjetë vite, pse u dashka t’i paguajmë ne, qytetarët e këtij vendi?! Nga ato çka rrëfeu Ahmetaj para pak ditësh në “Syri TV”, doli edhe e vërteta, pse u hakmor Rama ndaj Irfan Hysenbelliut, pronar i madh mediash dhe biznesmen i respektuar, të cilit ia hodhi në erë me tritol, hotelin me 5 yje në Golem, (Prestige Resort), a thua se Shqipëria e ka luksin të prishë të tilla resorte, ku edhe kishte ngrënë e pirë vetë, madje disa herë! Të tjerë ndërtojnë në sheshin “Skënderbej” kulla, shtojnë edhe nga 10 kate pa leje, por as Rama dhe as Veliaj, nuk mbërrijnë t’i shohin.

Pohimet e frikshme të Ahmetajt, edhe pse të vonuara, na kujtuan atë rubrikën e njohur të dikurshme “Pohojnë me gojën e tyre”! Si mundet që në bahçen 4-milionëshe të Kryeministrisë, plot me dru frutorë, ruajtur nga Garda e Republikës (me efektivë sa një divizion), Ramës ia paskan ngrënë të gjitha “frutat” (jo dru frutorët e bahçes) bashkëpunëtorët e shokët më të ngushtë dhe atij i lanë vetëm gjethet, se mollë, dardha, e kumbulla, s’kishin lënë kokërr (fiqtë dihet, që i ha vetëm Erion Veliaj)! A e ka luksin Shqipëria të mbajë një avion special kryeministror çarter, (‘AIRBUS 319-A’) me rreth 200 vende, për gjezdisjet dhe zdërhalljet pa fund të Ramës rreth globit?! Cila është e vërteta e raporteve aktuale Rama-Erdoan dhe cili ishte misioni e mesazhi i të dërguarit të tij të posaçëm, ministrit të Jashtëm, Hakan Fidan, (me nënë shqiptare), ish-shef i Shërbimi Sekret Turk MIT, që Rama na e paraqiti si mik të ngushtë dhe tejet inteligjent?!

Lehtësia e Ramës për t’i paraqitur të gjithë si miq qëndron deri kur ata papritur i bëhen armiq! Fidan, vizitoi edhe Xhaminë e Namazgjasë, dhuratë kjo e vëllait turk të Ramës, Rexhep Tayyip Erdoan, përurimi i së cilës po shtyhet për në kalendat greke?! FETO dhe Gyleni duket janë problemi! Në fund, le t’i kthehemi aktit më absurd dhe po aq qesharak të SPAKut, që vendos në detyrim paraqitje, e më pas në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore liderin e opozitës prof. dr. Sali Berishën, nën dyshimin se gjoja ka përkrahur me një Vendim Qeverie të vitit 2006, një bashkësi pronarësh autokton tiranas, për të rimarrë pronën e tyre, ku mes të tjerash ndodhej edhe Kompleksi Sportiv “Partizani”, që paradoksalisht vetë Edi Rama, në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës firmosi ndërrimin e destinacionit?!

Tashmë, ky akt i paprecedentë për t’i mbyllur gojën opozitës dhe vetë liderit të saj është urdhër politik i Ramës për SPAK-un, se kryerilindasi është kapluar nga paniku prej skandaleve dhe zbulimit të aferave korruptive, ku dallojnë për momentin incineratori i Tiranës dhe gjyqi i McGonigal për çështjen shqiptare (lobimi me superryshfet për të shpallur persona “non grata” liderin Berisha, të cilit, Sorosi, sorosianët dhe Rama nuk ia falin dot kundërshtimin e fortë të planit për copëtimin e Kosovës, sipas variantit “Thaçi–Vuçiç”, kundërshtimin e vendosur të projektit sorosian proserb, të “Ballkanit të Hapur”, që dështoi me sukses të plotë dhe demaskimin e të gjithë skandaleve, vjedhjeve dhe megakorrupsionit qeveritar!

*Ish-diplomat, historian, publicist

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular