BallinaEkonomiNuk ka prodhim vendas, fluturojnë Importet e frutave dhe zarzavateve, rritje vjetore...

Nuk ka prodhim vendas, fluturojnë Importet e frutave dhe zarzavateve, rritje vjetore me 63% në dy mujor

Importet e frutave dhe zarzavateve u rritën me 63 për qind në periudhën janar-shkurt 2024 në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë, teksa eksportet e këtij grupi po rriten me ritme shume më të ulëta.

Të dhënat zyrtare për tregtinë e jashtme tregojnë se ekonomia shqiptare po rrit dukshëm varësinë në importe, duke reflektuar dëmin që krijoi nënçmimi i euros në sektorin e prodhimit. Këto efekte janë shtrirë edhe në sektorin bujqësor të vendit, i cili po bën hapa pas në vend që të shfrytëzojë klimën dhe pozitën gjeografike që krijojnë kushte për prodhim me cilësor se fqinjët.

Në dy mujorin e pare 2023 importet dhe eksportet e zarzavateve ishin të njëjtat sasi po ky raport u përmbys këtë vit, pasi flukset nga jashtë pësuan rritje të shpejtë.

Rritjen më të madhe e kishte importi i zarzavateve, i cili ishte 79 për qind më i lartë se në dy mujorin e parë të vitit 2023, ndërsa importi i frutave ishte 49 për qind më i lartë në dymujorin 2024 se e njëjta periudhe e vitit të kaluar.

Rritja e importeve po tregon se kërkesa që po shtyhet nga turizmi nuk po e rrit prodhimin vendas, duke bërë që pjesë e parave që lënë turistët në vendin tonë të ikin sërish jashtë për importin e ushqimeve. Nëse ekonomia e vendit nuk i lidh zinxhirët e prodhimit me turizmin, fitimet që duhet të mbeten në vend, po rikthehen jashtë për blerjen e mallrave që i nevojiten konsumit të brendshëm. Të dhënat e tregtisë tregojnë se e gjithë mallrat që lidhen me shërbimet turistike janë rritur dukshëm këtë fillim vit teksa vendi po përgatitet për një rekord të ri vizitorësh.

Bujqësia mund të ishte përfituesi më i madh nga turizmi nëse koordinohen politikat dhe të rritet mbështetja financiarë për sektorin. Por kjo nuk po ndodh. Pakësimi i popullsisë në zonat rurale ka reduktuar mbjelljet në ngastra të vogla për vetë-konsum. Në tkurrje dhe në plakje popullsia e fshatit sidomos në Veri dhe Jug të vendit është kthyer në konsumator të tregjeve.

Nga një vëzhgim në tregjet e pakicës më shumë se 80% e perimeve, frutave dhe zarzavateve në tezga janë nga importi. Patatet dhe fasulet po vijnë nga Egjipti dhe Turqia, perimet dhe frutat nga Greqia, bulmetrat dhe drithërat nga Serbia, Ukraina, Maqedonia e Veriut etj.

Kanalet e importit të ushqimeve janë rizgjuar dhe po intensifikohen, duke dekurajuar edhe më tepër fermerët dhe blegtorët të ushtrojnë profesionin e tyre. Zbrazja e fshatrave nga popullsia po tkurr sipërfaqet e mbjella në fusha në disa kultura dhe, nga ana tjetër, turizmi po nxit rritjen e kërkesës për produkte ushqimore. Për të plotësuar nevojat ushqimore, vendi po i drejtohet importit, i cili po rritet me shpejtësi kohët e fundit. Për të gjithë vitin 2023, importet e ushqimeve në sasi u rritën me 10% në krahasim me vitin 2022, zgjerimi më i lartë në dy dekadat e fundit./B.Hoxha

Burimi: INSTAT
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular