Në Shqipëri, për herë të tretë, vota e deputetëve socialistë pengon kalimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të ish Ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
Në ndryshim nga dy rastet e mëparshme, socialistët zgjodhën pas mesnatës të së enjtes, që këtë herë të abstenonin në shumicë (65 vota) dhe vetëm 9 u shprehën kundër.
Vetëm 25 votat e deputetëve të opozitës të cilat ishin në favor, nuk mund të bënin asgjë. Përfundimi mbeti i njejtë, pavarësisht se sipas kryetares së Gjyatës Kushtetuese Holta Zaçaj “askush nuk mund të vendosë të mos ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Fuqia e vendimeve të saj është e barabartë me fuqinë e ligjit. Të mos zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë të mos zbatosh Kushtetutën dhe ligjin”.
Rasti i mandatit të deputetes Xhaçka e ka zanafillën që në qershor të vitit 2022, kur 14 deputetë demokratë, iu drejtuan parlamentit me një mocion për konstatimin e pavlefshmërisë dhe përfundimin e mandatit të ish ministres.
Paralelisht, disa ditë më vonë një mocion i ngjashëm u paraqit dhe nga një tjetër grup deputetësh të opozitës. Sipas tyre zonja Xhaçka ishte në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish deputeti socialist Artan Gaçi, kishte përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut.
Ndërkohë që vetë zonja Xhaçka ka këmbëngulur se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi që ka përfituar bashkëshorti i saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë.
Në atë kohë, socialistët vlerësuan se nuk plotësoheshin kriteret për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Në nëntor 2022, ata votuan kundër mocionit të opozitës, e cila menjëherë më pas iu drejtua Gjykatës.
Kjo e fundit u përball me dy kërkesa, njëra nga 1 e dhjeta e deputetëve, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave mes tyre dhe parlamentit dhe shfuqizimin e vendimit të marrë prej tij, dhe tjetra, nga 1 e pesta e deputetëve që përveç shfuqizimit të vendimit, kërkonte konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, pra shqyrtimin prej saj, direkt të rastit.
Gjykata i kaloi të dyja kërkesat në seancë gjyqësore, por në fund, në janar të vitit 2023, i dha të drejtë 1 të dhjetës së deputetëve duke rrëzuar vendimin e parlamentit dhe duke vlerësuar se çështja duhej trajtuar prej saj dhe jo nga parlamenti, i cili sipas Kushtetueses, duhet të kishte pranuar mocionin e opozitës. Ndërsa kërkesa e 1 të pestës së deputetëve u pushua.
Për më shumë se 1 vit, rasti u mbajt zvarrë nga parlamenti, dhe vetëm në prill 2024, kaloi sërish në seancë plenare, ku 72 votat kundër të shumicës, bllokuan sërish dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Socialistët iu referuan përcaktimit ligjor se “parlamenti vendos” dhe se vendimet merren me votë, e deputetët janë të lirë për mënrën se si votojnë, dhe se kjo përcaktohet në Kushtetutë ku thuhet se mandati i tyre nuk është detyrues.
Opozita e cilësoi qëndrimin e socialistëve një “puç kushtetues” dhe iu drejtuan sërish gjykatës, e cila në korrik të këtij viti shfuqizoi sërish vendimin e parlamentit, duke kërkuar sërish nga parlamenti që rasti t’i përcillej asaj.
Kryetarja Zaçaj tha se: “deputetët duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”.
Mbetet e paqartë se si do të veprohet më tej, dhe nëse deputetët e opozitës do të kërkojnë sërish ndërhyrjen e Gjykatës e cila praktikisht është vënë në një përplasje të drejtpërdrejtë me parlamentin.
Kryetarja Elisa Spiropali, përfaqësuese e shumicës socialiste, u shpreh pas votimit se do t’i dretohej menjëherë Komisionit të Venecias, për të bërë një interpretim të situatës, e cila si asnjëherë më parë, ka vënë përballë dy nga institucionet më të rëndësishme të vendit./VOA