BallinaKultureBesnik Mustafaj, politikan që shkruante romane apo shkrimtar që merrej me politikë?

Besnik Mustafaj, politikan që shkruante romane apo shkrimtar që merrej me politikë?

Bisedoi: Ali Fajim
Intervistë botuar në suplementin kulturor të gazetës
më të madhe saudite « Okaz » më 17 shkurt 2024

Na flisni fillimisht pak për letërsinë shqiptare!

Është një letërsi që nis të shkruhet në Mesjetë, në fillim në latinisht si të gjitha letërsitë europiane të kohës dhe, në vazhdim, njëkohësisht me këto letërsi, vjen edhe shkrimi i librave në shqip. Por, për shkak të pushtimit të vendit nga Perandoria Osmane, ku shqipja ishte e ndaluar si gjuhë kulture, autorët jetojnë, shkruajnë dhe botojnë kryesisht jashtë territoreve shqiptare. Pavarësisht nga distanca, veprat e tyre mbeten thellësisht shqiptare sepse subjektet që trajtojnë janë thelbësisht shqiptare.

Duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX letersia shqipe merr një zhvillim të madh. Shkrimtarët dhe poetët janë në pararojë të lëvizjes kombëtare për çlirim nga pushtimi osman dhe themelimin e një shteti të pavarur shqiptar. Rrjedhimisht edhe letërsia e tyre pasqyron me një fuqi të lartë artistike këto aspirata.

Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1912 letërsia shqipe merr më në fund frymë lirisht dhe nis t’iu bashkohet shkollave letrare europiane duke e zgjeruar horizontin e vet tematik, por duke qëndruar e lidhur fort me identitetin kulturor dhe kombëtar shqiptar si dhe me historinë politike të vendit. Madje, pikërisht historia politike e vendit do ta përcaktonte në një masë dramatike zhvillimin e kësaj letërsie. E kam fjalën për periudhën e sundimit komunist (1945 – 1990).

Gjithsesi, bëhet fjalë për një letërsi të shkruar në një gjuhë të vogël e shumë pak të njohur jashtë territoreve ku jetojne shqiptarët, e cila megjithatë është shumë e pasur si në poezi edhe në prozë dhe që vazhdon të zhvillohet me një dinamikë të mirë.

A e ka kapërcyer sot Shqipëria izolimin ku e pati futur komunizmi?

Përgjigja më e shkurtër është “ende jo”. Komunizmi sundoi në Shqipëri si një diktaturë mizore, duke i përdorur deri në ekstrem si represionin policor edhe represionin kulturor. Për pasojë e damkosi rëndë mentalitetin e njeriut shqiptar. Janë lindur e janë rritur tre apo katër breza nën këtë represion të dyfishtë, pa patur asnjë referencë tjetër politike apo kulturore. Për të mos u zgjatur me përshkrime, po ju tregoj një video që pashë para disa ditësh në rrjetet sociale.

Ishte filmuar një arushë me emrin “Ina”, diku në Rumani. Kjo arushë e shkretë kishte kaluar 20 vjet e mbyllur në kopshtin zoologjik. Para 7 vjetësh aktivistët për të drejtat e kafshëve e  kishin çliruar dhe dërguar në pyll. Edhe pse në mes të pyllit, e lirë tashmë, arusha Ina vazhdonte prej 7 vjetësh të sillej rrotull si e tërbuar në një sipërfaqe prej disa metrash katror, si dikur brenda kafazit. Ajo nuk dinte të vraponte drejt, nuk e kuptonte hapësirën e lirë, nuk e njihte horizontin e largët. Kështu është në njëfarë mënyre ende sot shoqëria shqiptare, si ajo arusha rumune, e cila sillet rreth vetes, e paaftë për ta gëzuar lirinë.

Po hapja kaotike që pasoi izolimin a është kapërcyer?

Hapja e Shqipërisë ka hyrë në një fazë shumë të përparuar dhe nuk mund të jetë më kaotike siç ishte në vitet e para të rrëzimit të diktaturës. Vendi ynë është tashmë anëtar i Këshillit të Europës, anëtar i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo do të thotë se klasa politike ashtu si edhe administrata publike kanë mësuar rregullat e negocimit me partnerët tanë në botën, drejt të cilës po hapemi. Po ashtu edhe qytetarët, kanë mësuar se, për të shkuar në vendet e tjera, nuk ka rrugë tjetër veç asaj të zbatimit të disa rregullave dhe ligjeve, të cilat nuk janë vendosur në Tiranë, por në kryeqytetet e tjera.

Më kryesorja është se ka ndryshuar rrënjësisht qasja e njeriut shqiptar ndaj pjesës tjetër të botës. Në kohën e izolimit, kjo pjesë tjetër e botës paraqitej në sytë e popullit si armike. Tani shihet si mike. Dhe me mikun nuk bashkohesh duke shkuar drejt tij në mënyrë kaotike e të rrëmujshme, por me mirëkuptim e duke zbatuar rregullat e ligjet. Shqetësim i madh sot mbetet përhapja epidemike ndër shqiptarët e prirjes për të emigruar. Kjo do të thotë se janë ftohur pak lidhjet shpirtërore të shqiptarëve me atdheun e tyre. Po vazhdoi kështu, vendi do të boshatiset nga forcat vitale, duke rrezikuar të shndërrohet në një azil gjigand pleqsh.

Çfarë mesazhesh përpiqeni ju si politikan dhe si shkrimtar të theksoni përmes veprës tuaj letrare?

Si njeri politik gjatë njëzet vjetëve jam përpjekur të përcjell mesazhin se demokracia, ashtu siç thoshte Uinston Çërçill, është një sistem i keq, por shoqëria njerëzore nuk ka shpikur ende një sistem më të mirë për lulëzimin e personalitetit të njeriut. Por, ndërtimi i demokracisë është një proces, i cili nuk kryhet me urdhëra nga lart. Në të duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët, në përditshmëri, me ndërgjegje të çliruar politike dhe me durim të madh.

Vepra ime letrare përfshin poezi, tregime, romane, ese dhe novela. Janë afro pesëdhjet vjet krijimtari. Të gjitha shkrimet e mia letrare i bashkon përpjekja ime për të treguar marrëdhënien dramatike që ka patur gjithmonë e veçanërisht në kohët moderne njeriu shqiptar si individ me Historinë kolektive, e cila është përcaktuar gjithmonë në shtatmadhoritë politike të radhës. Njeriu shqiptar si individ vetëm e ka pësuar këtë Histori, i pafuqishëm për ta zgjedhur në një mënyrë a në një tjetër fatin e vet. 

Çfarë ju ka dhënë puna në politikë dhe çfarë ju ka marrë?

Përvoja në politikë më ka dhënë mundësinë ta vëzhgoj nga brenda si funksionon makineria e pushtetit politik dhe ta vërej drejtpërdrejtë sa e pamëshirshme është ajo. Rrjedhimisht, kam kuptuar më mirë përse njeriu si individ duket aq i vogël dhe i dobët përballë kësaj makinerie. Në këtë kuptim, përvoja në politikën e niveleve të larta më ka shërbyer dhe vazhdon të më shërbejë ndjeshëm për ta bërë më të vërtetë e më realiste letërsinë që shkruaj.

Nga ana tjetër, përfshirja në politikë më ka marrë gjatë afro dy dekadave gjënë më të rëndësishme për një shkrimtar e që është koha për të shkruar. Fatkeqësisht, këtë kohë të shkrimit e kam humbur dhe nuk do të mund ta fitoj më kurrë. Unë nuk kam qenë një politikan që shkruante romane. Kam qenë një shkrimtar që merrej me politikë. Kjo vetëdije për prioritetin që kishte shkrimtari brenda personalitetit tim më ka mbrojtur gjithë kohën nga joshjet ndaj privilegjeve që jep zakonisht pushteti i madh.

Ju flisni rrjedhshëm në frëngjisht, por veprën letrare e shkruani vetëm në shqip. Pse?

Është një pyetje që ma ka bërë para disa viteve edhe një gazetare gjatë një interviste në një televizion francez me rastin e botimit në Francë të romanit tim “Daullja prej letre”. Po ju jap edhe ju përgjigjen që i kam dhënë asaj.

Sado mirë ta njoh frengjishten, ajo mbetet megjithatë një gjuhë e mësuar në shkollë, pra një gjuhë e huaj për mua. Si e tillë, ajo nuk do të më mjaftonte për t’u shprehur lirisht si shkrimtar. Vetëm gjuha e nënës ma jep këtë liri të pakufizuar shprehjeje. Për më tepër që të gjitha subjektet e librave të mi tregojnë për historinë dhe jetën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kam bindjen se përshkrimi i këtij realiteti me fjalët që njoh, siç do të ishte rasti me frengjishten, do të ishte i varfër, i thjeshtëzuar krahasuar me përshkrimin në shqip, ku i kam instinktivisht të gjitha fjalët që më nevojiten. Thënë hapur, kjo është liria e pakufizuar që më jep gjuha e nënës, domethënë shqipja. Gjuha është lënda e parë për të nxjerrë në pah identitetin e thellë të autorit. Dhe identiteti im si shkrimtar është 100 për qind shqiptar.

Çfarë marrëdhëniesh keni me letërsinë arabe në përgjithësi dhe atë saoudite në veçanti?

Letërsia arabe është një nga thesaret më të çmuar në letërsinë e njerëzimit. Unë jam një adhurues pa kushte i “Një mijë e një netëve”. Jam adhurues i madh i poezisë së divanit, i “Profetit” të Khalil Gibranit dhe i romaneve të nobelistit egjiptian Nagip Mahfuz. Mendoj se një nga poetët më të fuqishëm të shekullit XX është palestinezi Mahmud Darëish. Midis poetëve më të rëndësishëm bashkëkohorë do të kisha përmendur pa ngurrim sirianin Adonis, palestinezin Najëan Darëish, marokenin Abdelatif Laabi. Me të tre kam edhe miqësi personale.

Por këta dhe ca të tjerë unë i kam lexuar të përkthyer në gjuhë të treta. Unë nuk di arabisht. Kjo shpjegon pse edhe letërsinë saudiane e njoh shumë pak. Kam lexuar kohët e fundit në frengjisht “La ceinture” të Ahmad Abodahman, një libër i mrekullueshëm, të cilin edhe ia kam rekomanduar botuesit tim shqiptar për ta përkthyer në shqip.

Përse u tërhoqët nga politika dhe u kthyet drejt letërsisë?

Letërsia dhe politika ishin për mua dy dashuri shumë të mëdha, njësoj pushtuese. Kur u binda se ato dy dashuri nuk mund të bashkëjetonin në mënyrë harmonike brenda meje, unë duhej të bëja një zgjedhje përfundimtare, për të mbajtur vetëm njërën, atë që ishte më e rëndësishmja për mua dhe për t’iu përkushtuar plotësisht vetëm asaj. Në vlerësimin tim doli që ishte letërsia. Kanë kaluar 18 vjet qysh kur e mora këtë vendim dhe vazhdoj të besoj plotësisht se kam bërë zgjedhjen e duhur.

Le të ndalemi një çast te romani juaj “Një sagë e vogël”, i cili është i pari nga vepra juaj përkthyer në arabisht! Më pas kanë ardhur edhe “Daullja prej letra dhe tani së fundi “Dëmtuar gjatë rrugës”. Përse ua këshilloni lexuesve tuaj në gjuhët e huaja ta fillojnë zbulimin e veprës tuaj pikërisht me këtë roman?

Ky roman është i lidhur shumë ngusht me historinë politike të Shqipërisë gjatë shekullit XX, e cila përkon edhe me periudhën qysh kur Shqipëria u bë vend i pavarur dhe ndërtoi shtetin e vet. Përmes fatit të dy familjeve gjatë gjithë këtij shekulli jam përpjekur të shtroj pyetjen nëse ishte ky shteti, për të cilin kishin ëndërruar shqiptarët kur luftonin për jetë a vdekje kundër pushtuesit osman. Dhe kam dhënë përgjigjen time si shkrimtar. Është një roman i shkruar në rininë time, kur nuk i kisha mbushur ende 30 vjet. Në këtë roman paralajmërohet pak a shumë qartë gjithë vepra letrare që do të shkruaja në vitet pasuese. Pra, më duket një roman i përshtatshëm për të tërhequr vëmendjenjen e një lexuesi që nuk e njeh ende veprën time letrare në përgjithësi. Ky roman është përkthyer në disa nga gjuhët më të mëdha të botës, përfshirë edhe arabishten, dhe ka zgjuar një kureshtje të mirë, duke i çelur rrugën përkthimit të romaneve të tjera.

Çfarë ëndrre ju mbetet ende pa u realizuar në këtë botë?

Në moshën që jam unë, për veten time kam vetëm një ëndërr të rëndësishme: që jeta të më japë kohë dhe shëndet për të shkruar subjektet e librave që kam të skicuara nëpër fletoret e shënimeve. 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular