BallinaPolitikeDëmi ndaj individit në emër të informimit publik

Dëmi ndaj individit në emër të informimit publik

Nga Lavdrim Krashi*

Përgjatë ditëve të fundit, media i ka kushtuar vëmendje ngjarjes tragjike të vrasjes së një 50 vjeçari, e zbuluar para disa ditësh në vendin tonë. Ka filluar një proçes hetimi nga ana e autoriteteve përgjegjëse, për të zbardhur detajet e ngjarjes dhe identifikuar autorët.

Patjetër që ngjarja është tronditëse dhe e dhimbshme dhe është e rëndësishme që të analizohet dhe reflektohet me qëllim që të identifikojmë arsyet që mund të çojnë në ngjarje të tilla.

Mendoj se autoritetet përgjegjëse statutore, në formën e Autoriteteve Lokale (bashkive), Shërbimit Shëndetësor, të Arsimit, Policisë, atyre Sociale dhe të tjera, do të duhet të kryejnë një investigim individual dhe holistik (të tërësishëm) për të nxjerrë mësime, dhe mbi të gjitha për të minimizuar mundësitë që ngjarje të tilla të ndodhin në të ardhmen. Shoqëria është më e fortë dhe e shëndetshme pa ngjarje të tilla. Natyrisht, vendi ku duhet të kuvendohet për të ardhmen e vendit duhet të rishikojë dhe të amendojë, sipas nevojës, hapësirën ligjore, dhe pushteti egzekutiv në planin qendror duhet të sigurojë resurset e nevojshme, financiare dhe profesionale për parandalim dhe mbështetje.

Nga ana tjetër, media ka patjetër një rol të madh në informimin e opinionit publik por edhe përgjegjësinë që ta bëjë këtë në mënyrë etike dhe në dobi të shoqërisë. Është tepër shqetësuese që detaje personale dhe shumë specifike, ku bëhet gjithë kronologjia e jetës së të gjithë familjarëve, familjes së gjerë, të afërmeve dhe komunitetit, ndahen nga “gazetarë investigativ” dhe të shumë të ftuar në panele, pa asnjë lloj konsiderate për jetën private të këtyre personave dhe me shumë gjasa,pa dakortësinë e tyre, në emër të informimit publik.

Pyetja që vjen menjëherë në mendje është, “çfarë shansesh rehabilitimi kanë këta individë kur çdo detaj i jetës së tyre ndahet në studio të televizionëve, kombëtar apo lokal”? Nga një kërkim i thjeshtë online duket se qyetetarët rezultojnë më të përmbajtur në gjykimin e ngjarjes dhe shumë më të kujdesshëm në respektimin e privatësisë individuale.

Si mund të jenë të qetë dhe të pastër në ndërgjegjen e tyre profesionale, por dhe njerëzore, çdo person me një platformë publike , që në fakt përdorin aksesin që kanë në informacion nga një “position of power”, për të përkeqësuar edhe më tej jetën e një individi, familje apo komuniteti të tërë, duke nxjerrë gjithë detajet individuale dhe familjare në publik në emër të një “analize” që nuk jam i sigurt se kujt i shërben?

Nuk më pëlqen të them se në vende ku etika e komunikimit respektohet, gjërat bëhen kështu apo ashtu, por vërtet më duket jo njerëzore që profesionistë (gazetarë, analistë, pedagogë etj), nuk kanë asnjë konsideratë për të drejtën për privatësi të një individi apo më gjërë. P.sh pse duhen dhënë detaje identifikuese dhe shumë personale për të ndjerin dhe pjesëtar të familjes më të afërt dhe të gjerë, fqinjët e deri se çfarë thanë banorët e komunitetit mbi ngjarjen.

Unë kam punuar me qindra fëmijë, familje me histori të dhimbshme, me një akses informacioni tepër personal, por kurrë nuk më lejon etika profesionale, por edhe ligji dhe proçedurat e institucionit, ta ndaj këtë informacion në publik, sepse ky është Informacioni i tyre, JETA e tyre, të afërmëve por edhe pasardhësve të tyre, dhe është absolutisht jo e drejta ime ta ndaj atë informacion me gjithë dynjanë.

Është shumë saktë dhe e drejtë që bisedat dhe diskutimet duhet të bëhet për ligjin, për shërbimet që duhet të ekzistojnë dhe ofrohen për të parandaluar ngjarje të tilla por edhe ato rehabilituese. Por besoj se kjo analizë mund të bëhet duke ruajtur anonimitetin, pa shkelur konfidencialitetin dhe të drejtën për privatësi të çdo individi, perpetrator apo viktimë qoftë ky. Kërkoj mirëkuptim por është vërtet shumë sensitive dhe kjo duhet të respektohet nga mediat, profesionistët dhe kushdo që merret me këto çështje në Shqipëri. Qasja që të themi çdo gjë në “shesh të burrave” pa marrë parasysh pasojat negative, në konsideratën time janë krejtësisht jo profesionale dhe në fakt, në shkelje të të drejtave themelore për konfidencialitet dhe privatësi të çdo individi, detajet identifikuese të të cilëve ndahen nëpër studio.

*Autori është deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ka një përvojë të gjerë në Britaninë e Madhe në trajtimin e kujdesin ndaj komuniteteve të goditura nga dhuna apo fenomenet e rënda

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular