“Nuk ka diktaturë që nuk mposhtet!”- Salianji reagon nga burgu dhe publikon videon: Kjo është vetëm medalje në karrierën time politike

0
247

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar nga burgu përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet se dënimin e tij e cilëson medalje në karrierën e tij politike.

“Nuk ka diktaturë që nuk mposhtet💪Kjo është vetëm medalje në karrierën time politike✌️”, shkruan demokrati krahas videos, ku shihen momente nga vetëdorëzimi i tij dhe më pas transferimi i tij në burgun e Fierit, ndërsa është vendosr mbishkrimi “Burg politik”.

Kujtojmë se Salianji u vetëdorëzua pasditen e kësaj të premteje (27 shtator) pranë ambienteve të drejtorisë së Policisë së Tiranës, nga ku dhe deklaroi se sakrifica e tij nuk do të shkojë dëm dhe se betejën për të vërtetën do ta bëjë nga burgu.

“Është një betejë që nuk përfundon. Sakrifica pa diskutim që nuk shkon dëm. Në përballje me regjimin secili merr kostot e veta. E di që shumë prej miqve kanë vuajtur represionin e qeverisë”, tha deputeti para policisë.

Gjykata e Apelit la dje (26 shtator) në fuqi dënimin me 1 vit burgim për deputetin demokrat Ervin Salianji, për akuzën e “Kallëzimit të rremë” për rastin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.