Dy profesorë të Universitetit të Prishtinës, Besnik Krasniqi dhe Avni Berisha, janë përfshirë në listën e 2% të shkencëtarëve më të mirë në botë. Ata janë në pjesën e profesorëve dhe shkencëtarëve më të cituar përgjatë vitit 2024, mes miliona kolegëve nga gjithë bota.
Universiteti Stanford në Kaliforni ka publikuar së fundmi listën e 2% të shkencëtarëve më të cituar në disiplina të ndryshme dhe me krenari Universiteti i Prishtinës njofton se dy profesorët e vetë, janë përfshirë në listën e më të mirëve në botë.
Ky rankim konsiderohet si më prestigjiozi në botë dhe renditja e shkencëtarëve bëhet nga të dhënat bibliometrike të Scopusit. Veç dy profesorëve Avni Berisha nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore dhe Besnik Krasniqi nga Fakulteti Ekonomik, nga Ballkani janë dhe 14 profesorë të tjerë.
Konkretisht, 5 profesorë nga Universiteti i Malit të Zi, 4 nga Universiteti i Shkupit dhe 5 nga Universiteti i Sarajevës.
Por ndryshe nga këto institucione arsimore që kanë profesorët e vetë në listën e më të mirëve në botë, nga Shqipëria nuk ka asnjë profesorë. As nga Universiteti i Tiranës dhe as nga Universiteti Politeknik.
Nëse Universiteti i Prishtinës është pararojë e kërkimit shkencor në hapësirat shqipfolëse dhe me profil akademik të respektuar në rajon, sepse e ka vendosur kërkim shkencor prioritet dhe orientim strategjik, në Shqipëri universitetet janë shumë larg rezultateve realisht të prekshme.