BallinaKultureMillosh Gjergj Nikolla, dibrani nga Reka që u kthye në uraganin e...

Millosh Gjergj Nikolla, dibrani nga Reka që u kthye në uraganin e poezisë shqipe!

Nga Halil Teodori

Poeti i mjerimit, liriku tragjik, Migjeni, është padyshim një ndër personalitetet më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare të shekullit të shkuar. Por edhe sot ai është poeti më i preferuar, zëri më i fuqishëm i denoncimit të problemeve sociale, të cilat ironikisht janë sfida edhe sot. Kjo ka bërë që vargjet e tij të shërbejnë si refren i shumë kushtrimeve të zërit të protestës.

Është madhështia e këtij poeti, ajo që e ka bërë atë të lajkmuar për ta pretenduar. Shkodra ku ai u lind më 13 Tetor 1911 e ka promovuar dhe përfaqësohet prej tij. Por pak, fare pak e dinë se Migjeni është me prejardhje nga Dibra. Janë studiues dhe hulumtues të ndryshëm, të cilët e kanë vërtetuar këtë.

Siç dihet, Millosh Gjergj Nikolla, është emëri i vërtetë dhe i plotë. Migjeni, i përbërë nga bashkimi i dy gërmave fillestare të tre emrave të tij, është pseudonimi ose emri i tij i artit.

Poeti u lind më 13 Tetor 1911, në Shkodër, në mëhallën e Fretënve, në atë shtëpinë përballë kishës së tyre, e cila u prish më 1940. Që të zgjerohej rruga dhe sheshi përpara kishës së Françiskanëve.

Duke u fokusuar te origjina dibrane e Migjenit, referohemi (Migjeni, Vepra, bot. 1957, f 5; f 7) se “gjyshi Nikolla Dibrani – quhej me këtë mbiemër, se familja e tij e kish origjinën nga Dibra e Madhe, nga fshatrat ortodokse shqiptare të Rekës… Nikolla… u njoh dhe u martua me Stakë Milanin, një vajzë shqiptare nga Kuçi i Malit të Zi, e cila kishte edhe ajo, si gjithë banorët e asaj krahine, shqipen si gjuhë amëtare… Nikolla Dibrani humbi jetën në Mal të Zi aty nga moti 1876…” .

“Deri më sot, mbiemri gjenerik i families së Millosh Gjoko Nikolla, në origjinalin e tij të origjinës, nga Reka e Dibrës, ka qenë në formën Nikoliç dhe me shkrimin cirilik. Sado që u përpoq dhënduri S. Luarasi të sajonte një lloj “përmirësim –shqiptarizimi” ku mbiemri gjenerik na kish qenë Dibra, nuk solli dot asnjë lloj çertifikatë të gjendjes civile apo të kishës. Kështu kjo “Dibra-Dibrani”, mbetej vetëm si një mbiemërtesë profesioni, kur shkodranët e shek XIX dhe ata deri vonë të shek XX, quanin të gjithë muratorët nga Dibra. Nuk ka asnjë rast që Nikoliçët origjinarë apo ata pasardhës ta kenë përdorur mbiemrin gjenerik Dibra a Dibrani qoftë edhe në një dokument të vetëm! (Shih nga ne, “Migjeni, Dokumente të pa shfrytëzuara, ku fshihen disa të vërteta”, bot. “Gazeta Shqiptare”, Suplementi MILOSAO, 11 tetor 2009, XIV-XV).

Studjuesi Agron Luka në një material shterues të problematikave që kanë lidhje, si me ditëlindjen ashtu edhe me origjinën e Migjenit, sqaron se edhe për sa i përket familjes së Stajka Milaniç, kurrsesi S. Luarasi nuk ka sjellë asnjë lloj vërtetimi e dokumenti as nga gjendja civile e as nga ajo kishtare dhe as nga tradita e njohësve të afërt komshinj, që të definonte me siguri absolute që origjina e saj ishte shqiptare e që gjuhë amtare na kishte patur shqipen!

Në kundërshtim, përkundrazi sa thonë me imponim Luarasët, ka dëshmi më të plota që kjo gjyshe Stajka Milaniç, gjuhë të parë kishte nashken, ndërsa shqipen e fliste aq sa kishte mësuar në Shkodër.

Gjithashtu, për një kuadër më të plotë dhe sqarim më të argumentuar referohemi edhe se çfarë shkruhet në Wikipedia në kapitullin prejardhja, në të cilin shkruhet se Gjyshi, Nikolla (v. 1876) nga Reka e Dibrës shkoi në Podgoricë punonte në ndërtim dhe mbiquhej Nikollë Dibrani. Atje u njoh me Stanka Stanishtin, ortodokse malazeze, pasi u pëlqyen, e grabiti dhe u vendosën në Shkodër. U bënë me dy djem: Kriston/Kërston dhe Gjergjin/Gjokon (1872-1924). Sipas vajzës së axhës, Lekosavës, familja e tyre kishte prejardhje shqiptare; sipas Pipës, ishin me origjinë sllave.

Gjergji më 17 shtator 1900 u martua me Sofinë e Anastas Kokoshit. Më 1910 Gjergji zuri një ushqimore dhe dhjetë vjet më vonë, kur vdiq baxhanaku Ilia Trimçev, mori ëmbëltoren e tij, të cilën e mbajti gjersa vdiq, më 21 mars 1924, në moshën pesëdhjetë e dy vjeç. Qe përfaqësues i komunitetit ortodoks të Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922, ku u shpall Autoqefalia e Kishës Ortodokse.

Në këtë dyqan e ndihmoi fëmija i parë i shtëpisë, Nikolla, që pati lindur më 30 tetor 1901 dhe vdiq një mot pas t’et nga pleuriti. E ëma vdiq që në 1916 duke lënë gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza). E ëma ish edukuar në seminarin katolik të Shkodrës, të drejtuar nga murgesha italiane. E dërrmuar nga këto fatkeqsira që e pllakosën njëra pas tjetrës, vdiq më 1926 edhe gjyshja tetëdhjetëvjeçare. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në shkollën fillore në Shkodër. Shtëpia ku lindi Migjeni ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçeve, shtëpi ku u bë Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993. Babai i Miloshit quhej dhe shkruhej Gjoko ose Xhorxhe/Gjorgje dhe nuk ka asnjë lloj dokumenti ku të shkruhej Gjergj! Edhe në një dokument ku ka tentuar të kacavirret migjenisti dr. M. Zeqo, ky emër figuron Gjiko Nokoliq dhe jo si Gjergj! saktëson Luka.

Janë këto dëshmi dhe këto referenca, të cilat sjellim një saktësim shumë të rëndësishëm për Migjenin, sepse origjina është tabani i formimit.

Arsimin fillor Migjeni e mori në qytetin e lindjes, në një shkollë ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar, ku ndoqi gjimnazin e ultë.. Daja, Jovan Kokosheviqi, i nxorri bursë për në gjimnazin e Manastirit, ku kreu dy vitet e fundit të semimaturës më 1925/26 dhe 1926/27. Më pas fitoi të drejtën e studimit shkollim fetar dhe u regjistrua në seminarin ortodoks “Shën Gjon Teologu”. Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet “bir i Gjergjit, tregtar”. Me atë “Dëftesë Pjekurie” e përcaktonte për detyra klerikale.

Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka. Një vit qëndroi pa punë, më pas në vitet 1933-1935 punoi si mësues filloreje në Vrakë kur u sëmur ose iu përkeqësua tuberkulozi. Vitin arsimor 1935-36 kthehet dhe shërben në Shkodër; vitin pasardhës kërkoi që ta transferonin në Pukë – ku përfitoi edhe për shëndet, ndërsa dimrit kthente në Shkodër. Në Pukë i përkeqësohet shëndeti, e zë hemoftiza dhe më 22 dhjetor 1937 shkoi në Torino, ku shpresonte të studionte për letërsi pasi të kurohej. Pas një operacioni të pasuksesshëm në spitalin Valdensian të Torre Peliçes, ndërroi jetë më 26 gusht 1938.

Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai trajtoi varfërinë e viteve kur jetoi, me krijime të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

Një shtysë te posaçme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet ’30 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

Sa më shumë të shkruajmë për Migjenin, për fuqinë e tij krijuese për vargun e tij si një uragan, po aq rëndësi ka sqarimi dhe faktimi i origjinës. Po, ai është nga Dibra, nga një zonë me tradita atdhetarie, trimërie, urtësie dhe krijimtarie artistike. Kjo qasje për ta trajtuar në një tekst origjinën e poetit nuk është për t’ia hequr Shkodrës lavdinë e poetit të madh, zërit të fuqishëm të revoltës. Jo, kjo është një qasje modeste, e cila ka për qëllim saktësimin e gjërave, të cilat duke u neglizhuar dhe mostrajtuar bëjnë që historia të flasë me të pavërteta ose me të vërteta të diskutueshme. Migjeni, ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij të shkurtër dibran, bir i një origjine të pasur dhe me vlera. Migjeni është i të gjithë shqiptarëve, sepse vargu i tij përfaqëson njerëzit e thjeshtë, njerëzit e nënshtruar nga mjerimi. Ai është një zë në shpresën e tyre, një rreze drite, një kulmim shprehës i pakrahasueshëm.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular