BallinaPolitikeProgrami Ekonomik i PD-së të diskutohet në Grupin Parlamentar, në Kryesinë e...

Programi Ekonomik i PD-së të diskutohet në Grupin Parlamentar, në Kryesinë e Sekretariatet dhe të miratohet në Këshillin Kombëtar

Nga Bujar Leskaj
𝗣𝗿𝗼𝗴𝗿𝗮𝗺𝗶 𝗘𝗸𝗼𝗻𝗼𝗺𝗶𝗸 𝗶 𝗣𝗗-𝘀𝗲 𝘁𝗲 𝗱𝗶𝘀𝗸𝘂𝘁𝗼𝗵𝗲𝘁 𝗻𝗲 𝗚𝗿𝘂𝗽𝗶𝗻 𝗣𝗮𝗿𝗹𝗮𝗺𝗲𝗻𝘁𝗮𝗿, 𝗻𝗲 𝗞𝗿𝘆𝗲𝘀𝗶𝗻𝗲 𝗲 𝗦𝗲𝗸𝗿𝗲𝘁𝗮𝗿𝗶𝗮𝘁𝗲𝘁 𝗱𝗵𝗲 𝘁𝗲 𝗺𝗶𝗿𝗮𝘁𝗼𝗵𝗲𝘁 𝗻𝗲 𝗞𝗲𝘀𝗵𝗶𝗹𝗹𝗶𝗻 𝗞𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿!

Të gjithë departamentet e Partisë Demokratike të drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha, janë në përmbyllje të hartimit të Programit Ekonomik qeverisës të PD-së 2025-2028 dhe kemi parë të prezantojnë pjesë të tij.

Përshëndes shpalosjen në publik nga Kryetari i Partisë Sali Berisha të disa ideve dhe nismave qendrore të Programit, si përcaktimi i Minimumit Jetik Zyrtar prej 22 mijë lekë në muaj, dyfishimi i pensioneve për të 717 mijë pensionistët tanë, rritja e ndjeshme e asistencës sociale për familjet dhe personat në nevojë si dhe lufta pa kompromis ndaj shpopullimit masiv të vendit.

Sikur një ide vetëm të nxirret nga seicili nga të 170 fjalimet e Doktorit në këto 170 ditë izolimi djallëzor të tij, bëhen dy programe ekonomike të Partisë Demokratike, jo vetëm një.

Mirëpo Programi kërkon domosdoshmërisht gjithëpërfshirje dhe respekt të institucioneve aktuale të Partisë Demokratike

E kam ngritur një muaj më parë në PD dhe i qëndroj qasjes që Programi Ekonomik i opozitës reale të vendit e ka si një kusht “sine qua non” që duhet finalizuar, pas një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, për të shërbyer si aseti më i çmuar që kemi në duar, për kthimin e shpresës së qytetarëve tek qeverisja për interesat ekonomike të qytetarit dhe me qytetarin.

Finalizimi i tij ka të bëjë me diskutimin dhe debatimin e tij gjerësisht në Grupin Parlamentar, Kryesinë dhe Sekretariatin e Partisë Demokratike, si dhe miratimin në Këshillin Kombëtar.

Në rast se ky Program nuk e ndjek këtë rrugë, e them me keqardhje se nuk do të jetë i suksesshëm.

I. Programi Ekonomik i PD-së: një projekt kombëtar

Programi Ekonomik i Partisë Demokratike duhet të ngjallë entuziazëm dhe besim. Ai duhet të përbëjë projektin madhor kombëtar, për ndryshimin që presin të gjithë shqiptarët.

Është shumë mirë që departamentet e Ekonomisë, Financave Publike dhe Sipërmarrjes pranë Partisë Demokratike kanë përgatitur një draft të parë të tij. Programi Ekonomik, si projekt kombëtar ndryshimi, është dhe duhet të bëhet pronë e të gjithë Partisë Demokratike. Si i tillë, ky projekt është e domosdoshme të konsultohet në Grupin Parlamentar, duke u diskutuar aty gjerësisht dhe në detaje.

Pas një debati të gjerë aty, por edhe në Kryesi dhe në Sekretariat të partisë, me ide konkrete për përmirësimin e tij, Programi i përmirësuar duhet të miratohet në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Disa ide, të hedhura në draftin e departamenteve, të tilla si (i) rritja ekonomike, e cila do të mbështetet nga një sistem i thjeshtë fiskal, me norma të ulta, reduktim të burokracive dhe praktikave korruptive; (ii) një reformë e thellë e sistemit fiskal, përmes reduktimit të shkallëve tatimore, si dhe zbatimi i një takse të sheshtë 10 përqind mbi kapitalin; (iii) lehtësimi i taksës mbi punën, duke vendosur tatimin 10 përqind mbi të ardhurat nga puna, duke përjashtuar 50 mijë lekët e para; (iv) taksim zero mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël; (v) ulja permanente nga 15 përqind në 2 përqind e taksës së shitjes së pronës; (vi) heqja e taksës mbi karburantet, etj., janë të vlefshme.

Mirëpo vetëm këto ide, si mini-programe fiskale, nuk mjaftojnë. Vendi dhe qytetarët kanë nevojë, madje e kanë të domosdoshme nga Partia Demokratike, që ajo të flasë gjerësisht për politika zhvillimore, jo vetëm për lehtësi fiskale në programin ekonomik te saj.

II. Cilësitë e Programit Ekonomik-shpresë për ndryshim

Programi Ekonomik i Partisë Demokratike duhet të jetë programi i sfidave dhe ndaj vetvetes. Në një takim pune të para dy ditëve me ish-Nënkryetarin e PD-së në Vlorë dhe Kryetarin e Forumit të Intelektualëve të Vlorës, ekonomistin Vilson Haxhiraj, z. Haxhiraj më paraqiti dy ide në mbështetje të biznesit. Së pari, duhet të heqim sistemin e gjobvënies mbi biznesin, të ngritur nga sekti Rama. Sot i thuhet biznesit “Paguaj gjobën, pastaj shko në gjyq për të drejtën tënde”?!. Ky mekanizëm duhet të ndryshojë. Së dyti, taksa kryesore e vendit, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) duhet të paguhet në shitje të mallit apo shërbimit, dhe jo në doganë. Administrata tatimore është modernizuar dhe në gjendje të ndjekë online shitblerjet. Nuk ka kuptim më që TVSH të vilet në doganë. Asnjë shtet në rajon, për të mos folur në BE, nuk e mban këtë praktikë.

Në një takim me ish-Të Përndjekurit Politikë të qarkut Vlorë, u hodh ideja që kompensimet për ish-të përndjekurit të përfundojnë brenda një intervali kohor prej vetëm tre vitesh. Fatura në Buxhet mund të shkojë edhe 60 milionë euro për këte, por do të vendoset drejtësia sociale dhe ekonomike ndaj shtresës më të përvuajtur të popullsisë.

Të tilla ide dhe propozime për ndryshim ka me qindra mes ekonomistëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike. Ato duhen mbledhur me kujdes e përkushtim, si dhe përfshirë me transparencë në diskutimet e gjera të draft-Programit në Grupin Parlamentar, Kryesi dhe Sekretariat.

Ne duhet të pranojmë dhe reflektojmë mbi kritikat dhe vërejtjet konstruktive që bëhen nga ish-aktivistë dhe dashamirës të Partisë Demokratike, sikurse është rasti i publicistikës së ish-deputetit dhe ish-kryetarit të Bashkisë Vlorë, Gëzim Zilja. Tek z. Zilja apo ish drejtues të tjerë të PD-së të marrim çka është konstruktive, dhe jo emocionale. Mendimet dhe gjykimet e tyre të drejta na ndihmojnë të kemi një shikim sa më të thellë dhe gjerë të asaj që duhet të ndryshojmë me ardhjen në pushtet.

Për këtë, Programi ynë duhet të ketë disa cilësi thelbësore, të tilla si:

1. Programi Ekonomik i Partisë Demokratike 2025-2028 të jetë forca që do të shkatërrojë korrupsionin dhe patronazhin politik te sjelle nga sekti Rama në çdo por të ekonomisë publike;

2. Të shërbejë për të kthyer Shqipërinë tonë drejt binarëve të shtetit të së drejtës dhe në përkujdesje totale të pasurive publike, në pronësi dhe për interes eskluziv të qytetarëve të thjeshtë shqiptarë;

3. Të parathotë me forcë shkëputjen përfundimtare të ekonomisë së vendit nga ekonomia kriminale, e prodhuar nga sekti Rama në qeverisje, nga kthetrat e oligarkëve dhe kapja e shtetit në pothuajse të gjitha sferat e sipërmarrjes në Shqipëri;

4. Të synojë t’u kthejë shqiptarëve dhe bizneseve të tyre një ekonomi prodhuese dhe konkurruese, ku sipërmarrësi që nuk financon fushata zgjedhore të partisë në pushtet të ketë shansin e tij për të fituar tendera shtetërorë, i pakushtëzuar nga qasja partiake;

5. Të jetë motorri i garës zgjedhore te opozites për vitin e ardhshëm, duke përbërë pikën e kthesës në planet e opozitës, për të afruar qytetarët, sidomos ata të pavendosurit, si dhe për të ngjallur shpresën për ndryshim tek të gjithë.

III. Program Ekonomik gjithëpërfshirës dhe transparent

Deputetët e Partisë Demokratike nuk duhen llogaritur vetëm për aksione fizike në Kuvend, edhe pse situata e krijuar nga keqqeverisja e sektit Rama në pushtet nuk ka lënë rrugëdalje tjetër.

Indirekt, me monopolizimin e procesit të përgatitjes së Programit Ekonomik vetëm nga departamentet ekonomike pranë Partisë Demokratike, pavarësisht punës së mirë të kryer prej tyre, ne vetëm se i ofendojmë dhe i shvlerësojmë deputetët, anëtarë të Grupit Parlamentar.

Kjo po ndodh, në një kohë që ata, si përfaqësues të drejtpërdrejtë të qindra mijëra votuesve të Partisë Demokratike, duhet të jenë palë në proces, pasi do të jenë ata që do ta çojnë këtë Program në bazë në periudhën e fushatës zgjedhore. Në vitin 2021, përgatitëm Programin Ekonomik të PD-së për qarkun e Vlorës, bazuar në Programin qendror Ekonomik të Partisë Demokratike.

Vetëm në këtë mënyrë, qytetarët do të marrin një mesazh të unifikuar, për synimet ekonomike të opozitës kryesore të vendit, sapo të marrë pushtetin pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.

Ne duhet të distancohemi me forcë nga parullat dhe mendimet disfatiste se Rama nuk mundet dhe do të qëndrojë në pushtet edhe për katër vite të tjera, njëlloj sikurse duhet të pranojmë kritikat e drejta dhe konstruktive, që na ofrojnë të përmiresohemi.

Rama dhe sekti i tij janë konsumuar tërësisht nga abuzimet kolosale dhe korrupsioni endemik e galopant që kanë prodhuar për 11 vite rradhazi në pushtet. Ata përfaqësojnë një strukturë të kalbur, pa moral dhe motivim dhe janë lehtësisht të rrëzueshëm me votën popullore.

Po për ta realizuar këtë, opozita e bashkuar duhet të ketë një Program Ekonomik të detajuar, me përcaktim të saktë të faturës së realizimit të premtimeve zgjedhore dhe lehtësirave fiskale, duke identifikuar plotësisht burimet e gjenerimit të fondeve për përballimin e faturës.

xx

Ka kaluar një javë nga vendimi i Gjykatës për vulën e partisë dhe, pavarësisht nga takimet në rrethe të Sekretarit të Përgjithshëm, ende nuk është mbledhur Grupi Parlamentar, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike. Çdo ditë që kalon duhet ta konsiderojmë një sfidë për përgatitjen në kohë dhe miratimin e Strategjisë për Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2025, e cila duhet të jetë gati në këto dy muaj qershor-korrik 2024. Motorri lëvizës i kësaj Strategjie duhet të jetë pikërisht Programi i miratuar Ekonomik i PD-së.

Programi Ekonomik i Partisë Demokratike duhet të bëjë dhe t’i ketë të vetat strategji të caktuara zhvillimi, me plane konkrete se si të tërhiqen, për shembull, fondet e lira në Diasporë, si të gjenerohen sinergji dhe vende të reja pune në trekëndëshin biznes agropërpunues-prodhim energjie të rinovueshme- turizëm, për të mbajtur të rinjtë në vend dhe për të thithur nga emigracioni kapacitetet intelektuale dhe sipërmarrëse të vendit.

Dhe kryesorja, të gjitha programet dhe politikat zhvillimore, apo lehtësirat e deklaruara tatimore, e kanë të domosdoshme të shpjegohen me faturat përkatëse të detajuara, në mënyrë që qytetarët të binden se kjo rrugë zhvillimi është konkrete dhe mund të realizohet.

Nga shpjegimet e detajuara, brenda Programit, se si do të përballohen shpenzimet dhe si do të gjenerohen fondet për planet dhe projektet inovative, qytetarët do të krijojnë bindjen se Partia Demokratike do të punojë fort për ngjalljen e interesit dhe mbajtjen e të rinjve në Shqipëri, për vendosjen e shtetit të së drejtës, për ripopullimin gradual të vendit dhe për kthimin konkret dhe jo iluzor të shpresës se ky vend bëhet.

All reactions:

80Rezenbrik Serjani, Luan Baçi and 78 others

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular