Seanca e radhës dëgjimore për diskutimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Librin”, e mbajtur gjatë ditës së sotme, nuk i kaloi 40 minuta online .
Ndonëse i planifikuar për t’u diskutuar me palët e interesit në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ligji nr.9616 edhe kësaj here u përqendrua tek prezantimi nga hartuesit (Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit). Kjo edhe për faktin se munguan dy faktorë kyç, Krerët e Shoqatës së Botuesve dhe të Përkthyesve Shqiptarë, Petrit Ymeri dhe Rexhep Hida, të cilët kishin kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar ndryshimet.
Shkak ky, që u konsiderua si i pakuptimtë nga ana e të pranishmëve, përfshi deputeten Evis Kushi, pasi sipas tyre, projektligji është konsultuar dhe ka qenë ‘online’, pra duhet të ishin njohur më të. E pavarësisht kësaj, kërkesa për një seancë të radhës me praninë e tyre (të hënën) u pranua.
Në një moment konfuzioni për shkak të zhvillimit të seancës online drejtuesja e komisionit, që është njëherazi një nga relatorët e projektligjit (bashkë me Lindita Buxhelin), kujtoi përse janë të detyruar “t’i nënshtrohen” një situate të tillë (për shkak të qëndrimit të disa prej deputetëve të Rithemelimit, që kanë krijuar kaos pa lejuar zhvillimin normal të tyre).
“Kështu është kur futemi në kafaz. E kuptoni që po futemi në kafaz të detyruar. E kuptoni kur futemi në kafaz nga pseudoterroristët me kollare dhe me imunitet shqiptar”, u shpreh Açka.
Ligji synon ndër të tjera buxhet të patjetërsueshëm nga bashkitë për bibliotekat e qyteteve, lehtësira për personat me aftësi ndryshe, shtrirje të promovimit edhe jashtë territorit të Shqipërisë, reduktim nga 5 në 3 kopjeve të botimeve që duhet të mbajë Biblioteka Kombëtare. Si pasojë e ndryshimeve në disa nene zbehen kompetencat e Ministrisë së Turizmit dhe forcohet ndikimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.