Pasionin e tij për trendafilat italiani 73-vjeçar po e realizon në Shqipëri. Giuseppe ka 4 vjet që jeton në këtë zonë të Krutjes në Lushnje.
Ka vendosur të jetojë përgjithmonë në Shqipëri dhe pjesën tjetër të jetës ta kaloj së bashku me gruan e tij, në mes të trendafilave duke prodhuar vajin esencial. Giuseppe nga mëngjesi deri në mbrëmje punon në baçen e trëndafilave. Ka mbi 3 mijë rrënjë, i bën shartimin dhe nxjerr vajin nga lulet aromatike të tyre. Këtë vaj e eksporton, ndërsa në Krutje e përdor edhe për të shëruar njerëzit.
Giuseppe Bardaro: Erdhëm në 2020 në Shqipëri, dhe vendosëm të qëndrojmë në Krutje sepse gruan e kam shqiptare. Zgjodha midis Indisë dhe Portugalisë, të jetoj në Shqipëri. Këtu bëj fshatarin, kam kopshtin tim të trëndafilave, bëj vajin që përdoret për sëmundje, parfume etj. Jam i lumtur këtu.
Në tokat e mbjella me trëndafilin e veçantë që përdoret vetëm për prodhimin e vajit esencial dhe me aromë të fortë, po kryhet vjelja. 73-vjeçari italian ndihet i lumtur gjatë punës sepse ka realizuar ëndrrën e tij.
-Të mungon Italia?
Giuseppe Bardaro: Jo, këtu kam gjithçka, jam qytetar i lindur në Itali, por Italinë e kam këtu. Më pëlqejnë fëmijët kur i shoh në rrugë e shkojnë në shkollë, përshëndetem me njerëzit e lagjes. Është shumë qetësi. Dy vjet e lashë shtëpinë pa gardh dhe nuk kisha asnjë problem.
Bashkëshortja e italianit është Sonila e cila sikundër ai ka të njëjtin pasion. Puna me trendafilat bëhet gjithe diten, ndërsa ëndrra e cila nisi nga Toskana u realizua në Krutje.
Sonila Vogli: Jemi përshtatur shumë mirë. Zona është shumë e mirë nga ana klimatike për pasionet tona, dhe për trëndafilat dhe për gjërat tjera. Xhuzepe ndihet shumë mirë sepse është në ambientin e vetë, në natyrë në atë që ai do dhe mirë… Nga Toskana këtu diferencën nuk është se e kemi parë.
Të dy rrisin trëndafilat jo vetëm për bukurinë e shpirtit, por edhe për shërimin e tij. Xhuzepe dhe Sonila thonë se nuk do të kthehen asnjëherë në Itali, por stacioni i tyre i fundit mbetet Shqipëria ose India. Klan News