Ahmet Prençi rrëfehet nëpëmjet letërsisë/Nga Sakip Cami

0
243

Nga Sakip Cami
Në mbyllje të tetorit, muajit të letërsisë, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, (QKLL), gazetarja e mirënjohur Monika Stafa moderoi takimin me romancierin Ahmet Prençi, autor i romaneve të suksesshme “Anja” dhe “Brenga e prokurorit”.

Fjalën e hapjes e mbajti Drejtoresha e Qendrës, znj. Alda Bardhyli, ndërsa takimi u moderua gjatë gjithë kohës nga gazetarja e mirënjohur e kulturës dhe e letërsisë, Monika Stafa.

Për romanet “Anja” dhe “Brenga e prokurorit” diskutuan, parashtruan analiza dhe dhanë vlerësime shkrimtarët e mirënjohur Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Arben Çejku, Bislim Ahmetaj, poeti dhe gazetari Marash Mirashi, studiuesi i spikatur i letërsisë Behar Gjoka, Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço etj.

Ne takim ishin të pranishëm poetë, shkrimtarë, botues, studiues, gazetarë, intelektualë e miq të shumtë të autorit.

Moderatorja Monika Stafa duke folur për hyrjen e guximshme dhe rezultative të Ahmet Prençit në letërsinë shqipe, ndonëse disi i vonuar për shkak të mbajtjes së shumë detyrave të rëndësishme shtetërore ja dha fjalën autorit Ahmet Prençi për t’i njohur lexuesit për vështirësitë dhe mënyrën e hyrjes së tij në letërsi.
Shkrimtari Ahmet Prençi theksoi se nuk e ka patur luksin që të shkruajë vetëm letërsi për shkak të detyrave të rëndësishme shtetërore që ka mbajtur në Policinë e Shtetit.
-Unë kam jetuar në dy kohë, në dy sisteme prandaj subjektet dhe personazhet e romaneve të mija shtrihen në dy kohë. Kjo i jep mundësi lexuesit të ri ta njohë edhe sistemin që lamë pas. Në subjektet e mija ka pak trill dhe shumë ngjarje njerëzore të jetuara nga unë dhe shokët e mi.
Fakti që romanet janë pritur mirë nga lexuesi më gëzon dhe më motivon.

Studiuesi dhe kritiku i mirënjohur Behar Gjoka, redaktor i romaneve theksoi se në romanet e Prençit ka befasi, mister, dashuri njerëzore që i jep lexuesit kënaqësinë e nevojshme.
Shkrimtari Besnik Mustafaj që i ka lexuar që në dorëshkrim të dy romanet vë në dukje se Ahmet Prençi nuk është modest në letërsi, por një zë i fuqishëm.
Arben Çejku, bashkëstudent me Ahmetin është nxitësi kryesor i krijimtarisë së tij , shkruesi i parathënieve dhe për këtë ndihet mirë se ja ka arritur.
Diana Çuli e krahason autorin Prençi dhe romanin “Brenga e prokurorit” me disa romane e autorë best seller .
Marash Mirashi e vuri theksin te veçoritë e romaneve të Prençit, veçori që kanë ardhur edhe nga punët dhe profesionet e autorit ndër vite në organet e sigurisë.
Poetja dhe kritikja letrare Emi Krosi bëri një ndërthurje midis luftës kundër mafies në vitet 70 në Itali me përpjekjet që bën sot drejtësia dhe policia shqiptare në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, nga ku e merr subjektin edhe romani “Brenga e prokurorit”.

Prof Ervin Karamuço u ndal te figura e prokurorit në roman, e paraqitur me vërtetësi nga autori që vjen sa e mistershme aq dhe njerëzore.
Më tej ai tregoi një episod nga vizita personale e Prençit në ShBA. Kontrollori amerikan në doganë e uroi: “Mirësevini ! Pata nderin unë , që të njoh nga afër ish drejtorin e Policisë Shqiptare dhe njëkohësisht shkrimtarin Ahmet Prençi.

Romani “Anja”, i ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe, sidomos romani i fundit “Brenga e Prokurorit”, po ashtu i ribotuar, përkthyer dhe vlerësuar nga kritika dhe lexuesit, tregojnë se autori i tyre ka zënë vendin e merituar në plejadën e shkrimtarëve më të shquar bashkëkohor shqiptar!