BallinaAktualitetPROFIL/Beqir Potka dje sfidoi komunizmin, sot histori suksesi në SHBA, libri i...

PROFIL/Beqir Potka dje sfidoi komunizmin, sot histori suksesi në SHBA, libri i jetës “AMERICAN DREAM” shfaq interesin e Hollivudit

Nga Mina HYSA
Instalimi i regjimit komunist në Shqipëri pati kosto të jashtëzakonshme për vendin duke e çuar në izolim të plotë ndaj botës. Për liri as bëhej fjalë, e ndërkohë, mohimi ose më saktë rrëmbimi i pronës private nga shteti me kolektivizimin i çoi shtetasit e Republikës së Shqipërisë Komuniste, veçanërisht ata që jetonin në fshat, mbi 60% e popullsisë, në varfëri ekstreme. Shqiptarët janë përballur me diktaturën më të egër në planet, por disa prej tyre kanë mundur të shpëtojnë nga ferri komunist duke guxuar për të rrezikuar. Duke e konsideruar veten pjesë e një “varreze kolektive” nën administrimin e qeverisjes komuniste disa trima në kuptimin e plotë të fjalës, të ndriçuar shumë në atë çfarë po bënin dhe të bindur çfarë i priste nëse plani i tyre nuk realizohej, janë arratisur nga Shqipëria. Një pjesë nuk ia kanë dalë dhe janë vrarë në kufi ose burgosur e pushkatuar, të tjerë që kanë qenë të shumtë kanë prekur lirinë dhe realizuar ëndrrën e tyre.
Njëri prej tyre që do të vij sot në startnews.al si shembulli më i mirë për tu ndjekur në atë çfarë përcjell si individ, por dhe historia e jetës së tij frymëzuese është etalion për brezat në vijim, se vetëm duke besuar dhe guxuar mund të arrish suksesin, fitosh lirinë dhe sfidosh padrejtësinë.
Quhet Beqir Potka, i martuar dhe baba i tre fëmijëve (dy vajza dhe një djalë), është një histori suksesi për atë çfarë ka arritur sot në tempullin e demokracisë dhe vendin e lirisë në botë SHBA, por që për të mbërritur deri këtu ka kaluar përmes mjaft sakrificash.
Kur dëgjon historinë e Mr.Potkës të duket gati e pabesueshme ajo çfarë mëson. Kjo bëhet edhe më e vështirë për ata të cilët nuk kanë jetuar apo kujtojnë ditë nga komunizmi shqiptar, për të tjerët që jetuan burgosjen brenda vendit nga diktatura historia e Beqir Potkës është frymëzim dhe meriton vlerësimin më maksimal. Njerëz të tillë që sfiduan hapur regjimin dhe me jetën e tyre, janë krenari shqiptare, janë dallëndyshet që lajmëronin herë pas here ndonëse në mënyrë sporadike ardhjen e demokracisë në Shqipëri. Me aktin e tyre të arratisjes, ku në kufi i priste plumbi, këta qytetar të Republikës jepnin shembullin në mënyrë të pazëshëm se; më mirë të vdekur, se nën komunizëm! Koha iu dha të drejtë atyre!
Persekucionin komunist dhe arratisja në kërkim të lirisë
Vendimi i Beqir Potkës për të ikur nga vendlindja, për të sfiduar me jetë diktaturën, për të lënë pas familjarët nën presionin që do të ushtrohej nga arratisja e tij, nuk erdhi pas një ëndrre nate që në mëngjes të bëhej realitet. Nuk do të ishte aspak kështu. Mr.Potka rrjedh nga një familje korçare me tradita, atdhetare, punëtore dhe me një ekonomi të mirë vënë me punë dhe djersë nga të parët dhe rrëmbyer nga komunizmi një ditë të zezë përmes reformës Agrare. Ai është dëshmitar i një Shqipërie që po hante bijtë e vet, i një vendi që kishte përfunduar në greminë. Familja e tij do të vuante persekucionin komunist sidomos pas kolektivizimit ku i morën tokën dhe bagëtinë të krijuara me mund dhe djersë duke qenë një prej familjeve më të pasura në zonë dhe në vijim do të shpallej si familje kulakësh, term ky që komunistët përdornin në kontekst negativ për damkosjen e familjeve të mëdha. 
I ndeshur me një kalvar vuajtjesh, Beqir Potka kishte kalkuluar gjithçka dhe në mendjen e tij tashmë ekzistonin dy versione: Ikja drejt lirisë, ose plumb në kufi!
Vendimmarrje e vështirë kjo, por për çfarë sytë i kishin parë Mr.Potkës nuk kishte rrugë të mesme. Vuajtjet e kishin bërë burrë, burgosja e të afërmeve dhe familjarëve të zgjuar dhe trim, për të menduar se nuk jetohej më nën Shqipërinë komuniste, shkëmb graniti buzë Adriatikut siç e trumbetonte regjimi.  Komunizmi iu kishte marr gjithçka edhe atë pasuri të trashëguar nga të parët nga puna e tyre në Amerikë. Të ishe një familje e madhe, punëtore dhe patriote nuk do të ishe e konsideruara e komunizmit. Familja Potka nga fshati Lavdar i Korçës pranë Voskopojës, i vendosur në Dvoran, pikërisht se ishte derë e madhe dhe nuk do të pajtohej me padrejtësitë do të vuante nga persekucioni komunist. Vëllai i gjyshit të Beqir Potkës kishte punuar në Shtete të Bashkuara të Amerikës për tu kthyer në Korçë në vitin 1920 pa e ditur se çfarë do ta priste këtë familje. Nga paratë e punës në Amerikë kishin blerë toka duke qenë një prej familjeve të mëkëmbura në zonë. Por me instalimin e diktaturës, reforma agrare iu mori të gjitha çfarë kishin mundur të ngrinin me mund dhe djersë. Nga të rezistuarit nuk të mungonte as hakmarrja ku Beqir Potka mban mend shumë mirë arrestimin e babait, bërjen e gjyqit në fshat dhe dënimin me 8 vjet dhe do të bënte 1 vit e 5 muaj.
Familja Potka nuk kishte bërë asnjë mëkat apo krim, kërkonte thjesht të mos iu rrëmbehej pasuria e vënë me djersën e ballit. Bajgat komuniste nuk mund të duronin një të tillë familje e cila shihte punën e vet. Beqir Potkës nuk i nevojiteshin më shumë prova se sa; gjyqi publik në fshat dhe shoqërimi i gjithë fisit, nxjerrja e rrobave jashtë shtëpisë, vënia e babait, Ymerli Potka në pranga vetëm e vetëm sepse kërkonte që të mos i merrej bagëtia dhe toka, që të kuptonte që ai sistem ishte vrasës e duhej shpëtuar prej tij.
I kujton ende sot lotët në sy, lutjet dhe vrapimin pas makinës së Sigurimit të Shtetit për të iu kërkuar të ia linin të lirë të atin i cili po vihej në pranga padrejtësisht. Fjalët e Beqir Potkës do t’i merrte era dhe komunizmi me strukturën më kriminale të kohës Sigurimin e Shtetit do të vepronte duke ia arrestuar babain dhe lënë familjen e tij me 3 fëmijët në pritje të kthimit të babait në shtëpi me shpresën shëndoshë e mirë. Madje Mr.Potka që në moshën 11 vjeçare ishte terrorizuar nga dhimbja për babain pas vizitës që i kishte bërë në burg, të cilin nuk kishte mundur ta njihte mes të tjerëve pasi ishte bërë kockë e lëkurë. Çfarë mund të pritej më nga diktatura; persekucioni dhe varfëria, arrestimet dhe pushkatimet, ishin mjaftueshëm për të menduar për të shpëtuar nga ai realitet. Për Beqir Potkën largimi nga Shqipëria ishte rruga e vetme për të fituar lirinë, porse që kjo të ndodhte kishte nevojë për një plan. Dëshira për arratisje ishte e hershme, por pas disa bisedave mes kushërinjsh në banjot publike të Korçës si vendi më i sigurt, më  8 shkurt të vitit 1989 nisi të zbatohej plani.
Arratisja, vendosja në Greqi, protesta tek ambasada shqiptare dhe largimit drejt SHBA
Arratisje dhe në Liri, ose plumb në kufi! Nëse do të kapeshe do të burgosej me të paktën 20 vite për tradhti ndaj atdheut ose do të pushkatohej. Këto ishin opsionet që kishte konsoliduar brenda vetes Beqir Potka, por ai në favor të tij ishte vetëm një; ikjen. Ai nuk mund të jetonte më asnjë ditë në Shqipërinë komuniste. Ndaj më 8 shkurt të vitit 1989 vendosi largimin nga Shqipëria. Bindi një kushëri që ishte dhe ai i pakënaqur me regjimin dhe si regjisor bënë skenarin e arratisjes. Ikja nuk do të ndodhte as nga Korça duke qenë se kishin kufirin afër, as nga Dibra ku kushëriri kishte bërë ushtrinë, pasi sipas tij ishte shumë e vështirë, por nga zona kufitare në jug të vendit, por edhe këtu jo rastësisht. Arratisja do të ndodhte nga Grazhdani, mal mes Gjirokastrës dhe Sarandës pasi aty kishin po një tjetër kushëri ushtar. Takimi me kushëririn e tyre ushtar do të kishte brenda kërkesën surprizë që i bënë për ikjen nga Shqipëria komuniste. Si fillim kushëriri ushtar i Beqir Potkës ishte gëzuar që i kishin ardhur nga fshati për takim, por kur i bënë kërkesën kjo ishte e pakonceptueshme për të, për pozicionin dhe brumosjen që ai kishte. Sipas Mr.Potkës ushtari kushëri i ishte hedhur kushëririt tjetër që kishte marrë nga fshati që nuk do ta bësh këtë gjë pasi të ekzekutoj në vend! Maturia dhe aftësia bindëse e Beqir Potkës bënë të mundur që edhe kushëriri i tyre ushtar të bindej dhe të nisej bashkë me ta për t’u larguar dhe shpëtuar nga kthetrat e një regjimi vrastar. Kaluan kufirin në Sarandë përmes vështirësisë sepse kloni me tela me gjemba nuk të lejonte lehtë, por udhëtimi i tyre do të përshkonte një territor jashtëzakonisht të vështirë ku vetëm bagëtitë e egra mund të kalonin. Rrugës kishin pikasur ushtarët që për fat nuk i kishin parë dhe në territorin e thepisur vendosin të ngjiten duke rrezikuar seriozisht jetën. Gurët lëviznin dhe ushtarët gjuanin në ajër sepse kujtonin se ishin kafshët e egra, por në atë shkëmb ishte Beqiri me dy kushërinjtë. Ata nuk dinim nga të zbrisnim dhe të ecnin. Në rrugëtimin e tyre në një moment Beqir Potka rrëshqet në një rrëpirë ku për fat kapet tek një shkurre dhe këmbët në ajër. Mr.Potka pa vdekjen me sy,  teksa i ishin errësuar sytë dikush i veshur me të bardha i doli si në ëndërr për t’i dhënë forcë: Ti nuk do vdesësh, do vish këtu! E ndërkohë sa i ishin hapur sytë dy kushërinjtë i kishin zgjatur një dru dhe mundën ta ngrenë lart dhe ta shpëtojnë. Ecën shumë, 3 ditë e netë pa patur destinacion. Natën ecnin e ditën flinin, iu është dashur të përdorin dhe urinën të lagnin buzët nga etja për ujë. Duke zbritur nga piramida poshtë zbritën tek një lum dhe  panë një ekskavator të madh  dhe asfalt të bukur kuptuan që nuk janë më në Shqipëri. Ishin rraskapitur, i zuri gjumi dhe në orët e para të mëngjesit po dridheshin nga i ftohti, ishin të uritur dhe dolën në rrugën kryesore të asfaltuar mirë e duke ecur i dolën para një autobusi ku pas pak minutash del dhe i merr ushtria pas informacionit që i ishte dhënë për disa të arratisur nga Shqipëria.
Sa vajtën i sistemuan dhe iu dhanë të hanë nga një pulë që se kishim parë kurrë më parë as në ëndrrat e tyre, sepse në familjet shqiptare në komunizëm, kjo ndodhte vetëm për raste festash. I morën në pyetje për orë të tëra. Ushtarin e mbajtën edhe më shumë për t’i marr informacion e më pas i transferuan në Athinë ku sërish atje për disa ditë i morën në pyetjet në Ministrinë e Mbrojtjes së shtetit fqinj. Gjatë kohës që ishin në Athinë i lanë të lirë, por pa të drejta, pa një kartë identifikimi prej të cilës të gëzonin mbështetjen si të arratisur nga një vend nën diktaturë. Në Athinë ishin 4 shqiptarë në kamp (3 kushërinjtë Potka dhe një nga Tirana ish polic), mes tyre dhe Mr.Potka, kurse në tërë Greqinë ishin 32 shqiptarë të arratisur dhe kjo bëri që ata të nisin organizimin në kërkim të të drejtave të tyre. Nën drejtimin e Artur Sheqerxhiut një shqiptar që kishte ikur me shumë se 2 vite para dhe ishte zëri i emigrantëve dhe rrinte në zonën e Kastorias, Beqir Potka së bashku me bashkatdhetarët do të bënin demonstratë të madhe. Qëllimi ishte sensibilizimi të arrihej me një demonstratë kundër diktaturës në Shqipëri, por dhe si apel ndaj autoriteteve greke për vëmendje. Shqiptarët i vunë flakën makinës së ambasadorit shqiptar në Greqi dhe u lidhën me zinxhirë para ambasadës dhe njëri prej tyre ishte edhe Beqir Potka. Kjo protestë do të iu shërbente shumë, sepse ata do të legalizoheshin si emigrantë politikë dhe do iu jepej nga një kartë dhe nisi të iu ofrohej ndihmë. Ndërkohë në Shqipëri persekucioni do të vazhdonte ku regjimi i kishte marrë babain e Beqir Potkës e futur në burg si dhe të vëllain e kishin terrorizuar.
Beqir Potka sot histori suksesi në SHBA dhe mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve
SHBA është vendi i ëndrrave të Beqir Potkës. Ai i lutet çdo ditë perëndisë për ekzistencën dhe e falenderon për gjithçka ka arritur deri më sot, e lutja vazhdon dhe për të nesërmen. Ndihet i bekuar nga Perendia që jeton dhe punon në vendin e lirisë, mundësive të pafundme: Amerikë.
Në Greqi Mr.Potka qëndroi 16 muaj e më pas ai kërkoi azil në Shtete të Bashkuara të Amerikës. Në Athinë kujton një bashkatdhetar, Remzi Barroli i cili po nga ky kamp kishte mbërritur në SHBA i cili i kishte shprehur gatishmërinë t’i ndihmonte duke iu dhënë një kartëvizitë që nëse do të shkelte në tokën e premtuar mund ta kontaktonte dhe të ishte si garanci për të. Në fakt historia e largimit të Beqir Potkës nga Greqia është krejt tjetër dhe interesante. Dëshmia më e qartë është bileta me të cilën do të shkonte në Amerikë duke mbërritur me një biletë të paguar nga Kisha Katolike e cila suportonte emigrantët politikë. Në dosjen e tij të transferimit në një  fletë të verdhë shkruhej: – “Bileta është paguar nga ne, por nëse do të dëshirosh dhe do të kesh mundësi pasi të jesh sistemuar në SHBA mund ta kthesh si pagesë, sepse me atë shumë mund të ndihmohet një tjetër si ty”.! E sigurisht, që të ardhurat e para që mundësoi nga puna në tokën e premtuar, vendin e ëndrrave të tij, Mr.Potka do të ia çonte Kishës Katolike me një letër falënderimi prej së cilës mori dhe përgjigjen duke iu konfirmuar marrjen e dërgesës financiare.
Në Shqipëri të gjithë e dinin të vdekur. Komunikimin me familjen Beqir Potka e pati në ato muajt kur regjimi komunist po përpëlitej të jepte shpirt siç fatmirësisht ndodhi. Me nënën ka folur së pari, por telefonata shkëputej, siç duket ende gjithçka përgjohej dhe Sigurimi i Shtetit që ishte i interesuar për këtë komunikim për të ditur vendndodhjen e “Armikut të popullit”, “Tradhtarit të Atdheut”, Beqir Potkës. Takimi me familjen ka mundur ta ketë në vitin 1991 në vendkalimin kufitar Kapshticë pasi Beqir Potka nuk mund të hynte në Shqipëri sepse nuk i lejohej pasi kishte marr azil politik në SHBA. Jeta në tokën e premtuar, vendin e lirisë për Mr.Potkën ka pasur ulje ngritjet e veta, por çdo ditë që ka kaluar e ka ndjekur suksesi, e sot është një histori e vërtetë suksesi që bën krenar çdo shqiptar për atë çfarë ka arritur. Ka bërë disa punë, pa harruar dhe kryerjen e studimeve në SHBA dhe me përuljen e një njeriu punëtor është sot një biznesmen i suksesshëm i tregtimit të tapetave me shumicë në Amerikë, i cili furnizon dhe tregje botërore. Biznesin e ka nisur me një dyqan dhe tani punon si tregtarë shumice. Beqir Potka ka qenë një zë e ndihmë për çdo shqiptarë që ka mundur të jetë në kontakt me të, ka mbrojtur çdo kauzë ku ka qenë mjaft aktiv në aktivitetet dhe prononcimet për mediat amerikane në kohën e krizës në Kosovë ku makineria kriminale me uniforma shtetërore serbe e Millosheviqit vriste shqiptarë të pafajshëm, digjte dhe shkretonte çfarë iu dilte para. Mr.Potka do të ishte mjaft aktiv së bashku me shqiptarët e tjerë në mbrojtje të çështjes shqiptare.
Jeta e Beqir Potkës sot është e skalitur në librin “American Dream” të shkrimtarit të talentuar korçar  Eris Rusi i cili ka ngjallur interesin e lartë të lexuesve dhe mediave shqiptare. Pas sjelljes së këtij botimi të shkrimtarit Eris Rusi përmes shtëpisë botuese Toena, interes kanë shfaqur dhe Hollivudi për të realizuar një film. Për biznesmenin e njohur korçar që prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ky libër përcjell më së miri shpresën për realizimin e ëndrrave të gjithsecilit. Ajo çfarë ishte më interesante, ishte se këtë herë libri erdhi dhe në anglisht, libër që do të jetë në USA për lexuesit besnikë të librit.
“Ëndërr amerikane! E kthyer në realitet! Ky libër është jo vetëm historia individuale e një njeriu, por ilustrim i shpirtit, që arrin të sfidojë të pamundurën, të kërkojë dritën dhe të gjejë shtegun e shpëtimit, përmes këmbënguljes dhe guximit për të sfiduar gjithçka që del përpara si pengesë. Vetë rrëfimi i Beqir Potkës, është zëri i një njeriu që ka jetuar në dy kohë të ndryshme: Diktaturë dhe Demokraci; në dy kontinente të ndryshme: Europë dhe Amerikë; në dy mentalitete të ndryshme: Njeriu turmë dhe Njeriu individualitet. Të gjitha këto ndërthurje, e bëjnë rrëfimin e përfshirë në këtë tekst, që të ketë një rëndësi të veçantë, në rrafshin narrativ dhe në atë njerëzor. Në këtë libër, lexuesi do të njihet me arratisjen nga telat me gjemba të Shqipërisë së mbyllur komuniste dhe ndjekjen e suksesit, të ëndrrës dhe të realizmit në jetë, në Amerikë. Gjatë një harku kohor tridhjetepesëvjeçar, Beqir Potka ka marrë pjesë aktive në ngjarje me rëndësi jetike për kombin shqiptar, ku mund të veçohen mbi të gjitha angazhimi për kthimin e eshtrave të Faik bej Konicës në Shqipëri dhe mbështetja pa kufizim e Kosovës përmes lobimit në USA.
Le të jetë ky libër simbol i ngjarjeve që kthehen të përhershme dhe vihen në shërbim të lexuesit të sotëm. Siç e thotë shpesh dhe mister Potka në rrëfimin e tij: “Gjithçka varet nga njeriu dhe nga depozitat e veprave të mira, në qiell. Guxo dhe Beso, o njeri!”- shpjegon shtëpia Botuese Toena për botimin e sjellë për lexuesin.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular