BallinaOP EDÇfarë është; çfarë do të thotë opozitë?

Çfarë është; çfarë do të thotë opozitë?

Nga Ardi Stefa

Në një farë mënyre, me kthimin e Kuvendit në “normalitet”, pas 5 muajsh shfaqjesh të shëmtuara nga të gjitha palët, e ashtuquajtura “opozitë”, më në fund ka filluar të bëjë punën e saj.

prodhojë një rezultat politik me “aksionin” e saj duke shkaktuar një lloj tronditjeje në qeveri, pavarësisht se këtë “tronditje” e kërkon dhe investon vetë mazhoranca, por jo (nëse duam të jemi të sinqertë dhe realistë) duke i tronditur ndjenjën e plotfuqishmërisë së saj.

Opozita është shumë larg kësaj, pavarësisht skandaleve të njëpasnjëshme të mazhorancës, veprimeve të SPAK-ut, lodhjes sociale, varfërisë dhe pakënaqësisë gjithnjë e në rritje të popullit.

“Opozita” shqiptare e ushtron rolin e saj opozitar duke identifikuar dobësitë e qeverisë, veçanërisht aty ku ka arrogancë të fortë të pushtetit, evidenton çështje që kanë të bëjnë me një “ndjenjë drejtësie” më të gjerë në shoqëri, si ajo e mosndëshkimit të përgjegjësive politike të deritanishme; bën denoncime që kapin kupolën e qeverisë, kryebashkiakun e Tiranës, apo familjarë të deputetëve deri edhe familjen e kryeministrit.

Veçse kjo është gjysma e punës së opozitës. Gjysmën tjetër, që është kryesore dhe thelbësore, ajo nuk e bën ende dhe vështirë se do t’ja arrijë ta bëjë ndonjëherë, kur edhe disa protesta që bën, fatkeqësisht i ka të sponsorizuara nga klane të caktuara, në favor apo kundër klaneve të caktuara politike.

Por njerëzit nuk presin vetëm që opozita të kritikojë, të shajë, të denoncojë apo të konstatojë, pavarësisht hapësirës së jashtëzakonshme që media i ka dhënë këto dy vite, sidomos “opozitës së ricikluar”.

Nuk është kjo detyra e opozitës!

Ne presim, dhe opozita duhet, që të propozojë politika alternative, të ketë një program politik që mund të bëhet alternativë dhe program qeverisës nesër për të bindur elektoratin se ku duhet shkuar!

Sepse kjo përbën kushtin e domosdoshëm, që opozita të mos ngecë thjesht në konstatimin e pakënaqësisë së shoqërisë, por t’i ofrojë asaj një rrugëdalje dhe një perspektivë se ku të shkojë.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të bindur shoqërinë se ia vlen të mbështetet elektoralisht opozita.

Kryesisht ka të bëjë me atë, nëse shoqëria, fillimisht do të kërkojë dhe më pas do të bindet se ka një rrugë tjetër.

Sepse nëse shoqëria është e pakënaqur dhe e zemëruar, por në të njëjtën kohë nuk beson se gjërat mund të ndryshojnë, atëherë ku jemi?

Do të kemi një opozitë pasive dhe cinike, dhe në aspektin elektoral ose parti protestuese, ose parti shfrytëzuese proteste, pa ndryshuar, në fakt asgjë për mirë për shoqërinë.

Do të kemi një opozitë të dobët, inekzistente dhe pa busull, të kapur pas miteve të rreme e kulteve të individit dhe, në vend që të reformojë veten për të qenë e besueshme për popullin dhe e gatshme të kërkojë nesër votën e të marrë pushtetin, gërryen veten në luftën brenda llojit.

Dhe kur opozita, e cila ka nevojë për çdo votë opozitari, konsumohet në armiqësinë e brendshme “O me mua, o kundër meje!”, në mospranimin e mendimit ndryshe; në prevalimin e interesit personal për një vend në parlament nesër, atëherë kjo opozitë nuk meriton të vijë në pushtet.

Pikërisht për këtë, sot vendi duhet të diskutojë seriozisht për të ardhmen e tij dhe kjo presupozon një përballje të programeve politike.

Fatkeqësisht, as opozita zyrtare, as ajo e “bashkuara në diversitet me të ricikluarit” nuk po mund të elaborojnë një alternativë realiste dhe bindëse për shoqërinë, e cila e vë theksin më të madh në forcimin e shtetit të së drejtës dhe të shtetit social dhe luftën e korrupsionit, vlerësimin e meritokracisë dhe vlerave.

Si rrjedhojë, ndërsa sot opozita sociale është ajo që kërkon dhe pretendon ndryshimin, drejtësinë, sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës; opozita parlamentare është inekzistente dhe e dobët për të kryer një përmbysje, ndryshimin që kërkohet. Madje një “opozitë” që paradite është me SPAK-un, pasdite është me SKAP-in, që bashkon votat me mazhorancën në një amnisti për korrupsionin.

Një opozitë që flet gjithë ditën për vjedhjet dhe amniston vjedhësit! Një opozitë, kur njëri nga “udhëheqësit” e saj kërcënon se do ta “zhdukim SPAK-un” (ai ka qejf të thotë SKAP-in) është e papranueshme.

Dhe kjo situatë nuk mund të vazhdojë.

Shoqëria shqiptare nuk mund të ketë një opozitë që thjesht “shpreh pakënaqësinë e saj” dhe “denoncon” veprimet e qeverisë, për të bashkëpunuar pastaj me të për interesin vetjak të disa individëve “opozitarë”.

Opozita ende nuk mund të bindë se mund të formulojë një propozim alternativ të besueshëm.

Shoqëria shqiptare ka nevojë për një opozitë që ta bindë se përfaqëson ndryshimin dhe se do të jetë gati kur të vijë në pushtet për të bërë ndryshimin!

Sepse opozita kryesisht nënkupton një zgjidhje alternative të qeverisjes me vulën e qeverisjes së nesërme.

Natyrisht, kohët kanë ndryshuar dhe në kushtet e integrimit evropian ka më shumë vështirësi në artikulimin e politikave radikale progresive, por kjo nuk e mohon nevojën, sfida mbetet.

Veçse kjo kërkon një opozitë që nuk e kemi, kërkon një opozitë të reformuar, në radhë të parë të ketë reformuar vetveten dhe të jetë shkëputur krejtësisht nga e kaluara. Natyrisht kërkon edhe struktura politike që mund të organizojnë këtë gjë.

Përndryshe do të shohim vetëm “opozitën e përjetshme” të “konstatojë, denoncojë e të bëjë marrëveshje” dhe abstenimin të fitojë në zgjedhje.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular