BallinaEkonomiShqipëria, një “Europë në miniaturë”, me potenciale të larta për zhvillimin e...

Shqipëria, një “Europë në miniaturë”, me potenciale të larta për zhvillimin e turizmit

Përtej evolucionit të situatës ekonomike dhe gjeopolitike ndërkombëtare, veçoritë e turizmit në Shqipëri, do të varen nga veprimet e vetë Shqipërisë!
Flet Massimo Deandreis, Menaxher i Përgjithshëm i SRM, grupi Intesa Sanpaolo

Shqipëria është “e pasur me mundësi”. Massimo Deandreis, Menaxher i Përgjithshëm i SRM, një qendër e kërkimeve ekonomike, e lidhur me grupin bankar Intesa Sanpaolo thotë se turistët, brenda pak kilometrash, mund të shkojnë nga malet në det, dhe nga kultura paksa arkaike e fshatrave, në kulturën e globalizuar të një qyteti të madh ose vendpushimi bregdetar.

Ai shton se Shqipëria i ka të gjitha kushtet paraprake për të pasur një rrugë të shëndetshme dhe të qëndrueshme të rritjes së turizmit.

Por, ai paralajmëron se ndonëse volumet e regjistruara në sektorin e turizmit në Shqipëri, janë vërtet domethënëse, të njëjtën kohë, ato mund të jenë kalimtare dhe madje të dëmshme, në qoftë se nuk integrohen në rrugën e rritjes së larmishme dhe të qëndrueshme të vendit, siç tregojnë qartë rastet e ngjashme ndërkombëtare.

Si e vlerësoni pozicionin e Shqipërisë në tregun rajonal dhe europian të turizmit? Cilat do të ishin avantazhet dhe disavantazhet e Shqipërisë në raport me destinacionet rivale, kryesisht në rajonin e Mesdheut?

Ballkani Perëndimor shërben si një ndërlidhje për popuj, kultura dhe besime të ndryshme fetare, të cilat përfaqësojnë aspekte të vlefshme me një avantazh konkurrues dhe potencial për industrinë e turizmit në rajon.

Nga një vështrim i përgjithshëm i vendeve të rajonit, duke përfshirë Greqinë dhe Turqinë, konstatojmë se kjo zonë tërhoqi 109.6 milionë turistë në vitin 2022, pra afërsisht sa 18% e ardhjeve ndërkombëtare të regjistruara në të gjithë Europën (594.9 milionë) dhe sa 94% e nivelit para periudhës Covid-19 (117 milionë).

Nga një analizë e shpërndarjes së kërkesës turistike në zonën e Ballkanit sipas vendeve, shihen dallimet themelore në gamën e burimeve dhe “moshën” e turizmit: pra, vendet që kanë filluar më herët, kanë një traditë më të gjatë në turizëm, sigurisht që janë përpara atyre që janë zhvilluar më vonë në këtë fushë. Megjithatë, vendet që kanë filluar me vonesë, janë ato që kanë shënuar prirjet më të forta në vitet e fundit. Shqipëria është një prej tyre.

Shqipëria është ndër shtetet që filloi të përfitonte më vonë nga industria e turizmit (pas 1990-s), por ka përjetuar tendencat më të forta në vitet e fundit: plot 6.7 milionë ardhje turistike ndërkombëtare (sa 6.2% e totalit të rajonit të Ballkanit Perëndimor), me një rritje prej 78% në vitet 2015-2022 (në periudhën 2010-2022 pati një rritje prej 207.6%).

Në të njëjtën periudhë, kapaciteti akomodues është zgjeruar dukshëm, me një rritje prej +176% në numrin e dhomave dhe +186% në numrin e shtretërve (periudha 2015-2021).

Shqipëria karakterizohet nga një ofertë e gjerë dhe e larmishme, falë pranisë së llojeve të ndryshme të turizmit.

Ndër pikat e forta, është mikpritja shqiptare. Ky tipar është i njohur mes shqiptarëve dhe përfaqëson një “burim unik”, duke i shtuar vlerë konkurruese atyre veçorive shqiptare të cilat mund të gjenden edhe në vende të tjera, si deti dhe plazhet me diell, qytetet e vjetra, fshatrat piktoreske dhe malet me dëborë.

Një avantazh tjetër është shumëllojshmëria e peizazheve dhe kulturave brenda një hapësire të vogël: Shqipëria është një lloj “Europe në miniaturë”, ku turistët, brenda pak kilometrash, mund të shkojnë nga malet në det, dhe nga kultura paksa arkaike e fshatrave, në kulturën e globalizuar të një qyteti të madh ose vendpushimi bregdetar.

Ekziston gjithashtu mundësia që gjatë rrugës, të hasni një qytet të pasur me art, ose një vend të listuar në UNESCO.
Së fundmi, duhet pasur parasysh se industria e turizmit shqiptar, ka lindur së fundmi. Kjo nënkupton se hotelet janë ndërtuar në kohët e fundit dhe janë moderne.

Megjithatë, ka ende dobësi. Kryesorja është përqendrimi i ofertës përgjatë zonave bregdetare, simptomë e një varësie të madhe nga burimi “detar”. Kjo ka disa pasoja negative, p.sh. për sa i përket sezonalitetit të të ardhurave, nën përdorimit të kapaciteteve akomoduese dhe burimeve të tjera parësore.

Kjo dëshmohet edhe nga një vlerë e ulët e treguesit mesatar të qëndrimit, që ndikon negativisht në një variabël themelore: të ardhurat nga shpenzimet e turistëve jo-rezidentë. Varësia e Shqipërisë nga Europa është e madhe (mbi 90%), gjë që tregon nevojën për të diversifikuar tregjet e synuara.

Përqendrimi i ofertës përgjatë zonave bregdetare, shenjë e një varësie të madhe nga burimi “detar”, ka një tjetër pasojë negative: mbipopullimin e mundshëm në zona të caktuara, që paraqet probleme përsa i përket qëndrueshmërisë së dobët të zinxhirit të furnizimit të turizmit, në një periudhë afatgjatë.

Së fundmi, duhet të merret parasysh prania e ofertës së turizmit joformal.

Vitin e kaluar, Shqipëria regjistroi shifra historike të turizmit, me më shumë se 10 milionë turistë të huaj që vizituan vendin. A besoni se ky “shpërthim” i turizmit në Shqipëri, ka gjasa të vazhdojë me kalimin e kohës dhe të jetë i qëndrueshëm, apo mund të jetë një prirje e përkohshme që do të zhduket me kalimin e kohës?

Shqipëria i ka të gjitha kushtet paraprake për të pasur një rrugë të shëndetshme dhe të qëndrueshme të rritjes së turizmit, duke filluar që nga oferta turistike. Sigurisht, kjo mund të bëhet duke shfrytëzuar maksimalisht potencialin e saj.

Në veçanti, turizmi blu duhet të integrohet me veprimtari të larmishme turistike: Shqipëria është “e pasur me mundësi”!

• Alpet Shqiptare dhe Malet e Korabit (2764 metra) dhe një shumëllojshmëri liqenesh, shpellash dhe luginash të lumenjve akullnajorë;
• Afro 250 liqene natyrore dhe më shumë se 800 liqene artificiale;
• 15 parqe kombëtare;
• Rreth 2,000 monumente kulture, numri i dytë më i madh i monumenteve të kulturës për frymë, në pellgun e Mesdheut;
• Ekzistojnë gjithashtu 4 prona (materiale dhe jomateriale) të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore UNESCO:

– 2 kulturore: Butrinti dhe qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës.
– 1 natyrore: Pyjet e Lashta të Karpateve dhe Rajoneve të Tjera të Europës.
– 1 e kombinuar: Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit.
– Përveç kësaj, isopolifonia popullore shqiptare është e regjistruar në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

• Dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, Shqipëria ka një nga traditat më të lashta të verës në Europë, që daton që nga epoka e bronzit, dhe ishte një prodhues dhe eksportues kryesor i verës në kohën romake dhe bizantine.

Falë shumëllojshmërisë së burimeve, duke përfshirë detin, malet, lumenjtë, liqenet, komunitetet rurale, vendet kulturore dhe arkeologjike, ka një shumëllojshmëri të gjerë të llojeve të turizmit, shumë prej të cilëve tashmë janë zhvilluar ose po zhvillohen në disa zona të rajonit.

Potenciali ekonomik i turizmit shqiptar mund të rritet ndjeshëm duke synuar një përmirësim më gjithëpërfshirës të ofertës dhe zhvillimin e një sistemi turistik “të integruar”, që ndërthur kulturën, gastronominë, verën, malet, folklorin dhe bregdetin. Kjo qasje shfrytëzon sinergjitë organizative dhe “produktive”, me sektorët e ngjashëm, duke rritur potencialin ekonomik të turizmit shqiptar.

Kujtojmë se në Shqipëri, veprimtaria ekonomike e gjeneruar nga sektori “udhëtime dhe turizëm” (duke përfshirë hotelet, agjencitë e udhëtimit, linjat ajrore dhe shërbime të tjera të transportit të pasagjerëve, por duke përjashtuar shërbimet e udhëtarëve), arriti në 1.7 miliardë dollarë në vitin 2022, duke përbërë 9.4% të Pordhimit të Brendshëm Bruto (PBB) total (sipas të dhënave të WTTC-së).

Kur merren parasysh efektet më të gjera të investimeve, zinxhirit të furnizimit dhe ndikimeve nga të ardhurat, kontributi i përgjithshëm i këtij sektori, arrin në 3.9 miliardë dollarë, i barasvlershëm me 21.6% të PBB-së totale.

Shqipëria po përshtatet me këto modele, falë investimeve thelbësore në cilësi (zhvillim, teknologji, trajnim, organizim, etj.), disa prej të cilave po ndërmerren në vitet e fundit, duke marrë parasysh karakteristikat unike të territorit shqiptar.

A mendoni se Shqipëria ka kapacitete për të përballuar rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve të huaj, me të njëjtin ritëm me atë të viteve të mëparshme?

Volumet e regjistruara në sektorin e turizmit në Shqipëri, janë vërtet domethënëse, por në të njëjtën kohë, ato mund të jenë kalimtare dhe madje të dëmshme, në qoftë se nuk integrohen në rrugën e rritjes së larmishme dhe të qëndrueshme të vendit, siç tregojnë qartë rastet e ngjashme ndërkombëtare. Çështjet që duhen marrë parasysh në këtë aspekt, janë kostot sociale dhe ekonomike të turizmit të jashtëm, si dhe cilësia e shërbimeve turistike.

Faktorët e jashtëm, si rënia e kërkesës ndërkombëtare për turizëm për shkak të krizave ekonomike, luftërave, paqëndrueshmërisë së kursit të këmbimit, epidemive ose fatkeqësive natyrore, mund të sjellin goditje të përkohshme.

Përtej evolucionit të situatës ekonomike dhe gjeopolitike ndërkombëtare, veçoritë e turizmit në Shqipëri, do të varen nga veprimet e vetë Shqipërisë!
Ajo që mund të themi me siguri, është se kjo rritje nuk mund të arrihet pa kapitalizuar pikat e forta dhe eliminuar dobësitë. Politikat e turizmit nuk janë më thjesht një opsion, por një domosdoshmëri.

Duhet të ndiqen disa objektiva të ndryshme. Objektivi i parë është zbutja e shpërndarjes së pabarabartë territoriale të ofertës së mikpritjes, e cila rezulton në mbi përdorimin ose nën përdorimin e burimeve parësore. Kjo mund të arrihet përmes veprimeve që nxisin zhvillimin e njësive akomoduese në zonat e pashfrytëzuara dhe në të njëjtën kohë, shkurajojnë ndërtimin e tyre në zonat në rrezik mbi përdorimi.

Objektivi i dytë është sezonaliteti i lidhur me turizmin detar. Ulja e varësisë nga burimi “detar” dhe minimizimi i pabarazisë së të ardhurave në industrinë e hotelerisë sipas sezoneve, mund të adresohet nëpërmjet stimujve dhe masave dekurajuese për vendet ku mund të bëhet biznes.

Prandaj, është e nevojshme që të përqendrohemi në “burimin unik”, konkretisht në tiparin e mikpritjes së shqiptarëve, duke mbështetur zgjedhjet strategjike dhe politikat e çmimeve për të mbrojtur industrinë e turizmit nga konkurrenca, nëpërmjet ofrimit të destinacioneve zëvendësuese.

Gjithashtu, si pjesë e synimit për të rritur kapacitetin konkurrues të të gjithë industrisë së turizmit përballë konkurrencës ndërkombëtare të tanishme, në zhvillim ose potenciale, duhet të nxitet edhe bashkëpunimi midis ndërmarrjeve, duke përfshirë bizneset e lidhura me investimet e huaja direkte (IHD).

Ky bashkëpunim synon të nxisë integrimin midis kompanive të mikpritjes dhe atyre që ofrojnë shërbime plotësuese. Legjislacioni që mbështet bashkimet, blerjet, partneritetet strategjike dhe ekskluzivitetin, mund të luajë një rol vendimtar në këtë drejtim.

Një tjetër synim është bashkërendimi i synimeve të politikave turistike me ato të politikave të tjera sektoriale. Kjo është thelbësore për zgjerimin e përfitimeve të industrisë së mikpritjes në industri të tjera të ndërlidhura.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është e nevojshme që të forcohet parimi i transparencës që qëndron në themel të një zhvillimi ekonomik të rregullt dhe të qëndrueshëm. Përmirësimi i industrisë së mikpritjes përfshin ndërmarrjen e veprimeve për të nxjerrë veprimtaritë joformale/joligjore nga “zona gri” ose “zona e zezë”.

Cilat mendoni se janë kufizimet kryesore të turizmit në Shqipëri dhe sfidat e zhvillimit të mëtejshëm të turizmit në vendin tonë?

Një nga sfidat e reja që duhet përballuar, është pa dyshim gjetja e një rruge për rritje të qëndrueshme, të integruar dhe të larmishme. Me fjalë të tjera, roli dhe rëndësia e zhvillimit të turizmit cilësor shumëdimensional.

Thelbi i strategjisë është forcimi i ofertës së turizmit dhe shërbimeve shumëdimensionale, me qëllim ndërtimin e një sërë shërbimeve për klientë të ndryshëm.

Nëpërmjet një analize gjithëpërfshirëse të sektorit, duke përfshirë pikat e forta, pikat e dobëta dhe synimet që duhen arritur, është e mundur të përvijohen disa politika për të ardhmen.

Është e nevojshme të sigurohet një menaxhim dhe trajnim profesional për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve që ofrohen.

Pika të tjera të rëndësishme janë dixhitalizimi dhe risia për rritjen moderne të sektorit, si dhe përmirësimi i infrastrukturës. Duhet theksuar se duhet bërë më tepër përparim me disponueshmërinë e rrugëve të komunikimit për zhvillimin e zonës.

Një tjetër pikë e rëndësishme është promovimi i vendit në nivel ndërkombëtar, që është çelësi për të shënjestruar një grup të ri turistësh. Që turistët të zgjedhin Shqipërinë si destinacion pushimi, ata duhet të jenë të mirëinformuar për të.

Të mos harrojmë se, për të evoluar, tregu i turizmit duhet të përafrohet me standardet ndërkombëtare, duke garantuar një cilësi të mirë shërbimi në të gjithë vendin. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të ulet oferta “joformale” dhe të synohet për një sistem “të ndërlidhur”, i cili përqendrohet në sinergjitë për rritjen e sektorit.

Prandaj, këtu do të luajnë një rol vendimtar investimet për ta bërë këtë rritje të qëndrueshme me kalimin e kohës, duke favorizuar një larmi më të madhe destinacionesh, dixhitalizimin e ofertës, shërbime cilësore të përshtatura me nevojat e tregut dhe një sistem të kënaqshëm aksesueshmërie dhe lëvizshmërie brenda vendit.

Për ta përmbledhur, ajo çka bie në sy, është vlera e “dyfishtë” e zinxhirit të furnizimit të turizmit shqiptar për zhvillimin ekonomik të zonës.

Së pari, është e dukshme se turizmi mund të ketë një ndikim të rëndësishëm ekonomik dhe shoqëror (në PBB dhe në punësim).

Së dyti, turizmi i evoluar, i integruar dhe i qëndrueshëm, përfaqëson një mundësi për të aktivizuar zinxhirë të rinj prodhimi dhe furnizimi në zonë, duke qenë përfitues për të gjithë sistemin ekonomik kombëtar.

Kjo, nga ana tjetër, do të rriste efektin joshës të vendit për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare, veçanërisht nga Italia, jo vetëm në fushën e infrastrukturës, por edhe në të gjithë ekosistemin industrial të lidhur ngushtë me zinxhirin e furnizimit të turizmit, si industria agroushqimore, industria tekstile, industria krijuese, shërbimet dixhitale dhe teknologjike.

Si prisni që projektet e mëdha të marinave (Durrës, Vlorë) të ndikojnë në perspektivat e zhvillimit të turizmit në Shqipëri?

Një hamendësim i rëndësishëm është se qasja dhe lëvizshmëria e brendshme e një zone, janë faktorë thelbësorë për zhvillimin e turizmit, ku portet dhe aeroportet luajnë një rol kryesor në turizmin ndërkombëtar. Veçanërisht, ka pasur një rritje të madhe në përqindjen e turistëve që vijnë në rrugë tokësore, kryesisht falë përmirësimit të rrjetit rrugor të brendshëm dhe ndërkufitar.

Për më tepër, rritja e mbërritjeve në rrugë ajrore, mund të ketë lidhje me ofertën e fluturimeve nga linjat ajrore me kosto të ulët dhe infrastrukturës së përmirësuar në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit, “Nënë Tereza” në Rinas. Aeroporti që po ndërtohet në Vlorë, mund të nxisë më tej trafikun ajror.

Aksesueshmëria dhe lëvizshmëria e brendshme e një zone, kanë qenë faktorë vendimtarë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, por ato duhet të përmirësohen dhe të jenë më efikase. Kjo për Shqipërinë nënkupton një rrjet hekurudhor funksional (kujtojmë se trafiku hekurudhor është ende i pezulluar në vend), duke vijuar me përmirësimin e rrjetit të autostradave që krijon lidhje me rrjetin paneuropian.

Për sa i përket transportit ajror, ai është i lidhur ngushtë me evoluimin e lëvizjeve turistike. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës regjistroi 7.25 milionë lëvizje pasagjerësh në vitin 2023. Aeroporti i ri që po ndërtohet në Vlorë, mund t’i japë një shtysë të re turizmit.

Së fundmi, është edhe transporti detar. Rëndësia e mbërritjeve nga deti me tragete roll-on/roll-off (kargo me rrota), po zvogëlohet. Megjithatë, ky lloj trafiku mbetet elastik për shkak të kërkesës që vjen nga emigrantët shqiptarë në Itali dhe rritjes së numrit të turistëve nga vendet fqinje.

Duhet mbështetur transporti detar dhe projektet e mëdha të marinave (në Durrës, Vlorë).

Një projekt i madh turistik është planifikuar për portin e Durrësit, konkretisht “Durres Yacht & Marina” për anijet turistike dhe jahtet luksoze.

Ky është investimi më i madh në historinë e vendit deri më sot, me një vlerë rreth 2 miliardë euro, dhe synon të shndërrojë plotësisht portin që ndodhet në bregdetin e Adriatikut, me synimin për ta bërë atë një nga destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, me një ndikim jo vetëm në zhvillimin e qytetit bregdetar, por edhe në ekonominë e vendit dhe të gjithë rajonit.

Të dhënat nga plani i biznesit, tregojnë se, të paktën në fazën fillestare, ky është një projekt i pasurive të paluajtshme, me një total prej gati 13 mijë banesash të planifikuara për ndërtim dhe 280 shtretër për jahte. Projekti gjigant do të mbulojë një sipërfaqe prej rreth 450 hektarësh dhe pritet të krijojë rreth 12,000 vende të reja pune gjatë fazës së ndërtimit.

Projekti i marinës jo vetëm që premton zhvillim ekonomik, por gjithashtu i jep përparësi qëndrueshmërisë, duke adresuar sfidat mjedisore në zonë, e cila është ndotur rëndë për shkak të mbetjeve të lëshuara nga anijet përgjatë dekadave. Për më tepër, projekti është ekologjik, sepse përdor energjinë diellore.

Një tjetër projekt për zhvillimin e turizmit, ka të bëjë me portin e Vlorës, i dyti më i madh në vend. Projekti përfshin ndërtimin e një marine të re, si dhe një zonë banimi ngjitur me ndërtesa tregtare dhe hotele.

“Vlora Marina” do të zëvendësojë portin e vjetër industrial të qytetit, duke e shndërruar atë në një port modern jahtesh dhe mega-jahtesh, me një kapacitet prej rreth 400 shtretërish, duke përfshirë infrastrukturën për të akomoduar flotën në rritje të anijeve të turizmit detar që vizitojnë zonat e mbrojtura detare të afërta, si ishulli historik i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit, që ndan detin Adriatik dhe Jon.

Vetëm ndërtimi i marinës, që duhet të përfundojë deri në vitin 2025, kap vlerën e 45 milionë eurove.

E vendosur strategjikisht në ngushticën e Otrantos, pika më e ngushtë midis Italisë dhe Shqipërisë, midis Europës Perëndimore dhe Ballkanit, dhe që ndan detin Adriatik dhe Jon, “Vlora Marina” ka mundësinë të luajë një rol kryesor në rritjen e vazhdueshme të sektorit të turizmit shqiptar. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular