BallinaEkonomiSi po e përdorin bizneset Inteligjencën Artificiale gjeneruese dhe ndikimi në botën...

Si po e përdorin bizneset Inteligjencën Artificiale gjeneruese dhe ndikimi në botën e punës

Disa eksperimente janë më të dobishme se të tjerat, shkruan The Economist.

Ka kaluar gati një vit që kur firma OpenAI nxori publikisht GPT-4, modelin më të sofistikuar të Inteligjencës Artificiale, që u përdor si “truri” i platformës ChatGPT, një bisedues novator robotik.

Që nga ajo kohë, industria teknologjike amerikane është rritur ndjeshëm, dhe aksionet e saj kapin gjithsej një vlerë prej rreth 6 trilionë dollarësh.

Për disa kompani teknologjike, rritja e të ardhurave është shoqëruar me rritjen e çmimeve të aksioneve. Më 21 shkurt, kompania Nvidia, e cila modelon çipa që përdoren për të trajnuar modele të Inteligjencës Artificiale, si GPT-4, raportoi rezultatet e parakohshme të tremujorit të katërt, ku u zbulua se vlera e saj e tregut kishte arritur në 2 trilionë dollarë.

Mania e Inteligjencës Artificiale ka rritur edhe çmimet e aksioneve të gjigantëve të tjerë të teknologjisë, si Alphabet (kompania mëmë e Google), Amazon dhe Microsoft, të cilët po shpenzojnë shumë në risitë teknologjike.

Sidoqoftë, shitjet e softuerit të Inteligjencës Artificiale mbeten të ulëta. Në vitin e kaluar, Inteligjenca Artificiale ishte përgjegjëse për vetëm një të pestën e rritjes së të ardhurave të Azure-s, divizionit të teknologjisë kompjuterike cloud të Microsoft.

Kompanitë Alphabet dhe Amazon nuk i bëjnë publike shitjet e lidhura me Inteligjencën Artificiale, por analistët dyshojnë se ato janë edhe më të ulëta se shitjet e Microsoft.

Në mënyrë që lulëzimi i tregut të aksioneve të vazhdojë, herët a vonë, këto firma duhet të fitojnë shuma të mëdha parash nga shitja e shërbimeve të tyre ndaj klientëve.

Bizneset në të gjithë botën, nga bankat dhe shoqëritë këshillimore, e deri te studiot kinematografike, duhet të fillojnë të përdorin mjete të ngjashme me ChatGPT në një shkallë të gjerë. Kompanitë kanë bërë përpjekje jo të mjaftueshme për të përhapur zbatimin e Inteligjencës Artificiale “gjeneruese” në botë, por edhe këto hapa foshnjore, reflektojnë faktin se natyra e punës jomanuale po ndryshon.

Zbulimet e mëparshme teknologjike kanë revolucionarizuar punën në zyra. Përhapja e makinës së shkrimit i la disa punëtorë pa punë:

“Me ndihmën e kësaj makinerie të vogël, një operator mund të kryejë më shumë korrespondencë në një ditë, se dhjetëra nëpunës me stilolaps në dorë, dhe mund të bëjë një punë më të mirë”, tha një vëzhgues në vitin 1888. Përhapja e kompjuterit rreth një shekull më vonë, eliminoi disa detyra administrative të nivelit të ulët, edhe pse i bëri punonjësit me aftësi të larta shumë më produktivë.

Sipas një studimi, kompjuteri është arsyeja kryesore pse ndryshuan kërkesat e punësimit për punëtorët e arsimuar në vitet 1970 deri në vitet 1990. Kohët e fundit, rritja e punës në distancë, e nxitur nga pandemia Covid-19 dhe e mundësuar nga video-konferencat, ka ndryshuar ritmin e punës.

A mundet Inteligjenca Artificiale gjeneruese të nxisë ndryshime po aq të mëdha sa risitë e mëparshme? Nga përvoja me zbulimet e mëparshme teknologjike, kemi mësuar se nevojitet kohë që të ndihen shpërblimet për shoqërinë dhe ekonominë.

Një punonjësi të zakonshëm në një firmë të rëndomtë, i duhet kohë për t’u mësuar me mënyra të reja të punës. Rritja e produktivitetit nga përdorimi i kompjuterit personal, erdhi të paktën një dekadë pasi kompjuteri u bë gjerësisht i disponueshëm.

Deri tani, nuk ka asnjë provë se produktiviteti në ekonomi është rritur falë Inteligjencës Artificiale. Sipas një sondazhi të fundit nga Boston Consulting Group (BCG), shumica e drejtuesve thanë se do të duhen të paktën dy vjet për të përdorur Inteligjencën Artificiale “përtej reklamimit”.

Hulumtimet e fundit nga firma këshillimore Oliver Wyman arritën në përfundimin se përdorimi i Inteligjencës Artificiale deri tani “nuk ka sjellë nivele më të larta produktiviteti”.

Nuk ka pse habiteni

Kjo nuk është për t’u habitur. Shumica e kompanive nuk e përdorin sistematikisht ChatGPT, Google Gemini, Microsoft Copilot, apo mjete të tjera të Inteligjencës Artificiale, edhe pse ato mund t’i përdorin një numër i vogël punonjësish.

Një anketë dyjavore nga Zyra e Regjistrimit të Amerikës, pyeti dhjetëra mijë biznese nëse përdorin ndonjë formë të Inteligjencës Artificiale, qoftë llojin e ri “gjenerues”, apo llojin e vjetër që përdornin kompanitë para vitit 2023 për punë të shumta, nga përmirësimi i rezultateve të kërkimit në internet, e deri te parashikimi i nevojave për inventarë.

Në shkurt, vetëm rreth 5% e kompanive amerikane të të gjitha madhësive, thanë se përdornin Inteligjencën Artificiale. Rreth 7% e firmave thanë se planifikonin ta përdornin atë brenda gjashtë muajve (shih grafikun).

Brenda sektorëve ka dallime të mëdha: 17% e firmave në industrinë e informacionit, që përfshin teknologjinë dhe median, thonë se e përdorin Inteligjencën Artificiale për të prodhuar produkte, krahasuar me vetëm 3% të kompanive prodhuese dhe 5% të kompanive të kujdesit shëndetësor.

Kur Zyra e Regjistrimit mbajti sondazhin për Inteligjencën Artificiale në shtator 2023, u zbulua se firmat e vogla kishin më shumë gjasa të përdornin teknologjinë se ato të mëdhatë.

Sot Inteligjenca Artificiale është më e përhapur mes kompanive të mëdha (me më shumë se 250 punonjës), të cilat punësojnë ekipe të posaçme të Inteligjencës Artificiale dhe kanë mundësitë financiare për të paguar për investimet e nevojshme.

Një sondazh i kompanive të mëdha nga Banka Morgan Stanley, zbuloi se midis fillimit dhe fundit të vitit 2023, përqindja e projekteve pilot për Inteligjencën Artificiale, u rrit nga 9% në 23%.

Eksperimenti

Disa kompani të mëdha po eksperimentojnë furishëm për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Ato po punësojnë me mijëra ekspertë të Inteligjencës Artificiale, siç tregojnë të dhënat nga platforma e punësimit Indeed (shih grafikun).

Vitin e kaluar, Jamie Dimon, shefi i Bankës JPMorgan Chase, tha se banka tashmë kishte “më shumë se 300 programe që operojnë me Inteligjencë Artificiale”.

Firma këshillimore Capgemini thotë se do të “shfrytëzojë Inteligjencën Artificiale gjeneruese të Google Cloud për të ndërtuar një bibliotekë të pasur me më shumë se 500 programe që operojnë me Inteligjencë Artificiale”. Bayer, një kompani e madhe kimike gjermane, pretendon se ka më shumë se 700 programe të tilla.

Kjo “përhapje e rasteve të përdorimit të Inteligjencës Artificiale”, mund të ndahet në tri grupe të mëdha: reklamim, mjete për punëtorët me aftësi të ulëta dhe të mesme dhe mjete për punonjësit më të vlefshëm të një firme.

Nga këto, reklamimi deri tani është më i përdoruri dhe i zakonshmi. Shumë kompani po i riemërtojnë përpjekjet e dixhitalizimit si “programe me Inteligjencë Artificiale gjeneruese” në mënyrë që të duken si më të sofistikuara, thotë Kristina McElheran nga Universiteti i Torontos.

Presto, një zinxhir restorantesh, paraqiti një asistent të Inteligjencës Artificiale për të marrë porositë e klientëve. Por 70% e porosive të tilla kërkojnë edhe ndihmën e një njeriu. Kompania e transmetimit muzikor Spotify ka krijuar një mjet të Inteligjencës Artificiale që përzgjedh këngë dhe mund të thotë shaka të çmendura.

Kompania e shpërndarjes ushqimore Instacart hoqi nga përdorimi një program të Inteligjencës Artificiale që paraqiste foto të ushqimeve, pasi ai filloi t’u tregoi klientëve fotografi të pakëndshme.

Kompanitë e mëdha të teknologjisë po e përfshijnë gjithnjë e më shumë Inteligjencën Artificiale në ofertat që lidhen me konsumatorët. Amazon do të paraqesë Rufus, një asistent blerjesh. Google ka shtuar Inteligjencën Artificiale në programin Google Maps, duke e bërë produktin më “depërtues”, siç u shpreh kompania.

Mjetet e Inteligjencës Artificiale për punëtorët me aftësi më të ulëta, mund të jenë më të dobishme tani për tani. Disa aplikacione të thjeshta për gjëra si shërbimi ndaj klientit, përfshijnë Inteligjencën Artificiale. Shumica e pyetjeve të klientëve janë të thjeshta dhe kanë të bëjnë me një numër të vogël temash, duke e bërë të lehtë që kompanitë të trajnojnë chatbot-e për t’u marrë me klientët.

Disa nga këto nisma tashmë mund të japin rezultat. Kompania Amdocs prodhon softuerë për të ndihmuar kompanitë e telekomunikacionit që të menaxhojnë shërbimet e faturimit dhe klientit.

Kompania thotë se përdorimi i Inteligjencës Artificiale gjeneruese ka pakësuar kohën e përpunimit të telefonatave të klientëve me pothuajse 50%. Kompania Sprinklr, e cila ofron produkte të ngjashme, thotë se kohët e fundit, një nga firmat e saj kliente që merret me shitjen e mallrave luksoze “ka vënë re një përmirësim me 25%” në performancën e shërbimit ndaj klientit.

Edhe detyrat rutinë administrative mund të preken nga Inteligjenca Artificiale. “Shembujt kryesorë” të 700 rasteve të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në kompaninë Bayer përfshijnë punë të zakonshme si “marrja e të dhënave nga skedarët Excel” dhe “krijimi i një drafti”.

Disa kompani po përdorin Inteligjencën Artificiale gjeneruese si mjet kërkimor më të zgjuar. Në firmën e shërbimeve financiare Nasdaq, Inteligjenca Artificiale përdoret për të ndihmuar ekspertët e krimit financiar që të mbledhin prova për të kontrolluar transaksionet e dyshimta bankare. Sipas kompanisë, kjo shkurton kohën e procesit nga 30-60 minuta që zgjat zakonisht, në tri minuta.

Deri tani, punonjësit më të vlefshëm të një kompanie, të cilët kanë detyra të ndërlikuara, nuk i përdorin në masë mjetet e Inteligjencës Artificiale. Por kjo teknologji po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Avokatët kanë qenë ndër përdoruesit më të hershëm.

Shoqëria e madhe ligjore Allen & Overy nënshkroi marrëveshje me firmën startup të Inteligjencës Artificiale Harvey, për të zhvilluar një sistem që avokatët e saj tashmë e përdorin si ndihmës për gjithçka, nga vlerësimi i subjekteve, deri tek analiza e kontratave.

Bankat e investimeve po e përdorin Inteligjencën Artificiale për të automatizuar një pjesë të procesit të kërkimit. Në Bankën e Nju Jorkut Mellon, një sistem i Inteligjencës Artificiale përpunon me shpejtësi të dhënat për analistët e bankës dhe u jep atyre një skicë të përafërt.

“Pra, në vend që të zgjohen në katër të mëngjesit, ata kursejnë kohë dhe zgjohen në orën gjashtë”, thotë banka. Leverdi të vogla. Kompania farmaceutike franceze Sanofi, përdor një aplikacion të Inteligjencës Artificiale për t’u mundësuar drejtuesve të dhënat më të fundit për shumë operacione të kompanisë.

Disa kompani po e përdorin teknologjinë e Inteligjencës Artificiale për të ndërtuar softuerë. GitHub Copilot i kompanisë Microsoft, i specializuar në shkrimin me kodim, ka 1.3 milionë abonentë. Amazon dhe Google kanë produkte rivale.

Thuhet se edhe Apple po punon për të ndërtuar një produkt të tillë. Kompania teknologjike Fortive thotë se “koha e zhvillimit të një softueri është përshpejtuar me 20%, falë përdorimit të Inteligjencës Artificiale”. Chirantan Desai, shefi operativ i kompanisë së softuerëve ServiceNow, ka thënë se mjeti i tyre i Inteligjencës Artificiale i ka sjellë “fitime produktiviteti njëshifrore”.

Konnectify, një firmë indiane startup, me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, arriti të hidhte në treg shtatë aplikacione në muaj, nga katër më parë. Sondazhet nga Microsoft tregojnë se Inteligjenca Artificiale po bëhet gjithnjë e më popullore mes punonjësve.

Pinterest, një kompani e mediave sociale, thotë se falë Inteligjencës Artificiale “gjeneruese” ka përmirësuar cilësinë e rezultateve të kërkimit me dhjetë pikë përqindje. Në një regjistrim të fundit të të ardhurave, shefi i kompanisë, Bill Ready, tha se modelet e reja të Inteligjencës Artificiale ishin 100 herë më efikase se ato që përdorte firma më parë.

L’Oréal, një nga kompanitë kozmetike më të mëdha në botë, po përmirëson mjetin e saj të Inteligjencës Artificiale të quajtur Betiq, që shërben për të matur dhe për të përmirësuar reklamimin e kompanisë. L’Oréal thotë se Inteligjenca Artificiale gjeneruese tashmë po sjell “rritje të produktivitetit deri në 10-15%, për disa nga markat që e kanë përdorur atë”.

Kjo nuk do të thotë se ato marka do të kenë nevojë për 10-15% më pak punëtorë. Ashtu si me revolucionet e mëparshme teknologjike, frika nga ndonjë apokalips i vendeve të punës duket e pabazë. Në fakt, deri tani, teknologjia po krijon më shumë vende pune sesa po eliminon.

Një sondazh i publikuar në nëntor nga Banka Evercore ISI, zbuloi se vetëm 12% e korporatave besonin se Inteligjenca Artificiale gjeneruese kishte zëvendësuar punën njerëzore ose do ta zëvendësonte atë brenda 12 muajve.

Megjithëse disa kompani teknologjike pretendojnë se do të ndalojnë punësimin ose do të shkurtojnë stafin, për shkak të Inteligjencës Artificiale, nuk ka shumë prova që tregojnë se janë rritur shkarkimet nga puna në vendet e pasura.

Inteligjenca Artificiale gjeneruese po krijon edhe disa lloje të reja pune për njerëzit. Kompania e madhe ushqimore Nestlé dhe shoqëria këshillimore KPMG,  po punësojnë ekspertë që nxjerrin përgjigjen më të leverdishme nga një model chatbot.

Një firmë sigurimesh ka punësuar “inxhinierë të shpjegimit” për të kuptuar rezultatet e sistemeve të Inteligjencës Artificiale. Një firmë e mallrave të konsumit që së fundmi paraqiti Inteligjencën Artificiale gjeneruese në ekipin e saj të shitjes, tani ka një menaxher që sigurohet për mbarëvajtjen e sistemit të Inteligjencës Artificiale.

Ndikimi

Edhe pse këto risi nuk do të rrisin në mënyrë të dukshme produktivitetin në një periudhë afatshkurtër, ato po ndikojnë  mbi botën e punës, duke pasur efekte mjaft të mira. Inteligjenca Artificiale i lejon kompanitë të dixhitalizojnë dhe të sistemojnë të dhënat e brendshme, si rishikimet e performancës apo të dhënat e takimeve, që më parë ishin të shpërndara.

Të anketuarit në sondazhet e kryera nga firma këshillimore Randy Bean thanë se ka pasur një përmirësimin në mënyrën e menaxhimit të të dhënave.

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale mund të sjellë edhe disa ndryshime të paparashikueshme. Megjithëse mjetet e shkrimit të kodit po i ndihmojnë inxhinierët të bëjnë një punë më të mirë, një anketë zbuloi se në vitin e fundit, cilësia e punës në këtë fushë, ka rënë.

Programuesit mund ta përdorin Inteligjencën Artificiale për të krijuar një skicë paraprake, dhe më pas mund të zbulojnë se kjo skicë ishte e mbushur me gabime dhe i mungon saktësia. Për rrjedhojë, ata mund të kalojnë më pak kohë për ta shkruar kodin, por më shumë kohë duke e rishikuar dhe duke e ndryshuar atë. Nëse kjo bëhet një dukuri e përhapur, produkti i nxjerrë nga Inteligjenca Artificiale do të shihet si më pak i besueshëm.

Një sondazh nga kompania teknologjike IBM zbulon se shumë kompani ngurrojnë që ta përdorin Inteligjencën Artificiale në masë, sepse nuk kanë ekspertizë në këtë fushë. Të tjera shqetësohen se të dhënat e tyre janë shumë të ndërlikuara për t’u përmbledhur nga kjo teknologji.

Madje, rreth një e katërta e drejtuesve amerikanë e ndalojnë përdorimin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese në punë. Kjo ndoshta për shkak se ata kanë frikë se Inteligjenca Artificiale mund të keqpërdorë të dhënat e kompanisë. Në raportet vjetore, kompanitë Blackstone dhe Eli Lilly, i kanë paralajmëruar investitorët për rreziqet e lidhura me Inteligjencën Artificiale, si publikimi i të dhënave mbi pronësinë intelektuale.

Vitin e kaluar, Marie-Hélène Briens Ware, drejtuese ekzekutive në kompaninë e telekomunikacionit Orange, shpjegoi se firma kishte vendosur kufij në përdorimin e të dhënave përpara se të niste bashkëpunimin me Microsoft për të përdorur programin e tij të Inteligjencës Artificiale, Microsoft Copilot.

Në mënyrë që Inteligjenca Artificiale të përdoret nga më shumë biznese, ajo duhet që të përmirësohet. Në nëntor, Microsoft hodhi në treg një Copilot për programet si Word dhe Excel.

Disa persona që e kanë përdorur, ankohen se mjeti është shumë i ngathët dhe ngec shpesh. Shumë drejtues kompanish nuk do të pranojnë të përdorin modelet e Inteligjencës Artificiale gjeneruese për operacione më të ndjeshme, derisa ato të funksionojnë ashtu si duhet.

Kohët e fundit, Air Canada tërhoqi kritika pasi roboti i saj i Inteligjencës Artificiale i dha një pasagjeri një të dhënë të pasaktë në lidhje me politikën e linjës ajrore. Kjo ishte e sikletshme për linjën ajrore, por është e lehtë të përfytyrohet se mund të kryhet një gabim shumë më i madh. Sidoqoftë, edhe makinat e shkrimit kanë pasur fillime të vështira. / Përktheu: Lira Muça/Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular