Sot në orën 17:00 demokratët do të zhvillojnë protestën e parë për këtë vit para Parlamentit kundër mazhorancës socialiste, e cila sipas tyre, po shkel të drejtat kushtetuese të opozitës.
Burime pranë “Rithemelimit” sqarojnë se protesta do të zhvillohet jashtë sallës së seancave plenare, ndërkohë që deputetët do të protestojnë brenda Kuvendit duke tentuar të bllokojnë mbledhjen. Megjithatë, numri i deputetëve të opozitës që lejohen të marrin pjesë në seancë është më i vogël, pasi 19 prej tyre janë përjashtuar.
Nesër mbledhja e Parlamentit do të fokusohet vetëm te diskutimet për problemet e qytetarëve dhe nuk ka ligje që duhen miratuar e në kushtet kur opozita do të bllokojë foltoren, pritet që seanca të zgjasë vetëm pak minuta. Më pas deputetët që njohin si kryetar të PD-së, Sali Berishën, do t’u bashkohen protestuesve jashtë ambienteve të Parlamentit dhe rreth orës 18:00 pritet që demokratët të zhvendosen te rruga pranë shtëpisë së liderit të opozitës Berisha, i cili prej datës 30 dhjetor ndodhet në arrest shtëpie.
Dy ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të “Rithemelimit” u vendos që nga nesër protestat të shtrihen në të gjithë vendin e të përdoret çdo mjet i mosbindjes civile kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministrit Edi Rama. Por deri tani ky aksion duket se do të kufizohet vetëm tek demokratët e drejtuar nga Sali Berisha, pasi deputetët e Gazment Bardhit nuk do të marrin pjesë në këto protesta e po ashtu do të mungojnë edhe aleatët e PD-së.
Protesta e fundit që opozita zhvilloi ishte në 27 dhjetor para Gjykatës së Lartë në prag të vendimit për logon dhe vulën e Partisë Demokratike.
E teksa e hëna pritet të mos prodhojë surpriza, seanca e ditës së enjte do të jetë edhe më e rëndësishme, pasi pritet të kalojnë një sërë projektligjesh, mes të cilëve më i rëndësishmi, ai që rikthen bastet sportive “online”, që nga opozita është kundërshtuar gjatë. Për këtë ligj, mazhoranca i ka votat, pasi duhet shumicë e thjeshtë, por të tjera nisma kanë mbetur peng në Kuvend për shkak se PS-së për t’i kaluar i duhen edhe votat e opozitës, siç janë pagat e Gjyqtarëve të Kushtetueses, amnistia penale apo zgjedhja e avokatit të popullit. Panorama