Autorët vrasës me pagesë, nuk e njihnin shënjestrën! Detaje nga atentati në Kurbin ku u vra ekonomisti, pronari i firmës së inerteve lëvizte me makinë të blinduar

0
172

Detaje të reja dalin nga atentati ndaj biznesmenit Ardian Gjeloshi, mëngjesin e së shtunës (10 shkurt) në firmën e inerteve në fshatin Gures të Kurbinit.

Nga breshëria e plumbave humbi jetën ekonomisti i firmës Selman Mihana, rreth 70-vjeç, ndërsa u plagos pronari Ardian Gjeloshi.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se sipas burimeve nga grupi hetimor autorët kanë qenë të paktën 7 persona dhe kanë lëvizur me 1 automjet tip Range Rover me fenelinë policie dhe ‘Golf 4’.

Ata kanë hyrë në ambientet e firmës rreth orës 06:50 nga dera kryesore të veshur si punonjës policie. Pak minuta më herët kishte mbërritur edhe pronari Ardian Gjeloshi, ekonomisti, i cili mbeti viktimë, si edhe 4 punonjës të tjerë.

Autorë dyshohet se nuk e kanë njohur shënjestrën e tyre, Ardian Gjeloshin, pasi kanë qëlluar me breshëri plumbash ndaj personave që ndodheshin aty. Biznesmeni, i cili mbeti i plagosur, ka arritur të mbijetojë pasi është fshehur dhe ka ikur me makinën e tij të blinduar drejt spitalit.

Mësohet se 51-vjeçari udhëtonte me automjet të blinduar, ndaj sipas gazetares Klodiana Lala, autorët e kanë pasur të pamundur që t’i bëjnë atentat rrugës, ndaj kanë shkuar në biznesin e tij për ta vrarë.

Mësohet se tre persona kanë marrë pjesë në krim, duke qëlluar me automatik, ndërkohë të tjerët kanë qëndruar në makinë.

Në vendin e ngjarjes u gjetën 50 gëzhoja automatiku, ndërsa dy automjetet e përdorura nga autorët janë gjetur të djegura në Zall, afër Urës së Milotit.

Mësohet se 4 kallashnikovë zbuluar gjetur në vendin ku u gjetën të djegura makinat.