Taksa e re e banesës, që do të nisë të aplikohet prej 2026-s parashikon të rrisë detyrimin për qytetarët dhe për bizneset, ndërkohë dy vite më vonë, e njëjta do të aplikohet edhe për parcelat.
Llogaritja e saj do të bëhet bazuar në çmimet aktuale në treg, ndërsa niveli i taksimit nga 0.05 për qind, që aplikohet aktualisht do të variojë në 0.1 deri në 0.3 për qind. Ekspertët thonë, se kjo formulë do të sjellë pabarazi, ndërsa barra edhe kësaj here do të rëndojë sërish mbi taksapaguesit e rregullt.
“Reforma e fundit në fushën e taksës së pasurisë synon të rrisë të ardhurat për bashkitë, duke kaluar nga një sistem i taksimit të bazuar në vlerë për ndërtesat dhe një sistem i thjeshtë tatimor bazuar në sipërfaqen për tokën bujqësore dhe truallin, në një sistem taksimi modern që takson edhe ndërtesat edhe parcelat, bazuar në vlerën e tregut të këtyre pasurive të paluajtshme. Të gjitha pasuritë e paluajtshme të regjistruara do të vlerësohen në bazë të vlerës së tregut”, thuhet në dokumentin qeveritar të hedhur për konsultim publik.
Ekspertët shprehen pesimistë në arkëtimin e kësaj takse, sa kohë që nuk janë adresuar problematika të mëparshme, që sipas tyre mund të bëhen pengesë për vjeljen e saj. Çështja më e mprehtë mbetet informaliteti.
Në Strategjinë Sektoriale të Menaxhimit të Financave Publike, publikuar së fundmi thuhet se nga 4.5 milionë pasuri që ka Shqipëria vetëm 1.2 milionë janë të regjistruara çka do të thotë se procesi do të përfshijë regjistrimin në sistem të rreth 3.3 milionë pronave. Për këto të fundit procesi synohet të përmbyllet deri në vitin 2030.
Reforma e fundit në fushën e taksës së pasurisë synon të rrisë të ardhurat për bashkitë, duke kaluar nga një sistem i taksimit të bazuar në vlerë për ndërtesat dhe një sistem i thjeshtë tatimor bazuar në sipërfaqen për tokën bujqësore dhe truallin, në një sistem taksimi modern që takson edhe ndërtesat edhe parcelat, bazuar në vlerën e tregut të këtyre pasurive të paluajtshme.
Sfidë kryesore ka qenë krijimi i një baze të dhënash gjithëpërfshirëse të integruar të pasurive të paluajtshme. Të gjitha pasuritë e paluajtshme të regjistruara do të vlerësohen në bazë të vlerës së tregut. Projekti për kadastrën fiskale është ndarë në dy faza. Faza e parë ishte krijimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë. Ndërkohë në fazën e dytë, veç ligjit të ri për taksën mbi pasuritë e paluajtshme, përcaktohet edhe rruga që do të ndiqet për regjistrimin e pasurive.
Referuar projektit, Drejtoria e Taksës së Pronës do të bëjë vlerësimin e ndërtesave për efekt taksimi ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të bëjë vlerësimin e parcelave. Në 2026 parashikohet që të nis zbatimin formula e re e taksimit të banesave, ndërsa në 2028 do të nisë taksimi për tokat bujqësore.