Drejtori i Zyrës së shtypit dhe komunikimit në Partinë Demokratike te Rithemelimit, Alfred Lela në një deklaratë për shtyp nga selia blu u ka shprehur ngushëllimet më të ndjera familjeve dhe të afërmve të tetë të vdekurve në aksidentin e ndodhur dje në Këlcyrë.
Ai u shpreh se, tetë të vdekurit e aksidentit që ndodhi mëngjesin e sotëm në Këlcyrë janë alarm për kampet e refugjatëve që pritet të ngrihen në Shëngjin e Gjadër.
“Partia Demokratike u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjeve dhe të afërmve të tetë të vdekurve në aksidentin e ndodhur dje në Këlcyrë. Tragjedia e një familjeje shqiptare dhe shtatë të huajave, është drama e një shteti si ky i Rilindjes, që nuk kontrollon dot kufijtë dhe territorin e vendit. Edhe pasi ia lëshon Agjencisë Evropiane të Kufijve, Frontex, me “PPP”, nuk bën gjë tjetër veçse dyfishon dështimin”, tha Lela në një deklaratë për mediet.
“Humbja e tetë jetëve bëhet edhe më alarmante po të kujtojmë se, me një vendim jotransparent dhe kundër të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës, pas një muaji, Shqipëria do bëhet strehë, jo e tetë, por e disa mijëra emigrantëve, që do ambalazhohen në Shëngjin e Gjadër”, u shpreh Lela.
“Humbja e tetë jetëve bëhet edhe më ulëritëse po të kujtojmë se, vetë shqiptarët, mbi 1 milion, kanë marrë rrugët e botës në dekadën e Rilindjes, duke zbrazur vendin, duke plakur popullatën, duke vrarë shpresën”, shtoi Lela.
Lela theksoi se, “Edi Rama e shndërroi Shqipërinë në një vend që prodhon emigrantë me shumicë, dhe tashmë bën këmbime popullatash, duke marrë nga vende të tjera kontingjente të cilat vendet e BE-së duan t’i shmangin”.
Lela nënvizoi se, “Partia Demokratike e ka në krye të agjendës shpopullimin e Shqipërisë: ky eksod nuk është emigrim për jetë më të mirë, por ikje nga sytë këmbët. Plotësimi i dramës kombëtare të shpopullimit me kampe refugjatësh, që popullojnë një territor të policuar keq dhe të qeverisur keq e më keq, me hajgare, propagandë dhe babëzi, është një minë me sahat”.
“Që shtëpitë e shqiptarëve, që fshatrat e boshatisura dhe qytetet e mpakura, të mos zëvendësohen me kampe refugjatësh, reagimi më i mirë nuk është ikja, por qëndresa. O sot, o kurrë! Për një Shqipëri të bijave dhe bijve të vet, jo një jetimore ndërkombëtare”, përfundoi Lela.