Ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë Brendshme: “Kemi emrat e saktë të ekzekutuesve të dënimeve me vdekje, si prokurori, mjeku, sekretari, etj.”!
“Për të shkuar te vend-varrimet e pazbuluara të të pushkatuarve të kohës së komunizmit, kemi emrat e saktë të prokurorëve, hetuesve, mjekëve e sekretarëve, që kanë marrë pjesë dhe asistuar në këto ekzekutime. Ata mund të shërbejnë si dëshmitarë okularë, mund të tregojnë me gisht, se ku janë varrosur viktimat”.
Ky është thelbi i pohimeve të ish-Drejtorit të Arkivës së Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, përgjatë një interviste ekskluzive lidhur me këtë temë, apo më saktë të një plagë e madhe të gjithë shoqërisë shqiptare, që ende nuk është mbyllur.
Sipas Dervishit, në arkiv nuk ka asnjë dokument të vetëm, që të vërtetojë vend-ndodhjen e varreve të të ekzekutuarve politikë, por për fat, janë gjetur një numër i vogël skicash, që tregojnë varre të të ekzekutuarve, për krime ordinere.
******
Në të njëjtën intervistë, Dervishi rrëfen edhe për vendet e ekzekutimeve të kohës së komunizmit në të gjithë vendin dhe një urdhër të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut, për përpilimin e hartave të vend-ndodhjeve, por që fatkeqësisht koha e ka bërë të pavlefshëm.
Z. Dervishi, gjatë kohës që punoni në drejtim të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, si u jeni përgjigjur kërkesave të qytetarëve të ndryshëm, për ndihmë në gjetjen e eshtrave të të afërmve të tyre të pushkatuar në kohën e komunizmit? Si i keni trajtuar këto raste?
Sigurisht gjetja e eshtrave të personave që janë ekzekutuar, kanë vdekur në hetuesi, në burg apo në përpjekje me forcat e Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist, ka qenë një prej kërkesave të shumta që qytetarët kanë pasur ndaj Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Jo gjatë kësaj kohe, por qysh në vitet e para të demokracisë, janë depozituar kërkesa për gjetjen e eshtrave të personave në fjalë. Gatishmëria e Arkivit ka qenë maksimale, duke vënë në përdorim gjithçka ndodhej në fondet tona arkivore. Jo më larg se sot (dje) ka ardhur e bija e të ekzekutuarit O. I. dhe është pajisur me praktikën e ekzekutimit të babait të saj, shoqëruar edhe me fjalën e fundit ku kishte dhe një amanet me vajzën. Arkivi do të vërë në dispozicion të të interesuarve gjithçka ka dhe kjo nuk diskutohet, por duhet të kuptohet thelbi i materialeve të depozituara në të, pasi ai nuk është arkiv varreze.
Nga sa keni pasur mundësinë të shfletoni nëpër dosjet e kohës së komunizmit, si është vepruar me dokumentimin e pushkatimeve? A keni parë dokumente të sakta për vend-ndodhjen e varreve, apo emra personash që kanë marrë pjesë në togat e pushkatimeve, që mund të shërbejnë, si dëshmitarë okularë?
Në kuptimin e mirëfilltë, nuk ka ekzistuar ndonjë fond arkivor që mund ta titulloj “fondi i ekzekutimeve”, apo diçka afër tyre. Nga ne ka qenë nevoja të krijohej dhe grumbullohej gjithçka nga e para. Kohë më parë, kam nisur të grumbulloj praktikat e pushkatimeve, nga viti 1972 e, deri më 1990-ën dhe mund të them se në një farë mënyre, është krijuar një fond unik arkivor, duke shfrytëzuar të dhënat nga fondet e Hetuesisë dhe ish-Drejtorisë së Zbatim Vendimeve Penale.
Ndërkohë, të dhëna të tjera ndodhen të veçuara në fonde të tjera, si ato të Degëve të Punëve të Brendshme, apo brenda dosjeve hetimore – gjyqësore. Duke bërë një përmbledhje, mund të them se shumica e praktikave të të ekzekutuarve me vdekje, ekzistojnë, por pa skicat e vendeve se ku janë kryer.
Të ekzekutuarit me vendim të formës së prerë të gjykatave komuniste, sipas të dhënave të AMB-së (Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Red.) janë 1030 persona, ndërsa së bashku me kategoritë e tjera. sipas përpilimit që ka bërë komisioni përkatës më 1992. shkon në 5.157 vetë.
Të ekzekutuarit me vendim të formës së prerë, pasi dënoheshin nga gjykatat e niveleve të ndryshme (shkallës së parë, Gjykata e Lartë, gjykatat ushtarake, etj), kalonin për miratim përfundimtar në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë (për gjykatat ushtarak), ose në Presidiumin e Kuvendit Popullor, për rastet e tjera.
Me nxjerrjen e urdhrit (tek rastet ushtarake të Enver Hoxhës), ose të dekretit nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, për miratimin e ekzekutimit të personit, Dega e Punëve të Brendshme e rrethit (në raste të veçanta grupi special), ku gjykohej çështja, merrte urdhrin për ekzekutim vendimi. Urdhri për ekzekutim personi, nxirrej nga Ministri i Punëve të Brendshme. Në këtë urdhër ngarkohej Dega përkatëse që të kryente ekzekutimin. Më pas titullari i Degës, hartonte planin e masave për këtë ekzekutim.
Përpilohej dokumentacioni për emrat e personave që do merrnin pjesë në ekzekutim (prokurori, hetuesi, mjeku, sekretari shkrues, komandanti i grupit ekzekutues, ekzekutuesit, personat që stërviteshin për të parë skenën, për të marrë zemër, etj). Proces-verbali plotësohej me fjalët e fundit që kishte thënë i dënuari me vdekje, për herë të fundit. Përgjithësisht, për personat të dënuar politikisht, fjalët e fundit kanë qenë për Shqipërinë, ndërsa për të dënuarit ordinerë (për vrasje, grabitje, etj), për partinë dhe udhëheqjen.
Për ekzekutimet e viteve të para, për shkak të kohës së madhe që ka kaluar, është e vështirë të flitet për persona gjallë, ndërsa për ekzekutimet e periudhës nga viti 1970 e lart, mundësia e të qenit gjallë e pjesëmarrësve, është e madhe. Ne kemi të dhëna të sakta mbi prokurorët, hetuesit, mjekët, sekretarët, etj., që kanë qenë të pranishëm në kryerjen e një ekzekutimi. Po ashtu janë edhe të dhënat për kryetarin dhe nënkryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, që miratonte planin e masave për ekzekutim.
A përpiloheshin harta të vend varrimeve dhe sa kohë ruheshin këto dokumente me ligj?
Pas proceseve të viteve të para, të ecura pa rregull të qartë, më 10 janar 1947, doli dekreti nr. 264 i Presidiumit të Kuvendit Popullor, që shpalli ligjin nr. 390, datë 10 janar 1947; “Mbi ekzekutimet e dënimeve”. Pas tre vjetësh, më 9 shkurt 1950, ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, nxori urdhrin mbi vendimet ekzekutim me vdekje, që jepeshin nga organet gjyqësore. Sipas këtij urdhri, dënimi jepej: pasi ishte dhënë vendimi i formës së prerë, si dhe dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor, pasi të dilte urdhri i ministrit me shkrim, urdhri përpilohej nga Dega e 7-të e Sigurimit të Shtetit, kur kishte karakter politik dhe nga policia, kur kishte karakter ordiner.
Urdhri duhet të përmbante: gjenealitetet e personit, numrin e vendimit dhe datën e gjykatës, datën, orën dhe vendin e ekzekutimit, si dhe kush ngarkohet për ekzekutimin, me emër mbiemër, gradën dhe detyrën. Për çdo ekzekutim bëhej proces-verbali, ku shkruhej edhe fjala e fundit e të dënuarit. Proces-verbali i dërgohej degës nga ishte përpiluar urdhri, e cila ia dërgonte ministrit.
Më vonë, ka dalë një urdhër tjetër i Kadri Hazbiut, i cili pak a shumë i referohej urdhrit të mëparshëm. Në bazë të këtij urdhri, në atë kohë përpiloheshin skica të vendit ku kryheshin ekzekutimet, por organi zbatues i urdhrit, nuk i depozitonte këto në arkiv, pasi e konsideronte; dokument operativ të përkohshëm, me afat ruajtje 5 vjet. Sot ne kemi në Arkiv pak skica dhe vend-varrime të të ekzekutuarve jopolitikë, që kanë mundur të depozitohen.
Ka pasur vende të caktuara për pushkatimet e kategorive të ndryshme të të dënuarve, apo kishte vetëm një të tillë? Si funksiononte kjo, në qytetet e rrethet e ndryshme të vendit?
Çdo rreth, ka pasur vendin ku kryheshin ekzekutimet. Mos përfytyroni se kanë qenë toga pushkatimi, përballë personave të dënuar. Së paku në 20 – 30 vitet e fundit, kjo punë është bërë për çdo rast nga një person i besuar, me një plumb në kokë, pasi nuk duheshin harxhuar plumbat. Për sa i takon vendeve të ekzekutimit, mund të themi diçka.
Për Tiranën janë përdorur disa vende, si; Kodra e Priftit (për ‘Gjyqin Special’ të 1945, etj.), Lumi i Tiranës (zona e Paskuqanit dhe zona e quajtur Peshkës, rrugës për në fshatin Brar), Ura e Beshirit (për grupin e Hamit Matjanit dhe të “bombës në Ambasadën Sovjetike”, disa zona në Dajt (Linzë), etj.
Për Elbasanin është përdorur Krasta dhe përroi i Muçanit. Për Durrësin, është përdorur Ura e Dajlanit dhe Mali i Robit. Për Lushnjën, një rezervuar afër qytetit. Për Korçën, rruga në Qafën e Qarrit. Për Vlorën, zona e Pyllit të Sodës, për Shkodrën zona e antenave, për Peshkopinë, një vend në Drinin e Zi, etj. Këto vende, në pjesën më të madhe, i kam lexuar, nuk i kam parasysh si mund të jenë.
A keni dijeni të përafërt, se sa grupeve të pushkatuarish u janë gjetur eshtrat tashmë dhe të cilave periudha kohore janë?
Pas vitit 1992, pati përpjekje të shumta për gjetjen e eshtrave të viktimave të komunizmit. Në atë kohë janë zhvilluar edhe ceremoni për nderimin e tyre. Me sa kam mundur të mësoj, informacioni më i madh është marrë në terren, me anë të dëshmitarëve të kohës. Ajo që është zbuluar dhe gjetur, sigurisht që është fare pak, në krahasim me atë që ndodhet nën tokë.
Kam qenë në kontakt me shumë familje që janë interesuar, ndërsa kemi zhvilluar “hetime”, duke shfrytëzuar emrat që përmendeshin në proces-verbale. Sigurisht ka qenë e vështirë, për shkak të viteve që kanë kaluar, kujtesës së dobët të njerëzve dhe gojë kyçjes së protagonistëve të asaj kohe, që i dukej “privilegj” i madh, dhënia e informacionit përkatës.
Keni të dhëna për prishje të vendeve të varrimeve nga ndërtime të bëra në kohë të ndryshme?
Po, kjo është çështja më e dhimbshme. Ndërtimet e bëra para vitit 1990, si edhe atë të bëra më pas, kanë sjellë shkatërrime të pariparueshme të varreve. Kështu zona e “Pusit të Mezinit” në Vlorë, zonat e “Lumit të Tiranës” dhe “Kodra e Priftit” në Tiranë, për shembull, mund të konsiderohen raste të humbura përfundimisht.
Një tjetër problem janë të varrosurit e vdekur në burgje, të varrosur në varreza publike, që më pas janë zhvendosur. Kështu për shembull, janë bërë varrime në “Varrin e Bamit”, në Tiranë dhe eshtrat kanë ngelur aty.
A keni hasur ndonjë të dhënë, për eshtrat e gjetura pak kohë më parë në fshatin Qerret të Dajtit?
Nuk e di si quhet saktësisht ky vend, por sigurisht që kam dijeni, se është një nga vendet e përdorura për ekzekutime.
Pushkatimet, në dosje vetëm fjalët e fundit
Në arkivat sekrete të Ministrisë së Brendshme, saktësisht në materialet që kanë mbërritur të padëmtuara deri në ditët tona, mungon në çdo rast saktësimi i vendeve ku janë varrosur të pushkatuarit e kohës së komunizmit. Zyrtarë të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, pohojnë se kanë gjetur një numër dosjesh të grupeve të ekzekutuara me pushkatim në kohën e komunizmit, por në asnjë rast në këto dokumente nuk është shkruar, qoftë një fjalë e vetme, për vendin e varrosjeve, apo të vend-ndodhjes së varreve masive.
Në dosjet ku ka pasur dokumentacion më të plotë, fleta e fundit e tyre, në rastin më të mirë, ka emrat e grupit të ngarkuar me procedurën e ekzekutimit, si për shembull; emrin e komandantit të grupit të pushkatimit, emrin e prokurorit e hetuesit asistues, emrin e mjekut dhe të një sekretari. Gjithsesi procedura të tilla, sipas të njëjtëve, janë zbatuar më së shumti në pjesën e dytë të kohës së regjimit komunist, pasi në pjesën e parë, sidomos menjëherë pas çlirimit të vendit, dokumentacioni i ekzekutimeve me pushkatim, është krejtësisht i paplotë.
Në këto raste, përfund dokumentit shënohej vetëm emri i të ashtuquajturit; “Prokuror i Popullit”, dhe asgjë më tepër. Pra në asnjë rast, nuk shënohej vendi i varrimit, apo edhe emrat e personave të ngarkuar me pushkatimin, që në mungesë të hartave, mund të shërbejnë si dëshmitarë okularë. Përmbajtja e dokumentit të mëposhtëm, një ekzekutim i vitit 1945 në Korçë, i marrë nga dosja përkatëse e gjykimit të një grupi kundërshtarësh të regjimit komunist, nuk thotë asgjë, veç emrit të prokurorit, që aktualisht nuk jeton më.
Pra e gjithë dosja, nëse dikush do të kërkonte një fill për të mbërritur te vendvarrimi i tre të pushkatuarve, kishte vetëm një emër, që mund të shërbente për identifikimin e varrit. Një emër që tashmë, pas vdekjes, nuk ka më asnjë vlerë për këtë qëllim.
Dokumenti arkivor për ekzekutimin e tre të dënuarve me vdekje në Korçë në vitin 1945
Këshilli Gjyqësor Ushtarak
Nr. I Prot. 176. Res.
Korçë, më 3/10/1945
Gjykatës së Naltë Ushtarake, Tiranë
Në mbrëmjen e datës 2/10/1945, ora 20, u ekzekutuan kriminelët 1) Enver Agolli, 2) Rapo Zëmblaku, 3) Haki Nikolica. Në minutën që u ngritën nga burgu, për t’u hipur në automobil e, për t’u çuar në vendin e ekzekutimit, krimineli Enver Agolli, ndërmjet frikës bërtiti, duke i’u drejtuar shokëve të tij që i’u fal jeta, Hasan Xamës e Shezai Trenit; “Lamtumirë Hasan, Lamtumirë Shezai”; këto fjalë, i pasuan edhe Haki Nikolica e Rapo Zemblaku.
Me të tilla fjalë, duke shtuar edhe Rroftë Shqipëria, iu drejtuan edhe të burgosurve, që nga dritaret e dhomave të burgut, kishin dalë të shikonin.
Në vendin e ekzekutimit, pa zbritur edhe mirë nga automobili, krimineli Enver Agolli filloi të bërtiste “poshtë komunizmi” dhe këto fjalë i tha edhe krimineli tjetër Haki Nikolica; ndërsa krimineli i tretë Rapo Zëmblaku nuk nxori asnjë fjalë.
Kur u vunë në rresht dhe partizanët u përgatitën për të kryer veprimin, u kërkua fjala e fundit, nga ana e Prokurorit. Krimineli Rapo Zëmblaku, tha: “Rroftë Shqipëria, qeveria të më ketë kujdes fëmijën, mbasi kam edhe një djalë partizan”.
Haki Nikolica, kërkoi që qeveria të kujdeset për mëmën dhe motrën e tij; ndërsa krimineli Enver Agolli, duke bërtitur; “nuk kam asnjë fjalë”, thirri; “poshtë komunizmi”, e duke u thënë shokëve vraponi të ikim, pa u dhënë urdhri i ekzekutimit, ata, si ishin të tre të lidhur, tentuan të arratisen, dhe u vunë në ikje.
Në këtë kohë, një partizan, me urdhër të komandantit që drejtonte togën, plagos njërin prej tyre, dhe dy të tjerët, duke mos mundur ta heqin zvarrë, ndalën në vend. Afrohen partizanët dhe vihen në rresht, për të kryer veprimin. Partizanët të gjithë qeshnin, megjithëse ata bërtisnin, duke thirrur, këtë herë edhe Haki Nikolica; “poshtë Komunizmi”, ndërsa krimineli Enver Agolli, derisa dha shpirt, bërtiste: “Do ta paguaj Nevzati, do ta paguaj Nevzati”. Nevzati ishte mbi kokën e tyre dhe urdhëroi zjarr mbi ta.
Kështu përfunduan kriminelët; Enver Agolli, Haki Nikolica e Rrapo Zëmblaku. Falja e jetës të kriminelit Hasan Xama, u prit mirë nga rrethi i tij, ndërsa në popull, ngjau e kundërta./ Memorie.al
Vdekje Fashizmit – Liri Popullit
(Prokurori i Popullit)
Kapiten I-rë, Nevzat Haznedari
(Firma-vula)