Bashkimi Evropian ka hyrë në fazën e procesit zgjedhor, në të cilën marrin pjesë aktive edhe disa nga figurat kryesore të institucioneve të BE-së.
Prej të hënës, 7 prill, në fushatë do të jetë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është kandidate udhëheqëse e Partisë Popullore Evropiane (EPP) për të siguruar edhe një mandat pesëvjeçar në krye të ekzekutivit të BE-së.
Me të në fushatë do të jetë edhe shefi i deritashëm i kabinetit, Bjoern Seriberg si dhe disa nëpunës të Komisionit, të cilët për të evituar konfliktin e interesit, kanë marrë pushim pa pagesë gjatë kohës së fushatës.
Edhe disa komisionarë tjerë do të jenë në fushatë zgjedhore për partitë e tyre.
Më 24 prill, Parlamenti Evropian do ta mbajë seancën e fundit plenare në këtë përbërje, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen nga 6 deri më 9 qershor.
Fundi i punës së Parlamentit Evropian, në prag të zgjedhjeve, shënon edhe nisjen e fazës së tranzicionit institucional në BE.
Kjo sepse, pas këtyre zgjedhjeve do të formohet edhe Parlamenti i ri, pastaj do të zgjidhet shefi apo shefja e Komisionit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe, po ashtu, edhe një varg krerësh tjerë institucionalë në BE.
E gjithë kjo, thonë diplomatët në BE, mund të ndikojë edhe në angazhimet e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Ata vlerësojnë kështu pasi për kompletimin e të gjitha pozitave kyçe në institucionet e BE-së do të kalojë një periudhë jo edhe aq e shkurtër, nga pranvera e deri në fund të vitit, varësisht nga gatishmëria e vendeve anëtare për të arritur pajtim rreth ndarjes së posteve.
Formalisht nuk do të ketë ndonjë vakum institucional, për shkak se të gjithë komisionarët aktualë do të jenë në postet e tyre derisa të konfirmohen pasardhësit.
Por, nga aspekti politik, në këtë periudhë BE-ja përmbahet nga ndonjë vendim i rëndësishëm politik financiar apo institucional.
Sa do të ndikojë kjo në angazhimet në Ballkanin Perëndimor do të varet më së shumti nga shpejtësia me të cilën do të emërohen dhe do t’i marrin funksionet e reja ata që do të caktohen në to.
Megjithatë, disa burime diplomatike të Radios Evropa e Lirë në BE, thonë se shumica e vendimeve që kanë të bëjnë me rajonin e Ballkanit Perëndimor tashmë janë miratuar dhe gjërat mund të lëvizin pavarësisht tranzicionit në BE.
Së fundi u arrit pajtueshmëri mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian për pakon financiare prej 6 miliardë eurosh për reforma dhe zhvillim ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Ky pajtim u arrit nën presion kohor, pothuajse në minutën e fundit, dhe mund të konfirmohet në seancën e fundit plenare më 23 dhe 24 prill.
Pas marrjes së vendimit, fati i këtij plani nuk do të varet më nga Parlamenti Evropian, pos rolit mbikëqyrës që do ta ketë në të ardhmen.
Edhe negociatat e anëtarësimit, që janë hapur me disa vende të rajonit, mund të avancojnë nëse në Këshill do të ketë konsenus, dhe këtu nuk do të ketë nevojë për rol të Parlamentit Evropian.
Hungaria, e cila e merr kryesimin e radhës së BE-së nga 1 korriku i këtij viti, synon që të hapë disa kapituj të negociatave të anëtarësimit me Serbinë, t’i mbyllë disa kapituj me Malin e zi, të hapë negociata për kapitujt e parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe mundësisht edhe t’i nisë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.
Këto synime para disa javësh i kishte shprehur përfaqësuesi i Qeverisë së Hungarisë në një debat në Parlamentin Evropian.
Hungaria, po ashtu, beson se edhe pagesat e para për disa vende të rajonit nga fondi i rritjes i Ballkanit Perëndimor do të mund të bëhen në pjesën e dytë të këtij viti.
Krejt këto veprime do të varen plotësisht nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së.
Një proces i cili mund të ndikohet nga transicioni institucional në BE mund të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që, sipas disa diplomatëve të BE-së, edhe ashtu nuk ka shkuar si duhet.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialog Mirosllav Lajçak tashmë është përzgjedhur të jetë ambasador i BE-së në Zvicër nga 1 shtatori i këtij viti.
Pasardhësi i tij në rolin e lehtësuesit të dialogut nuk është caktuar.
Para se të caktohet se kush do ta ketë atë rol, BE-ja duhet të vendosë se si e sheh atë proces dhe rolin e saj në të.
Krejt kjo do të varet edhe kush do të jetë në krye të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), që është Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Në rastin ideal, emri i pasardhësit të Josep Borrellit – që e mban këtë pozitë – mund të dihet në verë.
Dhe kjo me kusht që në qershor, vendet anëtare të pajtohen se kush do të jetë president i ardhshëm i Komisionit Evropian, pastaj ai person të marrë mbështetjen e shumicës në Parlamentin Evropian në seancat e para në korrik.
Në atë rast, me propozim të Këshillit Evropian, me pajtim të presidentit të Komisionit, mund të caktohet edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Ai person ka një rol të dyfishtë, sepse në njërën anë është shef i diplomacisë së përbashkët të BE-së ku përfaqëson vendet anëtare, e në anën tjetër me automatizëm edhe anëtar i kolegjit të komisionarëve evropianë si zëvendëspresident i Komisionit.
Prej kur ka hyrë në fuqi Traktati i Lisbonës, tre persona kanë qenë në këtë pozitë dhe që të tretë kanë luajtur edhe rolin kryesor politik në emër të BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu kishte nisur në mandatin e Catherine Ashton, kishte vazhduar me Federika Mogherinin dhe tash po zhvillohet nën përkujdesjen e Josep Borrellit.
Ndonëse disa vende të BE-së do të donin që para fundit të gushtit të dihet pasardhësi i Lajçakut, që të sigurohet një vazhdimësi, pa ndonjë vakum në atë pozitë, ka edhe të tillë që mendojnë se ai person nuk duhet të emërohet nga Borrelli, por të pritet pasardhësi i tij në postin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Por shumica pajtohen se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimi në Bosnje e Hercegovinë – si dy sfidat më të mëdha për BE-në në rajon në aspektin e sigurisë – kanë nevojë për një kujdes të vazhdueshëm edhe në kohën e tranzicionit në BE, për shkak të zgjedhjeve evropiane./REL