Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka komentuar lajmet për sovranitetin e Urdhrit Bektashi, i cili është shprehur se në thelb ka frikën e Edi Ramës nga hetimet Anti-Korrupsion të SPAK dhe burime të besueshme bëjnë me dije që e shikon këtë si një mundësi për të krijuar imunitete ekstraterritoriale në territorin e Shqipërisë.
Në intervistën për Top News, Basha tha se kjo ide është tradhëti kombëtare dhe vepër penali pasi shkelet Kushtetuta. Ai gjithashtu tha se është një goditje që i bëhet bektashinjve të Shqipërisë, në veçanti atyre figurave historike që kanë derdhur gjakë për shqiptarizmin.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Besoj se edhe ky propozimi i fundit për të krijuar mikroshtetin e Baba Mondit në Tiranë në thelb ka frikën e Edi Ramës nga hetimet Anti-Korrupsion të SPAK dhe burime të besueshme bëjnë me dije që e shikon këtë si një mundësi për të krijuar imunitete ekstraterritoriale në territorin e Shqipërisë. Sigurisht që është një akt çmendurie, së pari anti-Kushtetues. Shqipëria është një shtet unitar dhe çdo përpjekje pë të ndarë çfarëdo cope të Shqipërisë nga territori i saj në fakt është jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën, por është vepër penale. Është tradhëti dhe vepër penale. Së dyti është një goditje që i bëhet bektashinjve të Shqipërisë, në veçanti atyre figurave historike që kanë derdhur gjakë për shqiptarizmin. Janë sakrifikuar për flamurin kuq e zi. Është një akt i rrezikshëm përçarjeje fetare. Se pse duhet ta ketë Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve këtë dhe jo fjala bie Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare, apo Komuniteti Mysliman i Shqipërisë? Por mbi të gjitha është akt i njerëzve të cilët nuk i zë më gjumi nga frika e zullumeve që kanë bërë ndër dekada dhe kështu duhet parë si një akt tjetër i dështuar që në fillim oër të krijuar imunitet ekstraterritorial për ndjekjen e SPAK për të gjithë ata meritojnë të jenë para hekurave për shkak të korrupsionit.