BallinaAktualitetE bëri Izraeli?/ Si u shpërthyen radiomarrëset në dorë e xhepa ushtarëve...

E bëri Izraeli?/ Si u shpërthyen radiomarrëset në dorë e xhepa ushtarëve të Hezbollahut

spot_img
spot_img

Nente persona humben jeten dhe mijëra të tjerë janë plagosur në Liban, pasi radiomarrëset e përdorura nga grupi i armatosur Hezbollah për të komunikuar shpërthyen papritur pothuajse njëkohësisht në të gjithë vendin këtë të martë. Qindra njerëz u derdhën nëpër spitale në të gjithë vendin.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se të paktën 2750 persona janë plagosur, 200 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Është e paqartë se si ndodhi sulmi, i cili duket të ketë qenë shumë i sofistikuar. Hezbollahu ka fajësuar menjëherë kundërshtarin e tij, Izraelin. Zyrtarët izraelitë deri më tani kanë refuzuar të komentojnë. Çfarë dimë deri tani.

Kur dhe ku ndodhi?

Shpërthimet filluan në Bejrutin jugor dhe disa zona të tjera të Libanit pasditen e së martës rreth orës 15:45 me orën lokale. Dëshmitarët raportuan se kishin parë tym që dilte nga xhepat e njerëzve, përpara se të dëgjoheshin shpërthime të vogla që dukeshin si fishekzjarrë apo të shtëna armësh. Në një video, pamjet e kamerës së sigurisë treguan një shpërthim në xhepin e pantallonave të një burri teksa qëndronte në një dyqan.

Shpërthimet vazhduan për rreth një orë njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Menjëherë pas kësaj, një numër i madh njerëzish filluan të mbërrinin në spitale në të gjithë Libanin. Dëshmitarët raportuan skena të konfuzionit masiv. Një burim i afërt me Hezbollahun i tha AFP se 2 nga të vrarët ishin djemtë e dy deputetëve të Hezbollahut. Ata thanë gjithashtu se vajza e një anëtari të Hezbollahut u vra.
https://www.youtube.com/embed/JRQzbazXgXs
Mes të plagosurve ishte edhe ambasadori i Iranit në Liban, Mojtaba Amani. Raportimet në mediat iraniane thanë se plagët e tij ishin të lehta. Shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah nuk u lëndua nga shpërthimet, raportoi Reuters duke cituar një burim. Jashtë Libanit, 14 persona u plagosën në shpërthime të ngjashme në Sirinë fqinje.

Si shpërthyen radiomarrëset?

Analistët janë shprehur të habitur për shkallën e sulmit duke nënvizuar se Hezbollahu krenohet me masat e tij të sigurisë. Disa sugjeruan se një haker mund të ketë shkaktuar mbinxehjen e baterive të radiomarrëseve duke shkaktuar shpërthimin e pajisjeve. Një akt i tillë do të ishte i paprecedentë. Megjithatë shumë ekspertë thonë se kjo nuk ka gjasa të ketë ndodhur duke parë pamjet e shpërthimeve që nuk janë të ngjashme me mbinxehjen e baterive.

Në vend të kësaj, disa analistë thonë se me shumë gjasë radiomarrëset janë manipuluar që gjatë prodhimit ose gjatë transportit. Sulmet e zinxhirit të furnizimit janë një shqetësim në rritje në botën e sigurisë kibernetike. Shumë incidente janë shkaktuar kohët e fundit nga hakerat që kanë marrë akses në produkte teksa ato janë në zhvillim.

Por këto sulme zakonisht përqendrohen tek softuerët. Sulmet e zinxhirit të furnizimit të harduerit janë shumë më të rralla pasi duhet të merret pajisja në dorë. Nëse ky do të ishte vërtet një sulm i zinxhirit të furnizimit, do të duhet të kishte përfshirë një operacion të madh për të manipuluar fshehurazi radiomarrëset në një farë mënyre.

Një ish-ekspert i municioneve të Ushtrisë Britanike, i cili kërkoi të mos përmendet emri, i tha BBC-së se pajisjet mund të ishin të mbushura me nga 10-20 gramë eksploziv të nivelit të lartë ushtarak, të fshehur brenda një komponenti elektronik të rremë. Kjo, tha eksperti, do të ishte aktivizuar nga një sinjal, diçka që quhet një mesazh teksti alfanumerik.

Kush është përgjegjës?

Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë megjithëse kryeministri i Libanit dhe Hezbollahu kanë fajësuar Izraelin. Kryeministri Najib Mikati tha se shpërthimet përfaqësonin një “shkelje serioze të sovranitetit libanez dhe një krim sipas të gjitha standardeve”. Në deklaratën e tij duke akuzuar Izraelin se qëndron pas sulmeve, Hezbollah tha se ai ishte “plotësisht përgjegjës për këtë agresion kriminal që synonte gjithashtu civilët”.

“Ky armik tradhtar dhe kriminel sigurisht që do të marrë dënimin e tij të drejtë për këtë agresion mëkatar, pavarësisht nëse e pret apo jo”, shtoi ai. Zyrtarët izraelitë nuk i kanë komentuar akuzat, por shumica e analistëve pajtohen se duket se ai qëndron pas sulmit.

Prof. Simon Mabon, kryetar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Lancaster, i tha BBC-së: “Ne e dimë se Izraeli ka një precedent të përdorimit të teknologjisë për të gjurmuar objektivat e tij”, por ai e quajti shkallën e këtij sulmi “të pashembullt”. Lina Khatib, nga Chatham House me seli në Mbretërinë e Bashkuar, tha se sulmi tregoi se Izraeli është infiltruar “thellë” në “rrjetin e komunikimit” të Hezbollahut.

Pse Hezbollahu përdor radiomarrëse?

Hezbollahu mbështetet shumë tek radiomarrëset për komunikimet mes grupit. Telefonat celularë janë braktisur prej kohësh të konsideruar shumë të cenueshëm, siç tregoi vrasja nga Izraeli të prodhuesit të bombave të Hamasit, Yahya Ayyash në vitin 1996, kur telefoni i tij shpërtheu në dorë.

Por një operativ i Hezbollahut i tha agjencisë së lajmeve AP se radiomarrëset ishin një markë e re që grupi nuk e kishte përdorur më parë. Emily Harding, një ish-analist i CIA-s, tha se shkelja e sigurisë ishte thellësisht e turpshme për Hezbollahun.

“Një shkelje e kësaj përmase nuk është vetëm e dëmshme fizikisht, por gjithashtu do t’i bëjë ata të vënë në dyshim të gjithë aparatin e tyre të sigurisë” – tha ajo për BBC. “Unë pres të shoh që ata të kryejnë një hetim të brendshëm intensiv që do t’i shpërqendrojë nga një luftë e mundshme me Izraelin.”

A do të përshkallëzohet konflikti Hezbollah – Izrael?

Hezbollahu është aleat me armikun kryesor të Izraelit në rajon, Iranin. Grupi është pjesë e Boshtit të Rezistencës të Teheranit dhe është përfshirë në një luftë të nivelit të ulët me Izraelin për muaj të tërë, duke shkëmbyer shpesh raketa dhe dronë përgjatë kufirit verior të Izraelit. Komunitete të tëra janë zhvendosur nga të dyja anët.

Shpërthimet erdhën vetëm disa orë pasi kabineti i sigurisë i Izraelit bëri kthimin e sigurt të banorëve në veri të vendit një qëllim zyrtar i luftës. Kryeministri Benjamin Netanyahu i tha një zyrtari amerikan se Izraeli “do të bënte atë që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e tij”. Më herët të hënën, agjencia e sigurisë së brendshme e Izraelit tha se kishte penguar një përpjekje të Hezbollahut për të vrarë një ish-zyrtar.

Pavarësisht tensioneve të vazhdueshme, analistët thonë se deri më tani të dyja palët kanë synuar të frenojnë armiqësitë pa kaluar kufirin për një luftë të shkallës së plotë. Por ka frikë se situata mund të dalë jashtë kontrollit, me Hezbollahun që tashmë kërcënon se do t’u përgjigjet shpërthimeve të së martës. ©BBC,

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular