Bizneset shqiptare vitet e fundit po konsiderojnë si shqetësim kryesor të aktivitetit të tyre mungesën e punonjësve. Për të plotësuar hendekun, shumë prej tyre janë drejtuar në tregjet aziatike dhe afrikane për gjetjen e punonjësve, por disa të tjerë po shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale në vend të njerëzve. Anketa që zhvilloi Barometri i Ballkanit tregon se 3% e bizneseve të anketuara në vendin tonë kanë pohuar se kanë zëvendësuat punonjësit me Inteligjencën Artificiale. Gjithashtu 3% e bizneseve në Kosovë dhe Malin e Zi i kishin zëvendësuar njerëzit me Inteligjencën Artificiale.
Të dhëna të brendshme referojnë se vitet e fundit, në presionin e mungesës së punonjësve, bizneset po nxiten të përdorin teknologjinë në të gjithë sektorët që nga bujqësia, industria dhe shërbimet. Drini Zusi, aksioner në kompaninë INCA në Lezhë, që operon në industrinë përpunuese, tha se Inteligjenca Artificiale dhe investimet në mekanikë e teknologji vitet e fundit po ulin varësinë nga rekrutimet e reja të punonjësve Z. Zusi tha se nëpërmjet ChatGPT dhe Midjourney në fushën e marketingut krijohet përmbajtja dhe nuk ka më nevojë për menaxher në këtë fushë. Më parë, kompania paguante një agjenci ose konsulent të jashtëm për konceptin ose përmbajtjen e marketingut, por me versionet premium të ChatGPT këto produkte prodhohen vetë.
Industria është një nga përfitueset e mëdha të teknologjisë, pasi njësitë e prodhimit, të cilat e kanë ndier më së shumti mungesën e fuqisë punëtore, kanë investuar vitet e fundit në teknologji robotike, teksa përdorin edhe inteligjencën Artificiale për marketing dhe për të rritur produktivitetin. Projeksionet globale tregojnë se inteligjenca artificiale do të bëhet një zëvendësues i madh i vendeve të punës në të ardhmen.
Fondi Monetar Ndërkombëtar lajmëroi më herët këtë vit se, inteligjenca Artificiale do të prekë pothuajse 40% të vendeve të punës në mbarë botën, duke zëvendësuar disa dhe duke plotësuar të tjerat. Ne kemi nevojë për një ekuilibër të politikave për të shfrytëzuar potencialin e ri, u shpreh nëpërmjet në blogu, Kristalina Georgieva, Drejtoreshë Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ajo tha se bota është në prag të një revolucioni teknologjik që mund të nxisë produktivitetin, rritjen globale dhe të rrisë të ardhurat në mbarë botën. Megjithatë, mund të zëvendësojë vendet e punës dhe të thellojë pabarazinë. Përparimi i shpejtë i inteligjencës Artificiale ka mahnitur botën, duke ngritur pyetje të rëndësishme në lidhje me ndikimin e mundshëm në ekonominë globale. Efekti neto është i vështirë për t’u parashikuar, pasi IA do t’i prekë ekonomitë në mënyra komplekse./ Monitor