Kryeministri Edi Rama thotë se nuk pati asnjë marrëveshje me opozitën e Rithemelimit, por thjesht Komisionet Hetimoret që ata kërkuan do ngrihen sipas Kushteutës.
Kreu i qeverisë ironizoi deputetët e opozitës duke thënë se dolën për të bërë revolucion, hodhën fishekzjarrë dhe në fund u ulën aty ku ishin.
Rama thekson se deputetët e opozitës e kuptuan vetë që nuk kishte rrugë tjetër veçse të ktheheshin në parlament.
“Nuk kemi bërë asnjë marrëveshje. Dolën për të bërë një revolucion pa kthim. Ngritën karriget e Parlamentit, morëm edhe të gjithë fishekzjarrët që gjetën rrugëve, i ndezën në Parlament. Thanë kurrë nuk do ulen aty nëse nuk dorëzohet ky. Unë u dorëzova dhe ata u ulën atje. Sic jam dorëzuar gjithmonë.
Kuptuan të thjeshtë fare, që nuk kishin më asnjë mundësi tjetër përveçse të mos rrinin në këmbë, por të uleshin atje. Nuk i kemi dhënë asgjë tjetër veçse atë që i kemi thënë që në fillim. Doni komision hetimore? Shkruajnë si njerëz të civilizuar që respektojnë kushtetutën dhe kornizën e gjykatës kushtetuese. Nuk mund të bërtisni ju dhe të bëni komisione hetimore.
E ngritën ujin përpjetë, pasi e harxhuan ujin që ngritën përpjetë mbërthyen pantallonat dhe u ulën atje ku ishin”, tha Rama në emisionin “Opinion”.