Rekordet e të nxehtit të regjistruara në gusht kanë krijuar një situatë alarmante, është shprehur kreu i Organizatës Botërore Meteorologjike. Për të dytin vit radhazi, temperatura mesatare globale në muajin gusht arriti rekorde historike, sipas të dhënave paraprake publike nga Observatori Evropian Copernicus.
Australia, Japonia, provincat e Kinës apo edhe Svalbard, një arkipelag norvegjez në Arktik, kishin gushtin më të ngrohtë, sipas organizatave të ndryshme lokale të motit.
Është e qartë se temperaturat po rriten përtej asaj që do të donim,” tha kreu i Organizatës Botërore Meteorologjike. Megjithëse temperatura mesatare e saktë globale për gushtin 2024 nuk dihet ende, Copernicus vlerëson se do të jetë më e lartë se rekordi prej 16,82 gradë Celsius i matur vitin e kaluar në gusht.
Drejtoresha e OBM-së kërkoi edhe më shumë mbështetje për shërbimet meteorologjike.
Ky forum po mbahet disa ditë përpara se të publikohet vlerësimi i fundit për pasojat e ndryshimeve klimatike në Azi dhe Paqësor, në të cilin paralajmërohet një rritje më e lartë se mesatarja e nivelit të deteve në shumë zona.
Ky gusht i bashkohet kështu një brezi të pandërprerë prej 15 muajsh, në të cilin temperaturat mesatare të planetit arritën nivele rekord, me valë të nxehti, thatësira dhe stuhi të nxitura nga avullimi shtesë i ujit të oqeanit.
Gjatë këtij forumi, Singapori u caktua si qendër rajonale për monitorimin e ndotjes së shkaktuar nga zjarret dhe tymi. Qendra, një nga vetëm dy të tilla në botë, do të ofrojë informacion me cilësi më të mirë rreth zjarreve dhe parashikime të ndotjes, duke mbushur një boshllëk rajonal të të dhënave.