BallinaOP EDSi u bëra unë mësues dhe urimi im për 7 Marsin/Nga Petrit...

Si u bëra unë mësues dhe urimi im për 7 Marsin/Nga Petrit Nika

Nga Petrit Nika
Që në klasë të shtatë, ende fëmijë shkolle, e kisha paracaktuar të bëhesha mësues. Kam patur përherë një admirim të veçantë për mësuesit e mi. Personi që ka ndikuar më shumë në ëndrrën time për t’u bërë mësues, e them me plot gojën, ka qenë mësuesi im i fillores, një burrë shumë fisnik, me vullnet të palëkundur dhe shumë punëtor. Gjatë formimit tim të mëvonshëm, përvojat e mia nuk kanë qenë përherë të lumtura, dhe kjo ka ndikuar që në punën time si mësues jam përpjekur të mos bëj pikërisht gabimet që kam vënë re tek mësuesit e mi të dikurshëm. Vitin që mbarova klasën e tetë ishte vigjila e madhe e ndryshimit. Ishte viti 1990. Anno Domini. Përtej pritshmërive të mia për të patur një bursë studimi në shkollën e mesme pedagogjike, mua m’u ofrua vetëm një bursë për të studiuar në teknikumin pyjor të Shkodrës. Nuk e prita aspak me kënaqësi, por nuk kisha zgjidhje tjetër. Gjithësesi, pas shumë përpjekjesh dhe peripecish pëgjatë gjithë dhjetëvjeçarit të viteve “90, në shtator të vitit 2000, më në fund e pashë veten time përfundimisht mësues. Por kohët kishin ndryshuar tashmë. Ndër vite një gjë nuk e kisha llogaritur mirë: mbijetesën. Ishte e pabërballueshme. Ishte ofenduese. Atëherë kam filluar realisht të mos e dua më këtë profesion. Jo si punë, por si pamundësi për të përballuar jetën time komplet të rrënuar. Gjithësesi çdo ditë i kam dashur fëmijët, bangat, dërrasën e zezë, gjithçka që ka lidhje me shkollën. Në fillim mendova se do punoja nja gjashtë muaj, e shumta një vit dhe do të gjeja një punë tjetër, jo si zgjidhje se nuk e doja profesionin, si profesion, por si një zgjidhje pragmatiste për mbijetesë. Nuk ndodhi. Për paradoks, në vitin 2010, pas 10 vitesh pune, për plot pesë vjet e humba edhe punën time si mësues. Gjatë atyre viteve që nuk punoja më si mësues, në udhëtimet e mia në profesonin e ri të taksixhiut, në mendje më vinin breza e breza nxënësish, vende e kolegë, episode jete që kisha kaluar dhe realisht ndjehesha ligsht. I asaj periudhe është libri im me poezi “Qenia brenda enës”, I cili në vitin 2011 ishte në pesëshen e librave për çmim në ministrinë e kulturës. Gjatë pranverës dhe verës së vitit 2010 kisha humbur gjërat më të shtrenjta. Por nuk do më ndaheshin humbjet. Si gjithmonë prapë humbës. Nuk mora asnjë çmim për vetminë e qenies dhe kurrë më nuk u afrova atje, kurrë më nuk shpresova për të. Nejse … Tashmë unë përsëri jam mësues. Kur kthej kokën mbrapa e vështroj në kohë, habitem sa shumë vite kanë kaluar. Dhe ndjej se nuk më ngelen dhe aq vite për të kaluar… Madje tronditem keqas kur mendoj se prapë më duhet të shoh një mundësi tjetër, madje diku larg. E di se do më mungojë shumë gjithçka që lidhet me jetën e shkollës, e di se nuk do shërohem kurrë nga ky mall. Jo se kalova kaq vite. Por se e desha këtë ëndërr që kur isha vetë ëndërr …

Për këtë 7 Mars dua të përshëndes vecanarisht mësuesit që janë tashmë në pension dhe ata që i mori emigracioni. E di se iu mungon shumë jeta e zhurmshme e shkollës, kanë parë me sytë e tyre breza e breza të tërë fëmijësh të rriten para syve të tyre ditë pas dite dhe e di se shumë pak mirënjohje është kthyer në sytë e tyre të lodhur, në fytyrat e rreshkuara nga vitet dhe streset e hallet e shumta… Ju meritoni përjetë mirënjohje! Edhe pse kurrë nuk keni për ta patur. Ju bekoftë Atdheu që i shërbyet aq sa ditët, aq sa mundët!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular