Demokratët Euroatlantikë, grupimi i drejtuar nga Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me arrestimin e deputetit të PD, Ervin Salianji.
Me anë të një postimi në Facebook, ata akuzojnë kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD, Sali Berishën për situatën e krijuar politike. Sipas tyre, edhe arrestimi i deputetit demokrat është pjesë e pazarit Rama-Berisha duke marrë vulën dhe dorëzo Salianjin.
Ata gjithashtu i përgjigjen edhe deputetit Agron Gjekmarkaj i cili ditën e sotme sulmoi Bashën për heshtjen e tij për këtë çështje.
Duke e cilësuar si vemjet politike, në reagimin e tyre shprehen se korbat u turren fatkeqësive politike nga Sali Berisha te Ervin Salianji për të përfitur prej tyre.
Reagimi i plotë i Demokratëve Euroatlantikë:
Burracakët që kanë lëpirë çdo gjë që kanë pështyrë gjatë karrierës së tyre politike, kanë qelbur ekranet me shpifje të ndyra. Ndryshe nga këto vemje politike, që si korbat u turren fatkeqësive politike nga Sali Berisha te Ervin Salianji për të përfitur prej tyre, Lulzim Basha as nuk feston, as gëzon dhe as i përdor. Politikanët reagojnë me akte dhe vendime jo me deklarata të tipit “kurrë me Berishën”, e pastaj presin mëshirën e tij poshtë ballkonit.
Ky lëpirësi që u shfaq sot t’u thotë demokratëve si ka mundësi që të njëjtit gjyqtarë që dënuan Salianjin, i’a dhanë vulën Berishës?
Pse këta gjyqtarët dje ishin heronj e sot u bënë vasalë të Edi Ramës?
Pazari i ndyrë Rama-Berisha, merr vulën-jep Salianjin, nuk mbulohet dot me diarrenë mediatike të këtyre vemjeve politike dhe as të mediave të blera prej tyre.