ARIAN GALDINI
Një nga fjalët që urrej më së shumti është “pjesëmarrje”. Kushdo që e ka krijuar këtë fjalë ka bërë një dëm kolosal tek kultura mbizotëruese që kanë pasur e ende po përthellojnë shqiptarët. Fjala pjesëmarrje, sjell natyralisht atë kuptimin e gjithëpranuar se nëse shkon diku shkon për të marrë pjesë apo pjesën. Shkon në miting, shkon për të marrë pjesën, shkon në protestë, shkon për të marrë pjesën, bëhesh anëtar partie dhe të duket se merr pjesën në parti, e kjo ka përfunduar kaq keq saqë edhe për kauza çështje të gjithë mendojnë se duhet të marrin pjesën. E nuk kanë faj, sepse vetë fjala ta ndjell këtë pritshmëri. Partecipare në italisht, participation në anglisht, i shkon më për shtat të përkthehen si pjesëbërje jo si pjesëmarrje. A nuk do të ishte një fillesë e mbarë që ta ndryshonim fjalën “pjesëmarrje” e ta shndërrojmë në “pjesëbërje”? Pjesëbërje në miting, pjesëbërje në protestë, pjesëbërje në parti, etj, etj..
Kështu ndoshta do të shihnim një shqiptar që lulëzon duke menduar e pranuar se gjërat ndryshojnë kur secili prej nesh bën pjesën e vetë.
Shqipëria mjerohet nëse vazhdojmë të jetojmë nën motivimin se secili merr pjesën e vet. E nëse biem dakord fillimisht për një aksion të tillë kombëtar për ta ndryshuar fjalën “pjesëmarrje” e ta kthejmë në “pjesëbërje”, mund të kalojmë në një tjetër propozim për një fjalë të re “Shqipnim”. Çfarë mendoj unë se duhet të nënkuptojë fjala “shqipnim”? Ne themi papushim se jemi bijtë e shqipes e madje narrativa jonë e krenarisë kombëtare bazohet te shqiponja dhe fuqia e saj. Shqiponjat fluturojnë lart, hanë zvarranikë, janë krenare, fisnike, mbrojtëse dhe sulmuese. Por ne bijtë e shqipes duket sikur kemi ulur edhe kokat edhe standardet morale e shpirtërore, prej disa dekadash. Themi se jemi bij të shqipes, por, nëse dikush na thotë, eja të ngremë krye kundër të ligjve, hajdutëve, batakçinjve, zullumqarëve e të korruptuarve, ne shqipet bëhemi dhjaksa e ia nisim të qahemi me shprehje të tipit, eh po këta të lënë pabukë, jam në punë e kam frikë se më heqin nga puna, ashtu kam një hall tek Bashkia, etj, etj, etj… Jemi shqipe në kafe kur flasim për “Big Brother” dhe “Përputhen”, jemi shqipe kur flasim për të shkuarën tonë pellazgjike, jemi shqipe kur flasim për futboll dhe për anunakët, jemi shqipe edhe kur zihemi për Kamala apo Trump, Izrael apo Palestinë, etj, etj, por bëhemi dhjaksa kur flasim për Kryetarin e Bashkisë, deputetin, PS, PD, PL, Rama, Berisha, Meta… Kur them dhjaksa, nuk flas për sharjet ndaj Kryetarit të Bashkisë, deputetit, PS, PD, PL, Rama, Berisha, Meta.. Sepse sharje e ankimime ne bëjmë çdo ditë e çdo minutë. Sharjet, ankimimet, qarjet, qaravitjet dhe qurravitjet i kemi sport kombëtar tashmë. Sikurse e kam thënë e shkruar edhe herë të tjera, nëse të gjithë hebrenjtë e bënë murin e qarjeve në Jeruzalem e nëse u duhet të qajnë para Zotit e ti luten Zotit shkojnë atje, ne shqiptarët kemi bërë të gjithë nga një mur personal qarjesh dhe ngase hyjmë në garë se kush e ka murin e vetë më të madh se tjetri nuk qajmë të na dëgjojë Zoti, por që të na dëgjojë tjetri…
Prandaj ankohemi, qajmë e qaravitemi e qurravitemi papushim çdo ditë e me zell, por ngase nuk qajmë që të na dëgjojë Zoti, por që të na dëgjojë tjetri, nuk marrim më përgjigje nga Zoti, e nuk e kuptojmë dot se edhe tjetri nuk të përgjigjet dot, sepse përgjigja e tjetrit është një e qarë më e bujshme… Jemi bërë dhjaksa, qaramanë dhe sharësa e mallkues… Dhjaksa nga mosveprimi, qaramanë nga mosguximi, dhe sharësa e mallkues nga mospërgjigja. Ne ankohemi e qajmë e qaravitemi e qurravitemi papushim në çdo kafe, në çdo qoshe, në çdo dasmë, në çdo vaki, në çdo synetllik a pagëzim, në çdo tavolinë, takim a grumbullim dhe qajmë e ankohemi që të dëgjojë dikush e për rrjedhojë të na përgjigjet dikush. Por harrojmë se gara jonë personale e kombëtare për qarjen më të madhe, nuk na vendosin në dëgjueshmëri por në qaramanëri më të madhe konkurruese, e për rrjedhojë askush nuk mund të na përgjigjet se nuk dëgjon më askush prej dekadash. Mosdëgjueshmëria dhe mospërgjigja na lodhin e mërzisin e përfundojmë të zemëruar. Kur shihni kaq shumë vrer, helm, sharje e mallkime kudo e ngado në kafene, biseda, rrjete sociale, kuptojeni që vjen nga njerëz të zemëruar të cilët kanë qarë shumë, por askush nuk i ka dëgjuar e askush nuk u është përgjigjur kurrë.
Nuk e kuptojnë të gjorët se duhet të pushojnë qarjet e të ndalin garën e qarjeve që t’u japin mundësi veshëve të dëgjojnë e përgjigjeve t’u kthehen. Kemi ngatërruar e përmbysur gjithçka.
I nxjerrim hallet e emocionet tona në pazar si plaçkë. Harrojmë se hallet dhe zgjidhja e halleve kanë qenë, janë e duhet të jenë, e do të jenë një sfidë krejt personale. Askush nuk flet për hallet e veta, askush nuk bën shok nga halli, askush nuk bëhet anëtar partie nga halli, askush nuk bëhet pjesë e diçkaje nga halli, sepse kjo është receta për t’u bërë skllav e jo për të zgjidhur hall. Sado i madh halli, mbetet personal e kësisoj sado e madhe sfida për zgjidhjen e hallit gjithsesi mbetet personale. Nuk ma nevojë për qarje halli, ankimtari e qaramanëri. Jemi bërë dhjaksa melodramatikë. Ngado e kudo melodrama. Andaj që të bëhemi vërtetë bij të shqipes, bëjmë mirë të ngremë kryet, vlerat, guximin dhe standardet morale. Të fluturojmë lart, të shqipnojmë.
Shqipnimi sipas meje duhet të kthehet në sfidë kombëtare për lartësim shpirtëror, vleror dhe moral. Të vendosim së bashku të shqipnojmë, sepse ky është i vetmi shans që kemi që të marrim e japim përgjigje për gjithçka. Të dalim nga kultura e ankimtarisë e të hyjmë në një kohë, epokë e kulturë të re të shqipnimit.
E di që kush mendon si qaraman e ka logjikën e thjeshtë. Ti i thua: Jam Ajnshtajni, jam Gjeni. Ai të thotë: O vëlla, kam halle, a ke ndonjë lek, a ke pushtet, a më zgjidh dot ndonjë hall. Ti i thua: Kam bërë Teorinë e Relativitetit. Ai të thotë:
Ore a ke ndonjë lek, a ke ndonjë gjë në dorë ti të më zgjidhësh ndonjë hall? Ti i thua: Po jam edhe Moxarti, i bie pianos. Ai të thotë: Po ik ore sharlatan, mashtrues, se nuk paske gjë në torbë ti. Ti fliske kot. Ik mos na çaj dërrasat. Me pak fjalë, ankimtari e qaramani nuk e kuptojnë, nuk e duan, madje e urrejnë virtuozin, të ndershmin e të zotin, e të vlerin. Ankimtari e qaramani duan vetëm atë që ka pasuri, famë e pushtet, se vetëm këta mund t’i zgjidhin ndonjë hall. E në shoqëri të tilla, me ankimtari e qaramanëri, le të përpiqen sa të duan njerëzit kreativë, të ndershëm, të zotë e virtuozë që të bien në sy…
Askush nuk i vë re, askush. Në shoqëritë ankimtare bien në sy e shkëlqejnë vetëm ata që kanë pasuri, famë e pushtet.
Kurthi është i plotë. Ankimtarët duan të shpëtojnë nga hallet që ua shkaktojnë ata që i kanë në dorë punët. Punët në dorë i kanë vetëm horrat e pasur, zengjinët e korruptuar, e politikanët zullumqarë. Si shoqëri ankimtare, ne qahemi e qurravitemi e madje mallkojmë të mllefosur ata që na kanë katandisur në këtë gjendje e thërrasim për ndryshim, por çuditërisht në sy na bien vetëm të pasurit që janë ata, të famshmit që janë ata dhe të pushtetshmit që janë po ata. Për të dalë nga kurthi duhet të ndryshojmë kulturën. Duhet të shqipnojmë. Jo më ankimtari e qaramanëri. Koha për shqipnin.