Me keqardhje mësova që miku im, piktori i shquar modernist e antikonformist, ish- i burgosuri politik nga diktatura komuniste, pedagogu Ali Oseku ndërroi jetë në moshën 80- vjeçare.
Ali Oseku ishte artisti, i cili asnjëherë nuk u përshtat me metodat krijuese të Realizmit Socialist. Në pikturat e tij nuk ka figura. Në të njëjtën kohë që njëri shikon një mal, një tjetër shikon format e kraterit të një vullkani. Ishte një piktor guximtar e modernist i lindur.
Ali Oseku në vitet ‘70 bënte pjesë në piktorët e rinj, të cilët eksperimentonin një art “ndryshe” nga ai i realizmit socialist.
Ishte “verbuese” për frymën e realizmit socialist “drita” e pikturave e skenografive të tij, çka solli në vitet ’70 jo vetëm burgosjen e më pas privimin nga jeta artistike, por edhe që detyruan autorin që të digjte veprat e tij…
Nga ajo kohë mbetën vetëm “Portreti i nënës” e “Portret burri”…
Bashkëkohës i disa prej emrave më të shquar të artit shqiptar, Ali Oseku në vitet 1959 – 1963 ndoqi liceun artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1969, u diplomua për pikturë në “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë. Nga viti 1970 deri në vitin 1973 bëhet skenograf i “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”.
Ishte një nga artistët e dënuar me burg në vitin 1975 në burgun famëkeq të Spaçit, pasi ishte dërguar për riedukim më 1973. U dënua sepse vepra e tij u cilësua moderne. Pas daljes nga burgu (1979), punoi si punëtor krahu pa të drejtë të ekspozimit deri në vitin ’91, kur iu kthye krijimtarisë duke qenë kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe më pas pedagog e shef katedre në Akademinë e Arteve të Bukura.
Nga viti 1998 deri në vitin 2014, u bë Profesor i Asociuar dhe Përgjegjës i Departamentit të Grafikës në “Akademia e Arteve të Bukura”, Tiranë. Në vitin 2014 e në vazhdim, piktor në krijimtarinë e lirë.
Me ndryshimet e sistemit politik në Shqipëri pas viteve ’90, mjeshtri Ali Oseku u bë një ndër emrat më të lakuar në artin pamor shqiptar.
Ka realizuar një numër të madh pikturash dhe ka marrë pjesë në disa ekspozita brenda dhe jashtë vendit, pas shembjes së regjimit komunist.
Ekspozita e tij e fundit u hap në 2023 me titull: “All light we cannot see” – E gjithë drita që nuk mund të shohim.
Ali Oseku nuk vdes kurrë. Thjesht ai do të pushojë pak në paqe për të ngjyrosur qiellin me dritën, elegancën, shpirtin e lire dhe bujarinë e tij!
I paharruar, Mjeshtër i Madh , fisniku
Ali Oseku !