Gazetarja Ola Xama, ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka dhënë disa detaje të reja nga afera “5D” e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës.
Xama tha se ka edhe drejtorë të tjerë, me komunikime të vazhdueshme me punonjës të 5D, mes tyre edhe Elton Kacidhja, drejtor i Ujësjellësit të Tiranës.
“Janë gjetur nga gjykatësi te fashikujt që ka dorëzuar prokurori. Një pasazh lidhet me drejtorin e Ujësjellësit të Tiranës, nga rangu që ka, është aq i rëndësishëm sa një zv.kryetar bashkie.
Zoti Kacidhja është ende në detyrë. Ka komunikime në Whatsapp, ku si titullar i autoritetit kontraktor, ka nënshkruar kontratë për 5D dhe ka komunikuar me Muhametllarin.
Shihet që zoti Kacidhja, kur ishte marrë vesh afera 5D, takohej shpesh në takime brenda dhe jashtë institucionit me Nestor Muhametllarin”, tha Xama.
Lidhur me Veliajn, gazetarja shpjegoi se gjykata ka kërkuar verifikimin e të gjithë vendimarrjes së tij, pasi rezulton se Veliaj i ka dhënë gjashtë leje ndërtimi kompanisë së drejtorëve.
“Veliaj ka dhënë gjashtë leje për 5D Konstruksion. Gjykatësi kërkon ezaurimin e të gjithë veprave dhe vendimarrjes se si janë dhënë këto leje nga Veliaj.
Edhe në një pasazh, rezulton se është një foto ku Veliaj shoqërohet nga Molla dhe Muhametllari në një kqyrje të punimeve.
Ajo që ka vënë në pah gjykatësi, janë shumë emra të tjerë drejtorësh të Bashkisë, dikush që ka qenë te parqet dhe rekreacioni, dikush te “Drejtoria 3″ e punëve publike, shumë drejtorë që vijojnë të kenë pozicione në Bashki, kanë rezultuar me komunikime me punonjësit e 5D”, tha Xama.