Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrton nesër dosjen e deputetes Olta Xhaçka për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes socialiste.
Ndaj zonjës Xhaçka ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese të cilën RTSH e risjell në këtë kronikë që mban datën 18 Janar 2023.
Plot 14 muaj më parë, gjykata vendosi pushimin e çështjes pasi 1/5 e deputetëve të Kuvendit pjesë e opozitës kërkuan shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit, i cili nuk miratoi raportin e PD-së që pretendon se deputetja Xhaçka ishte në papajtueshmëri të ushtrimit të mandatit të saj për shkak të statusit që kishte përfituar familjari i saj.
Në 18 janar të një viti me parë Gjykata Kushtetuese e pushoi e gjykimin e çështjes, pasi më parë sipas Kushtetueses do të duhet të shprehet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Vete kryetarja e Gjykatës Kushtetuese në daljen e saj publike para mediave për herë të parë për vitin 2024 kur u pyet për mandatin e Olta Xhaçkës deklaroi se “ Të vësh në pikëpyetje zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor”.
Sot jemi në kushtet kur pas 14 muajsh Parlamenti njoftoi se do të shqyrtojë në Këshillin e Mandateve që drejtohet nga Lindita Nikolla çështjen Xhaçka.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga 10 deputetë, në përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe pakicës parlamentare, i cili verifikon mandatin e deputetit.
Ngjarja me sfond të pastër politik u riaktivizua në sytë e publikut kur në 26 mars të këtij viti, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i ktheu përgjigje deputetit të opozitës Gazment Bardhi, i cili i kërkoi parlamentit të mos bëhet mburojë për ish-ministren Olta Xhaçka.
Kryetarja e Kuvendit njoftoi dy javë më parë se Këshilli për Legjislacionin kishte marrë në shqyrtim vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe në datën 8 prill në kryesinë e Kuvendit, dosja Xhaçka do të parashtrohet sërish në Këshillin e 10 deputetëve.
Përballë njeri-tjetrit në këtë këshill do te jenë Bledi Çuçi, Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji, Klotilda Bushka, Arben Pëllumbi dhe Ermonela Felaj.