BallinaKulture“Alfabetarja e gjuhës shqipe” dhurata e rilindësve shqiptarë për Sulltan Abdyl Hamitin...

“Alfabetarja e gjuhës shqipe” dhurata e rilindësve shqiptarë për Sulltan Abdyl Hamitin II! Ja nga kush u përgatit

Më 27 shkurt 1879 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”. Ky botim u bë i mundur në sajë të nismës së Sami Frashërit, të Jani Vretos e të Pashko Vasë

Më 27 shkurt 1879 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”. Ky botim u bë i mundur në sajë të nismës së Sami Frashërit, të Jani Vretos e të Pashko Vasës. “Alfabetarja e gjuhës shqipe” nuk përfaqëson një abetare tipike, pasi përfshin një sërë shkrimesh me natyrë didaktike, me autorësinë e nismëtarëve. Në mbrujtjen e saj bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë (vëllezërit Frashëri), katolikë (Vasa) dhe ortodoksë (Vreto), të cilët u prinë nga ideali i atdhedashurisë. Kjo vepër me vlera të larmishme, hodhi themelet e procesit ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se “Alfabetarja” iu dhurua Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili dinte të fliste shqip. Libri “AËFABETARE E GLÚHESE ÓQIP” është përgatitur nga Shemsudin Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa etj., dhe është botuar në Stamboll më 1879. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari, i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip. Në kapakun e parmë të librit, gjendet dedikimi për sulltanin:- MAÄERISE TI ZOTIT MAè Ä! MBERETIT DAÓURE T’YNE

SULTAN ABD-YL HAMID-HANIT II

Në kapakun e pasmë të librit, shkruhet i njëjti dedikim si më lart, por në osmanisht duke shtuar fjalën “Arnavudlar” (shqiptarët). Në hyrje të “Alfabetares së gjuhës shqipe” shënohet një thënie e Naum Vithekuqarit dhe viti e vendi i botimit të librit (Kostandinopoje 1879). Libri ka rëndësi si për gjuhën shqipe ashtu edhe nga ana historike, pasi ai është botuar në të njëjtin vit kur në Stamboll u themelua “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” dhe në një kohë kur Lidhja e Prizrenit ishte akoma aktive. Libri është një abetare e gjuhës shqipe e përgatitur nga intelektualë shqiptarë të Stambollit, e cila përveç aspektit gjuhësor përfshin edhe disa të dhëna historike mbi origjinën e lashtë të shqiptarëve, njohuri mbi astronominë, krijimin e gjithësisë dhe të njeriut, njohuri matematikore dhe të etikës. Libri fillon me alfabetin shqip dhe më pas jep një dëftonjës të shkronjave duke e përshtatur çdo shkronjë shqip me një shkronjë të alfabetit osman dhe duke dhënë shembuj për secilën. Alfabeti me 36 shkronja, nga të cilat shtatë janë zanore dhe njëzet e nëntë bashkëtingëllore dhe është një kombinim i alfabetit latin me disa shkronja greke. Libri nuk ndahet në kapituj por, lehtësisht evidentohen në të shkrimet e intelektualëve të ndryshëm, që për lehtësi studimi këtu do të referohen si kapituj ose pjesë. Uäe å te íkruarit të núheså Óqip ( Udhëzues i të shkruarit të gjuhës shqipe) Jani Vreto, praqet në libër një udhëzues për shkrimin e gjuhës shqipe. Ai shpjegon përdorimin e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve në fjalëformim dhe bën dallimin në përdorimin e fjalëve në dialektet gegë dhe toskë. Më shumë se një abetare, shpjegimi i Jani Vretos është një fjalor drejtshkrimor i gjuhës. Këtu emri i tij shënohet Ioan i Athanas VrÝtose nga Postenani.

Ãuha Óqip (Gjuha shqipe)

Në këtë kapitull, Shemsedin Sami Frashëri shkruan për kombet dhe gjuhët si dhe historinë e zhvillimit të shkrimit. Gjithashtu, ai flet për lashtësinë e kombit shqiptar dhe për rëndësinë e ruajtjes dhe shkruarjes së gjuhës shqipe. Ndër të tjera, Sami Frashëri thekson:- “Sot është dita që edhe shqiptarët të zënë të shkruajnë e të këndojnë gjuhën e tyre, që të mund të ruajnë kombësinë”. Frashëri përkrah idenë e përdorimit të alfabetit latin si alfabet të shqipes duke e argumentuar këtë me faktin se Shqipëria është vend evropian. Po kështu, ai shpjegon në detaje si u arrit të ndërtohet alfabeti me 36 shkronja i shqipes bazuar mbi alfabetin me 25 shkronja të latinishtes, të kombinuara me disa shkronja të alfabetit grek. Më pas, Frashëri thekson se është Sultan Abdyl Hamiti II ai i cili ka mundësuar shkrimin e gjuhës shqipe. “Të shkruarit e gjuhës shqipe u bë në kohën e mbretit dhe zotit tonë të math, Sultan Abdyl Hamitit të dytë, që Perëndia i zgjattë jetën dhe i shtoftë ditët! Kështu edhe shqiptarët zunë të ecin përpara e të ndriçohen me shkronja dhe dituri … -thotë Sami Frashëri.”

Óqypnija å Óqyptârt (Shqipëria dhe shqiptarët)

Pashko Vasë Shkodrani, një prej figurave të njohura të Rilindjes Kombëtare, sjell në libër një kapitull të veçantë ku shkruan për historinë e shqiptarëve si pasardhës të pellazgëve. Ai flet për origjinën e pellazgëve dhe shpërnguljen e tyre të hershme nga Azia për t’u vendosur në brigjet e detit të atyre tokave që sot njihen si toka greke. Më pas, ai tregon për luftërat mes pellazgëve dhe tre fiseve të tjera të ardhura një mijë vjet më vonë nga Azia dhe për lëvizjen e pellazgëve nga bregdeti për në brendësi të fushave e maleve, duke krijuar vendbanime dhe mbretëri të reja. Sipas Pashko Vasës, ata pellazgë që zunë vend në zonat e Janinës, Gjirokastrës, Beratit e Vlorës, e quajtën vendin dhe mbretërinë e krijuar Epir, të tjerët që u shpërngulën në zonat veriore në Mat, Dibër, Shkup etj., e quajtën mbretërinë Maqedoni, ndërsa të tjerët që u vendosën në Dukagjin e ndër malet e Shkodrës, e quajtën mbretërinë dhe vendin e tyre, Iliri. “Shqiptarët e sotëm – ve në dukje Vasa- janë pasardhës të drejtpërdrejtë të pellazgëve që populluan fillimisht bregdetin e atyre tokave që sot njihen si toka greke.” Në vijim, Pashko Vasa flet për Filipin e Maqedonisë dhe Aleksandrin e Madh, për ndërmarrjet ushtarake të tyre dhe zgjerimin e pushtetit deri në Persi. Po kështu, ai flet për Pirron e Epirit, për mbretërit ilirë, Genci dhe Teuta, për Skënderbeun dhe luftërat e shumta të shqiptarëve. Vasa e mbyll shkrimin e tij duke i bërë thirrje shqiptarëve të shkollojnë djemtë dhe vajzat në të mirë të zhvillimit dhe përparimit të vendit. Në shpjegimet e fjalëve të vështira që bën Vasa në këtë pjesë të shkruar prej tij, vihet re ndikimi i gjuhës italiane.

Ä!ÓKROÈE (Dhe shkronjë)

Shemsedin Sami Frashëri, sjell një tjetër kapitull në libër, ku përcjell të dhëna gjeografike mbi kontinentet, qytetet, fshatrat. Ai tregon për Kristofor Klombin, i cili kreu lundrime të shumta në dete dhe zbuloi kontinente te reja. Gjithashtu, tregon ndarjen e kontinenteve, flet për shtet-qytetet, për numrin e popullsisë së këtyre vendeve etj. Po kështu, Frashëri flet për kufijtë e Shqipërisë, për gjuhën dhe popullsinë e vendit, për ndarjen gegë e toskë dhe përmend qytete të ndryshme shqiptare, një pjesë e të cilave sot ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë politike. Ðer Ãièeòiítene äå per Zün’ å jÝtese åäå per Èårine, büten’ å vügele. (Për gjithëçishtenë (gjithësinë) dhe për Zotin e jetës edhe për njerinë, botën e vogël) Kjo pjesë e librit është shkruar nga Jani Vreto. Ajo përmbledh njohuri mbi galaktikën, yjet, tokën, diellin, hënën. Ai shpjegon rreth-rrotullimin e tyre dhe e lidh këtë me fuqinë e mbinatyrshme të Zotit.

Po kështu, Vreto shpjegon krijimin e njeriut nga Zoti. Ai shpjegon materien dhe shpirtëroren si dhe aftësitë që Zoti i ka dhuruar njeriut dhe që ky i fundit duhet t’i përdorë në dobi të së mirës dhe zhvillimit të njerëzimit. Vreto gjen rastin të këshillojë njerëzit me urtësinë e të parëve kur thotë se, atë që nuk dëshiron të ta bëjnë të tjerët ty mos ia bëj ti të tjerëve dhe e kundërta. Në vazhdim Vreto flet për rëndësinë e besës, parë kjo në rrafshin moral dhe atë fetar. Më pas ai shpjegon kuptimin e fjalëve “Memeäeè” (mëmëdhe), komb, fis si dhe rëndësinë e dashurisë dhe kujdesjes për mbarëvajtjen e kombit dhe mëmëdheut. Shkrimin e tij Vreto e mbyll duke këshilluar të rinjtë të martohen e të krijojnë familje dhe të ofrojnë dashuri e kujdes reciprok ndërmjet bashkëshortëve. Në fund ai nënshkruan Ioan-Vretua Postelanasi. Në shpjegimet e fjalëve të vështira që bën Vreto, vërehet ndikimi i greqishtes.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular