ujtojmë sot 104 vjetorin e lindjes së Artistes së Popullit Marie Logoreci! Nderim dhe respekt për figurën e saj!
Marie Logoreci (1920-1988). Aktore e teatrit. Lindi në Shkodër, më 23 shtator. Qyshn ga viti 1940 u aktivizua fillimisht si këngëtare dhe më pas në grupet amatore teatrore. Më 1947 u pranua si aktore profesioniste në Teatrin Popullor, duke qenë nga artistet e para profesionniste shqiptare. Luajti rolin e Elmirës në komedinë “Tartufi” të Molierit, ku spikati për dhuntitë e saj dramatike.
Në vitin 1949 luajti Alisën në dramën “Rrënjë të thella”, kurse në vitin 1950 interpretoi rolin e Fatimes nga drama “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës. U bë e njohur, duke fituar një vend të merituar në teatër, veçanërisht me interpretimin e Lokes në dramën “Toka jonë” (1954) e K. Jakovës, regjisor Pandi Stillu, të cilën e luajti më vonë edhe në filmin me të njëjtin titull, më 1964.
Ajo paraqiti në skenë një nënë të vuajtur nga padrejtësitë e bëra më parë dhe, sado që e poshtëruar nga nëpërkëmbja që i patën bërë në nderin e saj, kish mbetur sidoqoftë një grua burrneshë e krenare, në rizgjim, që kërkonte me ngulm të vinte në vend dinjitetin dhe personalitetin e shkelur tinëzisht (nga antagonisti i dramës, Tuç Maku). Në filmin e parë artistik shqiptar të metrazhit të shkurtër “Fëmijët e saj”, 1957, luajti rolin e Fatimes.
Po këtë vit realizoi një nga figurat mbresëlënëse të karrierës se saj, atë të Ledi Milfordit në dramën “Intrigë e dashuri” të Shilerit, me regjisor Mihal Luarasin. Individualiteti artistik në mishërimin e figurave të grave të forta, e krenare, të cilat durojnë dhimbje e plagë të thella, erdhi duke u formësuar nga viti në vit në shumë drama ku ajo luajti, si nga dramaturgjia shqipe, ashtu edhe e huaj.
Në vitin 1961, M. Logoreci spikati në rolin e Bernarda Albës në dramën “Shtëpia e Bernarda Albës” e F. G. Lorkes, në të cilën paraqiti gruan e rreptë spanjolle, me barrën e paragjykimeve cinizmin dhe raportet patriarkale e tiranike ndaj vajzave të saj, me qëndrimin përjashtues kundrejt dashurisë së tyre, lirisë së zgjedhjes etj. Në tragjedinë “Hamleti” të Shekspirit, 1960, interpretoi rolin e Getrudës, duke e parë atë në cakun e bjerrjes morale dhe vuajtjen e pendesës që zë fill pas bisedës me të birin, Hamletin.
Në dramën “Përkoligjinajt” të K. Jakovës, 1967, i dha jetë figurës së Marës dhe shpështjellimit të saj shpirtëror në pranimin e realitetit të ri, që po zinte vend në familjen patriarkale shqiptare, ndërsa në dramën “Cuca e maleve”, 1967, e Loni Papës, ajo krijoi një figurë tjetër nëne, Prendën, të dhimbshme e mallëngjyese.
Arritje e shënuar artistike ishte për aktoren edhe interpretimi i figurës së Gjelës në dramën “Përmbytja e madhe” (1976) e K. Jakovës, përmes së cilës luajti malësoren e rënduar nga fati dhe vdekja e të afërmve, që nuk i kupton mirë të ardhmen dhe ndryshimët e marrëdhënieve sociale të kohës; gjithashtu ajo dha edhe zemërimin e ligjshëm nga mashtrimi që i ishte bërë.
Aktrimi i M. Logorecit është dalluar për vërtetësi, natyrshmëri, thellësi ndjenjë, për emocionin e ngrohtë njerëzor që transmetonte te publiku. Bënte një lojë të tipit pasional. Rrekej ngaherë që të jepte botën e pasur shpirtërore të personazheve, duke depërtuar nga gjendjet e tyre kontradiktore e të dyfishta.
Aktorja shquhej për zërin melodioz; synonte tonet tragjike, duke sjellë në skenë figura grash e nënash të përvuajtura, por krenare e të forta. I është dhenë titulli “Artiste e Popullit”. Ndahet nga jeta më 19 qershor 1988 në qytetin e Tiranës.