BallinaOP EDBE dhe OKB: Shqipëria ka bërë arritje të rëndësishme drejt fuqizimit të...

BE dhe OKB: Shqipëria ka bërë arritje të rëndësishme drejt fuqizimit të grave dhe zvogëlimit të diskriminimit gjinor

Opinion i Përbashkët nga

Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri

Silvio Gonzato, Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri

Gjatë dekadave të fundit, gratë dhe vajzat në mbarë botën kanë thyer barrierat, kanë çrrënjosur stereotipet dhe kanë nxitur përparimin drejt shoqërive më të drejta dhe të barabarta.

Të drejtat e grave u njohën si të drejta themelore dhe universale të njeriut.

Qindra miliona vajza më shumë ndjekin shkollën në mbarë botën. Udhëheqëset gra ja kanë dalë të thyejnë ‘tavanin e qelqtë’ për të pasur më shumë pozicione drejtuese në hapësira publike dhe private.

Në shkallë botërore, lufta për të drejtat e grave gjatë pesëdhjetë viteve të fundit është një histori progresi. Por pandemia globale dhe pengesat e fundit po e kërcënojnë këtë progres dhe barazia e plotë mbetet vite dritë larg.

Shqipëria ka bërë arritje të rëndësishme drejt fuqizimit të grave dhe zvogëlimit të diskriminimit gjinor, në shëndetësi dhe arsim, në tregun e punës si dhe në çështje të lidershipit, pjesëmarrjes dhe përfaqësimit në politikë e vendimmarrje.

Gjatë shqyrtimit të tij të fundit mbi Shqipërinë, Komiteti i Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave (CEDAW), njohu qëndrueshmërinë e përgjithshme të kuadrit ligjor dhe politik të vendit për barazinë gjinore. Por rekomandoi gjithashtu masa të posaçme për të siguruar që barazia në ligj të përkthehet në përmirësime praktike thelbësore në fuqizimin e grave.

Komiteti bëri thirrje për forcimin e aksesit të grave në drejtësi, për të eliminuar stereotipet ekzistuese dhe praktikat e dëmshme, rritjen e përpjekjeve për të eliminuar të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, të trafikimit dhe shfrytëzimit të grave. Ai gjithashtu i kërkoi Shqipërisë të mbrojë dhe fuqizojë gratë që janë viktima të formave të ndërthurura të diskriminimit, për shkak të statusit të tyre shoqëror ose ekonomik, orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor, ose aftësive të tyre të ndryshme fizike ose mendore.

Këto rekomandime përputhen plotësisht me frymën dhe objektivat e Planit Gjinor të Veprimit të BE-së dhe me rekomandimet specifike që BE-ja i ka drejtuar Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit. Parimi i barazisë mes grave dhe burrave i përgjigjet vlerave themelore i BE-së dhe ndërtimi i kapaciteteve kombëtare për të adresuar këtë parim në çdo sektor të qeverisjes, do të mbështesë rrugën drejt anëtarësimit të vendit në BE.

Për të përshpejtuar përparimin drejt arritjes së synimeve për barazinë gjinore në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, shtimi i investimeve financiare do të jetë kritik: investimi tek gratë nuk është vetëm një detyrë morale, por edhe një investim i mençur për të përshpejtuar rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, si OKB ashtu edhe BE solidarizohen me të gjitha gratë në Shqipëri. Vizioni ynë për një Shqipëri ku ka barazi gjinore është i qartë. Teksa festojmë fuqinë dhe potencialin e të gjitha grave, u bëjmë thirrje institucioneve, shoqërisë civile, bizneseve dhe qytetareve e qytetarëve – së bashku – që ta mbështesin këtë kauzë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular