BallinaTe tjeraMisteri i vrasjes së Zija Dibrës: U akuzua nga jugosllavët si organizator...

Misteri i vrasjes së Zija Dibrës: U akuzua nga jugosllavët si organizator i një takimi, Noli-Aleksandrov! Pas pak muajsh agjentët arritën të vrasin krerët e VMRO-së…

spot_img
spot_img

Një të diel të janarit të vitit 1925, gazeta “Indipendenca Shqiptare” lajmëronte në faqen e saj të parë: “Zija Dibra u vra. Ish-kapiten Zija Dibra, ministër tjetër herë në kabinetin e Pandeli Evangjelit, i akuzuar për çështje bolshevike, tek internohej në Berat, duke kaluar katundin Harizaj të Qarkut të Kavajës, u mundua të arratisej e t’ikë prej duarsh nji aspiranti, i cili e shoqnonte deri në Berat. Kështu, duke qenë i hypur në kalë, atë e ngau me gjithë fuqinë, përpara. Aspiranti i bërtiti nja dy herë të qëndronte, por mbasi s’e dëgjoi, e qëlloi në kokë dhe e rrëzoi të vrarë prej kalit”.

Zija Dibra, figurë e njohur e politikës shqiptare të fillim-shekullit XX u vra në të njëjtën ditë kur në Tiranë shpallej republika me president Ahmet Zogun tashmë të kthyer triumfator nga Jugosllavia. Vetëm pakkush e besoi versionin zyrtar të vrasjes. Zija Dibra, njihej si kundërshtar i vendosur i Ahmet Zogut, ai vetë kishte marrë pjesë si ushtarak në kryengritjen e drejtuar nga Hasan Prishtina në 1921.

Në 1923-in, bënte pjesë në një organizatë antizogiste të themeluar në Vjenë, nga Aqif Pashë Elbasani. Në qershor të 1924-ës, kishte luftuar me armë në dorë, në krah të kryengritësve, pastaj ishte vendosur në garnizonin e Shkodrës. Në vitin 1924, Noli e kishte dërguar Zija Dibrën, për t’i mbushur mendjen Elez Isufit, që të mos bashkohej me Zogun.

Dibra ia arriti t’i mbushte mendjen Elez Isufit, duke u kujtuar dibranëve armiqësinë e kahershme me serbët dhe duke përdorur edhe një shumë të majme parash. Njerëzit e Zogut, i kishin të gjitha arsyet për ta hequr qafe, por jo vetëm se ishte fanolist…!

Një pikëpyetje e madhe?

Si shumë politikanë të tjerë të përzier me ngjarjet e Qershorit 1924, edhe Zija Dibra ishte nisur për në udhën e mërgimit. Në 23 janar 1925, ishte parë duke udhëtuar mbi një kamion me targa të Durrësit, së bashku me Sulejman Delvinën dhe Sejfi Vllamasin, i pari ish-ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa i dyti, anëtar i Këshillit të Lartë.

Vllamasi kujton ta ketë pyetur, nëse do të shkonte bashkë me ta matanë detit, apo do të qëndronte në Shqipëri. “Jo nuk do lëviz, për jetën time, më ka dhënë garanci Myfit bej Libohova”. Kështu Zija Dibra nuk shkoi në Itali si qindra të tjerë, por përfundon, nuk dihet sepse, në Vlorë. Myfit bej Libohova, po marshonte në Jug, për t’u ardhur në ndihmë forcave të Zogut, që zbrisnin nga Veriu.

Pikërisht këtu Zija Dibra arrestohet dhe niset i shoqëruar me një xhandar, për në Berat, ku do të mbahej i internuar. Se çfarë ka ndodhur saktësisht, atë ditë të ftohtë në afërsi të Harizajt të Kavajës, këtë e dinte vetëm xhandari “pa emër”.

Krerët kosovarë dhe Ahmet Zogu

Zija Dibra, ishte shumë i lidhur me figurat drejtuese kosovare, si; Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Bedri Pejanin, Hoxha Kadrinë, me ata që përbënin zemrën e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me qendër në Shkodër.

Pesë vjet para vrasjes së Zija Dibrës, në vitin 1920, poeti dhe politikani italian, Gabriele D’Anuncio, organizoi në Trieste një mbledhje, të të gjitha organizatave nacionaliste, popujt e të cilëve, kishin mbetur nën sundimin serb, tashmë në Jugosllavinë e porsakrijuar.

Përfaqësues i kosovarëve dhe i Komitetit të Shkodrës, sipas Eqrem bej Vlorës, në këtë takim, ishte “atdhetari i vjetër Beqir Vokshi”. Në këtë mbledhje, D’Anuncio u premtoi kosovarëve armatim, me qëllim që këta të nisnin “çlirimin e Kosovës”, duke sulmuar nga ana e Kukësit.

Vapori me armë mbërriti në Shëngjin, në verën e vitit 1920. Asokohe Lufta e Vlorës, ishte në kulmin e saj. Ushtria jugosllave, u bë gati për ndërhyrje në anë të Bunës. Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm në atë kohë, ishte kundër shkarkimit të armëve të D’Anuncios, në Shqipëri.

Ai, por jo vetëm, mendonte se një sulm i kosovarëve ndaj Jugosllavisë, do ta vinte Shqipërinë e brishtë, në konflikt të hapur me Jugosllavinë, një luftë të cilën, sigurisht Shqipëria nuk ishte e gatshme ta përballonte, në atë kohë, por me sa duket edhe më vonë.

Për ta zgjidhur çështjen, Zogu dërgon në Shkodër, Sejfi Vllamasin dhe Xhemal Naipin. Me vete kishin edhe 20 mijë franga ari. “… Në orët e vona – kujton Vllamasi – u takuam me Bajram Currin, për ta bindur atë, pasi ishte më i arsyeshëm se të tjerët. E diskutuam çështjen, nga çdo pikëpamje, por nuk mundëm ta bindnim Currin, pasi influencohej nga Bedri Pejani, që ishte në favor të shkarkimit të armëve.

Atëherë po atë natë, shkuam në prefekturë, ku na prisnin, ndihmës-prefekti Sulçe Bushati, me komandantin e Xhandarmërisë, Malo Bushati, për të marrë vesh përfundimin e bisedimeve. Pasi të gjitha përpjekjet me anë bisedimesh dështuan, u vendos për masa ushtarake. Malo Bushati, nën komandën e kapiten Hasan Bushatit, dërgon një forcë xhandarësh në Shëngjin, për ta ndaluar me forcë shkarkimin e armëve…”!

E çara e parë e fortë mes krerëve kosovarë dhe Ahmet Zogut kishte ndodhur.

Zinxhiri i vrasjeve

Zija Dibra, shërbente si ndërlidhës mes liderëve kosovarë dhe krerëve nacionalistë maqedonas, të VMRO, Teodor Aleksandrov dhe Petar Çaulev. Në vitin 1924, konsulli jugosllav në Shkodër, i kishte raportuar disa herë Beogradit, mbi planet për të sulmuar Jugosllavinë. Çaulev, kishte takuar Hasan Prishtinën, ndërsa Aleksandrov, Bajram Currin.

Zija Dibra, madje u akuzua nga jugosllavët edhe si organizator i një takimi Noli-Aleksandrov, por ky takim u përgënjeshtrua nga Tirana zyrtare. Brenda pak muajsh, agjentët jugosllavë, arritën të vrasin krerët e VMRO-së, Aleksandrovin, në gusht të 1924 dhe Çaulevin, në dhjetor të 1924-ës, teksa e kishin ndjekur deri në Milano, pas kthimit të tij nga Shqipëria.

Një tjetër nacionalist anti-jugosllav, që kishte lidhje me kosovarët e Shkodrës, ishte malazezi Marko Raspopoviç. Ky bashkë me dy malazezë të tjerë, kishte marrë pjesë, madje me armë në dorë, në ngjarjet e Qershorit të 1924-s. Në fillim të 1925-ës malazezët ishin ende në Shkodër. Një dëshmitar i kohës, Asim Kopliku, ka rrëfyer:

“Mua më thirrën në konsullatën jugosllave të Shkodrës. U paraqita te konsulli jugosllav, i cili më kërkoi t’u dorëzoja Raspopoviçin, bashkë me dy malazezët, që kisha nën komandë. Konsulli tha se tre malazezët, ishin armiq të rrezikshëm të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë…! Në kazermë, bisedova gjatë me Marko Raspopoviçin.

Ai e fliste mirë shqipen. I tregova rrezikun që e kanoste dhe ramë dakord, që unë ta nxirrja nga Shkodra, ta përcillja deri në Bërdicë e, pastaj të shkonte në Shëngjin, e të hidhej në Itali. Por në Shëngjin, Marko Raspopoviçin e kapën. Treshja malazeze iu dorëzua Ceno bej Kryeziut, i cili e vari Marko Raspopoviçin, në Krumë”!

Pak muaj më vonë, Ceno bej Kryeziu, do t’i deklaronte një gazete të Beogradit: “Unë e kam zënë dhe unë e kam vrarë armikun tuaj, Marko Raspopoviç. Unë kam vrarë Zija Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, për paqen tuaj e tonën…”! Të ketë qenë një deklaratë e sinqertë, apo vetëm një mburrje në ngazëllim e sipër?! Historia nga një here, nuk është edhe aq e qartë, sa do të donim.

Në vitin 1925, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, nuk ekzistonte më praktikisht. Një pjesë e liderëve u vranë, pjesa tjetër, u fsheh në emigracion. Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular