BallinaOP EDDy fjalë mbi debatin për shtetin bektashi

Dy fjalë mbi debatin për shtetin bektashi

spot_img
spot_img

ARIAN GALDINI

Le ta nisim me vetë propozuesin. A e ka Kryeministri Edi Rama seriozisht kur e bën shpalljen e projektit dhe idesë së tij? A është realisht mbështetja dhe kryerja e këtij projekti, një objektiv i Edi Ramës? Ta zëmë se po. Atëherë në cilin ligj të Republikës së Shqipërisë, në cilin nen të Kushtetutës dhe në cilin prej ligjeve ndërkombëtare i jepet autoriteti i krijimit të një shteti të ri, kryeministrit tonë? Askund! Nuk e ka as atributin ligjor e as kushtetues e madje as sipas të Drejtës Ndërkombëtare, nuk mundet kryeministri ynë famëlartë e vizionar global që të nismojë krijimin e një shteti, qoftë edhe simbolik apo shpirtëror. Çuditërisht, edhe vetë Edi Rama shtatlartë e me ndikim sipëror kudo e ngado në botë, ka disa shtrëngesa e ndalesa apo kufizime ligjore, kushtetuese e gjithashtu edhe sipas të Drejtës Ndërkombëtare. Atëherë pse e bëri njoftimin dhe shpalosi idenë e tij në “New York Times” dhe në Sallën Plenare të OKB Edi Rama, nëse ai e di që i duhet të kalojë shumë hendeqe? Për PR (Marketing), test, apo për lojë të madhe ndërkombëtare apo vendore?

Po kanë qenë këto qëllimet e tij, druaj se na duhet të dyshojmë paskëtaj në vetë natyrën e propozimit. Një propozim i bujshëm, që bëhet aty ku vetëm ngacmohen vëmendje e interesa të mëdha, thjesht synon shtigje ku bëhen lojëra e pazare të vogla dhe viktima gjithmonë bëhet vetë propozimi. Buja vret vetë propozimin.

Pra, pyetja që rishtrohet është: A e ka seriozisht Edi Rama idenë e krijimit të një shteti shpirtëror bektashi sipas modelit të Vatikanit? Apo thjesht po përdor ekzotikën e një religjioni me emërtim botëror, por që vjen nga një vend i vogël, për të fituar më shumë korridore fame dhe vëmendjeje për veten e vet? Unë nuk e kuptoj se përse lajmësi i këtij propozimi duhej të bëhej “New York Times” dhe jehona e tij duhej të çohej në OKB, kur ka një rrugë tjetër, e cila detyrimisht duhej ndjekur, nëse propozimi apo propozuesi janë seriozë. A ka folur Kryeministri Edi Rama me Presidentin e Republikës për këtë propozim? A e ka vënë në dijeni? A është thirrur ndonjë mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga Presidenti i Republikës, ku të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të opozitës, akademikë, konsitucionalistë, ekspertë të Sigurisë Kombëtare, dhe detyrimisht krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri? A ka bërë përpjekje kryeministri të konsultohet me krerët e Shërbimeve Sekrete në Shqipëri mbi efektet e një propozimi të tillë? Po me vetë krerët e komuniteteve fetare apo me Këshillin Ndërfetar Shqiptar, a e ka bërë ndonjë konsultim? A e ka kërkuar mendimin dhe këshillimin e Kryetarit të Kulteve? Propozime të tilla, kanë nevojë për konsultime të shumta dhe konsensus të gjerë e nuk mund të jenë kurrë propozime të një njeriu, qoftë ky edhe kryeministri i vendit përderisa nuk i ka atributet ligjore për ta bërë këtë gjë.

Në qoftë se qëllimi është realisht krijimi i një shteti shpirtëror bektashi, le të shqyrtohet dhe debatohet njëherë mes institucioneve kushtetuese, ekzekutive, legjislative, politike, sigurisë kombëtare, fetare dhe akademike në Shqipëri e më tej le të vijë si një nismë e Shtetit Shqiptar, ku të gjithë kanë dhënë mendimin e rekomandimin e tyre. Parimisht, mua më pëlqen ideja, por jo propozuesi e aspak rruga që ka zgjedhur kryeministri për ta shpallur këtë ide. Ndërlidhja e komunitetit bektashi me lëvizjet patriotike shqiptare e bën këtë komunitet autentik dhe shqiptarizma brenda këtij komuniteti me Kryegjyshatën Botërore në Shqipëri është tejet interesante dhe e vlefshme të eksplorohet nëse mund t’i jepet edhe një dritë e përbotshme. Nuk shoh asgjë të keqe e problematike teologjikisht e as institucionalisht te një “Shtet Shpirtëror” si dritë shpërndarjeje në botë të një religjioni kulturalisht shqiptar. Por kam gjithë dyshimet e plota se propozuesi ka dashur ta vrasë me bujën që i dha, këtë ide idilike./

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular