BallinaKryesoreAktet normative shmangin kontrollin e Kuvendit mbi Financat Publike

Aktet normative shmangin kontrollin e Kuvendit mbi Financat Publike

spot_img
spot_img

Nga Bujar Leskaj

Më 28 gusht 2024, sekti Rama miratoi në Këshillin e Ministrave Aktin Normativ Nr. 3 mbi disa ndryshimi në Ligjin për Buxhetin e Shtetit te vitit 2024, me të ardhurat, të cilat nga 686 miliardë lekë shkojnë në 714 miliardë lekë dhe shpenzimet që rriten nga 744 miliardë lekë në 771 miliardë lekë. Ndryshimi i Buxhetit të Shtetit përmes akteve normative cënon Parimin e Ndarjes së Pushteteve, të sanksionuar në Nenin 7 të Kushtetutës së Shqipërisë. Cila ishte situata emergjente, çfarë urgjence të jashtëzakonshme kishin ndryshimet në Buxhetin e Shtetit, që nuk mund të prisnin disa ditë dhe të diskutoheshin e kontrolloheshin në seancën e Kuvendit, i cili u mblodh më 2 shtator 2024?!

Aktet normative, formë abuzive e shmangies dhe pothuajse zerimit të kontrollit parlamentar

Aktet normative hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit dhe më pas konfirmohen nga Kuvendi “ex-post”, pa iu nënshtruar debatit dhe shqyrtimit parlamentar. Ky proces karakterizohet nga mungesa e transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes parlamentare. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë shprehur disa herë shqetësimet dhe rezervat e tyre për këtë mënyrë qeverisjeje të Buxhetit të Shtetit, si jo transparente dhe në dëm të qëndrueshmërisë dhe mirëmenaxhimit të financave publike. Përmes akteve normative, në emër të gjoja një emergjence që nuk ka asnjë arsye të qëndrojë, sa herë këto akte normative kanë dalë në këto 10 vitet e fundit(plot 27 të tilla), Këshilli i Ministrave, dega ekzekutive e qeverisjes merr me dhunë dhe pa pyetur atribute që zakonisht i rezervohen legjislativit, Parlamentit. Ky Akt Normativ i 28 gushtit 2024 është i dyti këtë vit, me pasoja të drejtpërdrejta në Buxhetin e Shtetit. Me këtë praktikë abuzive dhe jo transparente, sekti qeverisës cënon dhe praktikisht zeron rolin kontrollues dhe mbikëqyrës të Kuvendit. Aktet normative reduktojnë deri në zero mundësitë për një kontroll të plotë dhe kritik të mënyrës se si qeveria i menaxhon fondet publike. Duke anashkaluar procesin legjislativ të zakonshëm, qeveria krijon një situatë ku vendimet e rëndësishme buxhetore nuk janë subjekt i një kontrolli të rreptë dhe të hapur nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Kjo është e pafalshme në një shtet demokratik me ndarje të qartë të pushteteve. Është thellësisht autokratike!

Aktet normative, paaftësi e plotë e qeverise për planifikim afatgjatë

Me Aktin Normativ Nr. 3 të datës 28 gusht 2024, kush dha ose jep llogari pse Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural iu reduktuan 250 milionë lekë ose mbi 2.5 milionë euro, nga 14.18 miliardë lekë në 13.93 miliardë lekë, në një kohë kur dimë sa jetik është sektori i bujqësisë për ekonominë tonë dhe sa domosdoshmëri ka ai në këtë kohë për fonde shtesë? Me aktin normativ Nr. 1 të datës 21 shkurt 2024, për ministritë(çka përbën 85% të buxhetit total për institucionet buxhetore), u riplanifikuan 367.3 miliardë lekë, nga 359.6 miliardë lekë të Buxhetit të Shtetit të planifikuar, sikurse e kërkon Kushtetuta dhe ligji organik i Buxhetit, në fund të vitit 2023, për Buxhetin e Shtetit të vitit 2024. Po Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pse ju reduktua buxheti me 310 milionë lekë ose 3.1 milionë euro? Ndërkohë edhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit iu pakësua buxheti me 1.33 miliardë lekë, ose më shumë se 13 milionë euro, për artin dhe kulturën. Pse këto miliona euro më pak për artin dhe kulturën? Nuk ka përgjegjësi kjo qeveri t’u shpjegojë shqiptarëve dhe Kuvendit pse i pakëson fondet për bujqësinë, shëndetësinë publike, artin dhe kulturën?! Pse kjo qeveri pakëson ndjeshëm fondin e sigurimeve shoqërore me 1.1 miliardë lekë, ose 11 milionë euro, me Akt Normativ? Kur mburret çdo ditë se po mendon për pensionistët, ndërkohë që u ul fondin? Mos bëri gabim në përllogaritjet në dhjetor 2023, kur kaloi ligji i Buxhetit të Shtetit për vitin 2024?!

Shkelje me të dyja këmbët e disiplinës financiare dhe e Ligjit Organik të Buxhetit të Shtetit

Rishikimi i buxhetit përmes akteve normative tregon një mungesë të theksuar të planifikimit afatgjatë nga ana e qeverisë dhe nje mungese serioziteti ne menaxhimin e financave publike. Kur qeveria harton buxhetin e saj vjetor, ajo duhet të parashikojë nevojat financiare për të gjithë vitin fiskal, duke marrë parasysh rreziqet dhe sfidat e mundshme. Rishikimi i buxhetit në mënyrë të përsëritur përmes akteve normative, krijon paqëndrueshmëri financiare dhe ndikon negativisht në klimën e investimeve, sidomos në besimin e investuesve të huaj realë dhe potencialë në një politikë fiskale dhe financiare të qëndrueshme dhe serioze nga ana e qeverisë. Për 7 mujorin e parë janar-korrik 2024, Buxheti alokoi vetëm 24% të planit vjetor të investimeve publike. Shtimi i buxhetit me akt normativ në fund të gushtit dhe nevoja për të realizuar rreth 76% të investimeve në një periudhë të shkurtër, në vetëm 4 muajt e mbetur të vitit 2024, krijon një ngarkesë të madhe për menaxhimin e projekteve. Ky skenar qeveritar do gjenerojë vonesa dhe dështime në realizimin e projekteve, për shkak të shpejtësisë dhe presionit të kohës. Nga ana tjetër, ulet cilësia në ndjekjen e standardeve dhe specifikimeve të projekteve. Shpejtësia e realizimit do të çojë në defekte dhe probleme të tjera në përfundimin e tyre, duke ndikuar negativisht në infrastrukturën dhe shërbimet publike për qytetarin. Shpërndarja e papritur e akordimit të fondeve dhe përpjekja për të realizuar një sasi të madhe investimesh në një periudhë shumë të shkurtër, do ta vështirësojë në ekstrem menaxhimin e financave publike. Do të kemi probleme të mëdha me alokimin dhe mbikëqyrjen e fondeve, duke krijuar mundësi të pamata për shpërdorim dhe korrupsion. Nga ana tjetër, nxitimi i shpenzimeve themelore për të përmbushur objektivat e reja, do të çojë në shpenzime të pashëndetshme dhe të paplanifikuara, duke ndikuar negativisht në bilancin e Buxhetit të Shtetit dhe duke shkaktuar defiçite të tjera financiare në të ardhmen. Shpërndarja e shpejtë e fondeve mund të bëjë të vështirë mbikëqyrjen dhe auditimin e saktë të investimeve. Një periudhë e shkurtër dhe e ngarkuar do të çojë në mungesë të kontrollit të duhur dhe, me siguri, në shkelje të rregullave dhe procedurave të vendosura për menaxhimin e fondeve publike. Të gjitha këto që përmenda më lart do të ndodhin duke shkelur me të dyja këmbët Ligjin organik të Buxhetit, i cili kërkon që investimet të planifikohen dhe të shpërndahen në mënyrë të qartë dhe të parashikueshme. Shtimi i buxhetit në një periudhë të shkurtër dhe nxitimi për realizimin e investimeve nuk përputhet me kërkesat e ligjit për planifikim dhe transparencë të financave.

Rriten shpenzimet, por jo dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë dhe fondi për personat me aftësi të kufizuar

Në Nenin 10, pika 6 të Aktit Normativ Nr. 3, theksohet se të ardhurat nga privatizimi përdoren 50 përqind për shlyerjen e borxhit publik dhe 50 përqind për investime. Kam 2-3 vjet që i kam propozuar Kuvendit dhe ripërsëris që të ardhurat nga privatizimi të përdoren 50 përqind për shlyerjen e borxhit, 25 përqind për shlyerjen e detyrimeve që kemi ndaj ish-të përndjekurve politikë dhe 25 përqind për investime kapitale. Çfarë e pengon këtë qeveri për ta realizuar këtë dhe për të shlyer, sado pjesërisht, një detyrim të madh moral dhe financiar që kemi ndaj shtresës më të përvuajtur të shoqërisë sonë?! Mirë për përcaktimin e Minimumit Jetik Zyrtar që kjo qeveri e sektit Rama nuk vepron, po përse nuk dyfishon fondin për personat me aftësi të kufizuar dhe me aftësi ndryshe, si dhe për personat kujdestare pranë tyre? Theksoj se aktet normative jo vetëm janë antikushtetuese, shmangin kontrollin parlamentar dhe shkelin Ligjin Organik të Buxhetit, por edhe thellojnë pabarazinë ekonomike dhe sociale në vend. Vendi ynë ka nivelin më të lartë të pabarazisë në rajon dhe ndër më të lartit në Evropë. Koefiçienti Gini, i cili mat pabarazinë sociale dhe ekonomike në një vend, ka një shkallë nga zero deri në 100, ku zero nënkupton barazinë e plotë, ndërsa 100 pabarazinë e plotë. Sipas INSTAT, koefiçienti Gini për Shqipërinë në vitet e fundit ndodhet në intervalin 35-36%. Sipas EUROSTAT dhe Bankës Botërore, nivelin më të ulët të pabarazisë në rajon e ka Kosova, me 29%. Ekonomia e dytë me pabarazinë më të ulët është Maqedonia e Veriut, me 31.9%, ndërsa për Bosnje Hercegovinën koeficienti Gini është 32.7%. Pra, jemi edhe më keq se Bosnje-Hercegovina dhe përfaqësojmë një nga ekonomitë dhe shoqëritë me pabarazinë më të madhe të të ardhurave në Europë. Ky tregues e nxjerr zbuluar rritjen ekonomike prej 3-4 përqind të trumbetuar nga qeveria si sukses i madh për vitet 2021-2023. Rritja ekonomike e këtyre viteve dhe e këtij viti 2024 nuk sjell as vende të reja pune, as perspektivë tek njerëzit më në nevojë dhe qytetarët e thjeshtë, të cilët e kanë humbur përfundimisht shpresën për përmirësim të gjendjes së tyre ekonomike në Shqipëri, për sa kohë kanë sektin Rama në qeverisje.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular