“Në vendlindjen time”, poezi nga Halil Teodori

0
378

nga Halil Teodori

Në vendlindjen time

Magjiplotë vjen pranvera viseve të mia

Pikon mbi lëndina me harenë e blegërimave

Si një prekje mrekullimi.

Gazmendin shpërndan rrahekrah, gjithkah

me aromat dhe ngjyrat e luleve.

Në vendilindjen time

Me fluturat vijnë dhe zanat e malit

E qiellin mbushin përplotë

me pafundësi dhe t’hareshmet fluturime.

Toka rënduar prej peshës së letargjisë

Barrës së dimrit, dëborës dhe cergës

Në vendlindjen time

Jeta gufon e gurron limfën e rizgjimit

Etja dhe ama e gjallërisë pupth kërcen

Si qingjat në bashtinat njomzake

E hokat e fëmijëve që ladrojnë err e terr

Në vendlinjen time

Dielli derdhet si ujëvarë mbi gërsheta vashash

Bukurinë rrezet ua shkruajnë plot passion.

Nënat si shkembinjtë, përmallshëm kundorjnë

E hovshëm e përcjellin panoramën që të magjeps

Në vendlinjen time

Askund më i kaltër se në viset e mija s’është qielli

Më i kthjellët s’janë kurrkund burimet

Krojet ku lajnë sytë fëmijët dhe mëngjeset

Më shndritshëm agu nuk çel në asnjë vend

Në vendlinjen time

Këngës ia merr zogu plot ëmbëlsim

Bulkthi mbrëmjeve heshtjen ledhaton

Gjethet dhe hapat fëshfërijnë

Flladi përkund ëndrra dhe foshnja

Në vendlinjen time

Prej maje malesh zbret nata

E pushon mbi kulmet e kullave

Qielli mbushet përplot me yje

Yje që ende nuk i numëruam të gjithë

Edhe mbrëmjeve kur shtriheshim lendinave

E thurnim me llamburitjen e tyre diejt e ardhmërisë

Në vendlinjen time

Vendilindja ime, bekur qofsh me djepet e tu

Lartësuar je me historinë e lavdinë tënde

Krenari kumton prej trimave dhe luftrave

Etje nuk kishe edhe kur gjaku shkonte si krua

Uri nuk ndjeve edhe kur dhëmbët t’i skërmisnin

Ti ishe dhe je vetëm Zot në zotërimet e tua

Vendlindja ime

Erdhën dhe ikën hordhi dhe kohëra

Shkruam e shfletuam histori dhe bëma

Kuvenduam më legjenda

E gji na mëkuan të Bukurat e Dheut

Tash thinjat dhe majet me dëborë na zbardhin

Vitet dhe ecjet më krenojnë

Mua, birin tënd, vendlindja ime

Më dhe jetë nga jeta jote, vendlindja ime

Bukën e maxhës tënde kam në shtat

Krenarinë e majemaleve, të skalitur e kam në ballë

Shtigjet e shkrepat në gjurmë dhe rrugë i shkruaj

Kam në mu gjithçka tënden vendlindja ime

Bekimin e zotit tënd mora para çdo beteje

Në çdo triumf në kupë të qielli e ngrita emrin tënd

Unë jam tek ti e tij je në mua

Sot e përgjithmonë

Vendlindja ime